Ndrekon e vranë pa gjyq. Sotirin e dënuan me burg. Pas tij, edhe vëllanë më të madh, Spiron. Më pas do të vinte internimi. Nuk do të mungonte as dënimi i pasardhësve. Viti 1991, do e gjente Spiron në barakën e tij në Savër, ndërsa të birin, Henrikun, sot shkrimtar me disa çmime letrare, në burg. Përndjekja 30-vjeçare e familjes Gjoka, që komunizmi u mohoi jetën edhe në i la gjallë.
Spiro Gjoka u lind në Mbrezhdan të Përmetit më 1923. Vëllezërit e tij më të vegjël, Sotiri dhe Ndrekoja më 1927 dhe 1932. Ishin të bijtë e Qirjakos, ose Qiros siç thirrej. Xhafer Sadiku, në librin e tij “Skenarë të përgjakur (Përmeti 1943-1990)”, shkruan se familja e tyre u lidh me lëvizjen nacionalçlirimtare dhe Spiroja, mori dhe vetë pjesë në luftë. Më pas, për disa vite, kreu funksione të ndryshme në parti dhe pushtet. Por Spiro Gjoka pati aftësinë për të parë qartë edhe pse ishte shumë afër, gjë që nuk ndodh shpesh sepse ai pozicion zakonisht e vesh vështrimin objektiv. Pati edhe kurajën të shprehte rezerva për politikën e partisë, çfarë, ishte edhe më e rrallë.
Kështu ai u shpall element antiparti dhe armik. Meqë, me sa kuptohet, nuk ndryshoi mendje, mbeti i tillë për plot 30 vjet duke vuajtur burgjet, internimet dhe vrasjen e dënimin e familjarëve.
Sipas të dhënave të Arkivës së Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ISKK, i pari u dënua vëllai më i vogël, Ndreko Gjoka. Ishte 28 vjeç ku u arrestua dhe u ekzekutua pa gjyq. Sipas sigurimit ”u vetëvra në çastin e arrestimit, në tentativë për t’u arratisur jashtë shtetit”. Asgjë, veç versionit të Sigurimit, nuk tregon se ai po tentonte të arratisej. U vra në ish-ndërmarrjen e grumbullimit në Lushnjë, larg çdo pike të kufirit. Për të afërmit, vrasja mbeti enigmë, siç mbeti, sipas Xhafer Sadikut, edhe vendi ku i prehen eshtrat.
Nuk kaluan as 5 vjet dhe komunistët arrestuan vëllanë tjetër, Sotirin, 40 vjeç. Gjykata e Beratit e dënoi me 5 vjet heqje lirie për “agjitacion dhe propagandë”. Në burgun e Tiranës, ku grumbulloheshin të dënuarit nga të gjitha burgjet, para se të shpërndaheshin në kampe të tjera, për Sotirin ishte rezervuar dhoma nr.8 e njohur si “dhoma e armiqve” sepse të tillë konsideroheshin tashmë ai dhe familja e tij, pavarësisht kontributit të tyre, gjatë viteve të luftës.
Kaluan pak vite dhe ai u takua me të vëllanë, Spiron, në një nga vendet e vuajtjes së dënimit, ku ndanin të njëjtin status, atë të dënuarit politik. Këtë vend, Spiroja, gjatë një bisede me Jozef Radin, të cilën ky i fundit e ka publikuar në radiandradi.com, e quan kampi i Vlorës. Kishte mbërritur aty në mars të vitit 1970 që nga kamp-burgu i Spaçit. Edhe Spiroja ishte arrestuar për agjitacion dhe propagandë dhe ishte dënuar me 6 vjet heqje lirie.
Siç del nga një shkrim i Luan Ramës që djalin e Spiros, Henrikun e kishte pasur shok në rininë e hershme, Spiro Gjoka ka qenë edhe në ishullin e Zvërnecit, një kamp i izoluar natyralisht, që për disa vite i shërbeu partisë si një ishull për të parjashtuarit e saj. Atje, Henriku shkonte bashkë me gjyshen, për të takuar babanë e dënuar.
Se çfarë potenciali kishte i riu, Henrik Gjoka, mund ta gjykosh nga romanet që ai nisi të shkruajë e botojë pas shembjes së diktaturës dhe vendosjes në Francë, por megjithatë, për komunistët, ai ishte thjesht djali i një armiku të partisë, të cilit nuk iu dha e drejta e studimeve të larta. I rritur me kaq privime e mundime, Henrik Gjoka, nuk mund të mos ishte një kundërshtar i plotë i regjimit që ia kishte shkaktuar ato. Si bir i të atit, një pjesë të kësaj revolte do e shfrynte në biseda të ndryshme, të cilat, në atë kohë, nuk ishte e vështirë të shkonin në veshët e ngrehur të Sigurimit.
Sipas një biografie të shkurtër që i ka bërë memorie.al, para publikimit të një pjese nga romani i tij “Vrasja e pëllumbave”, Henriku u arrestua fillimisht në vitin 1981 për agjitacion e propagandë. U lirua në vitin 1986, duke përfituar nga dy amnisti. Tentoi të arratisej, por u kap dhe u ridënua. Këtë herë me 13 vjet burg për “tradhti të lartë ndaj atdheut”. Asgjë nuk do ia ulte më dënimin, nëse nuk do ndryshonin regjimet. Henrik Gjoka u lirua në vitin 1991, si një ndër të fundmit të dënuar politikë. Në atë vit, i ati, siç tregojnë fotot e Jutta Bezenberg, ndodhej ende në fshatin e internimit, në Savër të Lushnjës.
Spiro Gjoka “një burrë me të vërtetë fisnik…ashtu i dashur dhe i respektuar për gjithë Savrën”, siç shkruan për të bashkëvuajtësi Beqir Sina, jetoi për vite me radhë në kushtet e barakave që regjimi u jepte të internuarve si banesë. Atje jetoi edhe nëna e tij e moshuar./kujto.al
Shënim: Në foton kryesore, Spiro Gjoka, Savër, 1991. Foto nga Jutta Bezenberg.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.