Intervista/ Aldo Renato Terrusi me një libër për dramën e italianëve të burgosur në Shqipëri

0
3
blank

Viktima të marrëveshjeve ndërshtetërore, por mbi të gjitha të diktaturës shqiptare që dënonte pa prova dhe keqtrajtonte mizorisht të dënuarit e saj. Aldo Renato Terrusi përshkruan në librin e tij më të ri, dramën e italianëve të mbetur në Shqipëri pasi komunistët morën pushtetin. Vetë bir i një ish-të dënuari që ndërroi jetë në burgun e Burrelit, autori Terrusi tregon për kujto.al çfarë e shtyu të shkruante “Italiani prigioneri in Albania” (“Italianë të burgosur në Shqipëri”) dhe disa nga historitë dhe faktet më mbresëlënëse që ka zbuluar gjatë kërkimeve për këtë libër

 

Historia e Giuseppe Terrusi-t, ish-drejtorit të Bankës së Shqipërisë në Vlorë dhe njëkohësisht ish-të dënuarit politik të regjimit komunist që ndërroi jetë në burgun e Burrelit në vitin 1952, është bërë tashmë e njohur falë përpjekjeve të palodhura të të birit, Aldo Renato Terrusi-t për të çuar në atdhe eshtrat e të atit dhe në vend amanetin e së ëmës. Eshtrat që duhej të ishin në oborrin e burgut të Burrelit, poshtë një peme qershie, nuk u gjetën, por historia e Giuseppe Terrusi-t dhe pafajësia e tij, tashmë kanë dalë në dritë. Aldo Renato Terrusi ka sjellë në librat “Ritorno al Paese delle Aquile” (“Rikthim në vendin e shqiponjave”), “All’ombra di un ciliegio” (Nën hijen e një qershie), si dhe “Brenga ime shqiptare”, historinë e familjes së tij; kthimin në vitin 1993, në Shqipërinë ku u lind, për të kërkuar eshtrat e të atit; por edhe faqe të tëra të zbardhura nga procesi i Vlorës 1945, ku i ati u dënua pa asnjë provë dhe në kundërshtim me dëshmitë që e përshkruanin si të papolitizuar, korrekt dhe dashamirës. Kur mendohej se gjithçka kishte mundur të zbulonte ishte treguar në këta libra, shtëpia botuese “BESA” publikoi, pak muaj më parë, në Shqipëri, librin e ri të Aldo Renato Terrusi-t, “Italiani prigioneri in Albania” (“Italianë të burgosur në Shqipëri”). Libri do të prezantohet në Romë më 4 prill, në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të Bankës së Shqipërisë, drejtues i degës të së cilës në Vlorë ka qenë Giuseppe Terrusi para se regjimi komunist ta arrestonte dhe dënonte. Kujto.al ka realizuar një intervistë online me autorin për të mësuar më shumë për këtë libër dhe historitë që ai trajton.

Kur thoni “Italianë të burgosur në Shqipëri”, nënkuptoni të gjithë italianët që mbetën në Shqipërinë komuniste, kundër dëshirës së tyre, apo ata që u dënuan me burg me një vendim gjyqësor?

Unë nënkuptoj TË GJITHË. Ata që ishin të burgosur për arsye politike, ata që ishin ushtarë ose karabinierë, ose grupe që bënin pjesë në ndërmarrje italiane, krejt të pafajshëm, apo që ishin thirrur me detyrim në ushtri. Donin apo jo, ata duhej të kompensonin qeverinë shqiptare sipas marrëveshjeve të bëra (mbi kokën e tyre) në armëpushimin e Cassibile-s 1945. Fatkeqësisht nuk kishte rrugë tjetër, kështu që shumë u përpoqën të arratiseshin, disa vdiqën në burg ose u liruan pas shumë vitesh, por ata që mbetën, duhej të punonin, shpesh në kushte ekstreme, derisa, në shtator të vitit 1955, një traktat tregtar midis Italisë dhe Shqipërisë parashikonte këmbimin e punëtorëve italianë me pjesë këmbimi dhe materiale të ndryshme.

Mund të na thoni diçka më shumë rreth zbatimit të marrëveshjes së Cassibile-s për italianët e mbetur në Shqipëri?

Çështja e marrëveshjes është shumë e thjeshtë dhe njëkohësisht tragjike. Pas armëpushimit të Cassibile-s, Qeveria Italiane nënshkroi Marrëveshjen e 14 marsit 1945, e cila në pikën 1 parashikonte: "I. Qeveria shqiptare pranon propozimin e S.T. Zëvendësministrit të Shtetit për Luftën, avokatit Mario Palermo, për riatdhesimin e të gjithë italianëve që aktualisht banojnë në Shqipëri, përveç ndërmarrjeve italiane dhe atyre specialistëve që janë të domosdoshëm për rindërtimin e vendit."

Mund ta thoni sa italianë gjithsej mbetën në Shqipëri dhe u trajtuan si të dënuar?

Nuk ka siguri, por pa dyshim mijëra...

Çfarë pune bënë italianët? Në çfarë kushtesh jetonin? A ishin të lirë, apo kishin kufizime të veçanta?

Për të përshkruar aktivitetet e shumta të cilave iu nënshtruan mijëra italianë, civilë dhe ushtarë dhe u detyruan të punonin si të burgosur do të duhej të shkruheshin disa vëllime. Në librin tim, jam kufizuar të përshkruaj jetën e katër personazheve që janë të pranishëm në fotografinë e kopertinës. Siç them në libër: Ishin historitë e mrekullueshme dhe tragjike të familjeve tona që u ndërthurrën në tokë të huaj...

blank
Kopertina e librit të Aldo Renato Terrusi-t "Italiani prigionieri in Albania", i shtëpisë botuese BESA

Duket se dy librat e parë ia keni kushtuar historisë së familjes suaj, ndërsa tani e keni zgjeruar kontekstin. Çfarë ju nxiti të shkruani këtë libër?

Në kopertinën e librit tim të fundit "Italianët e burgosur në Shqipëri" ka një fotografi që tregon katër burra në burg, njëri prej të cilëve është babai im, Giuseppe Terrusi (i treti nga e majta, i mbështetur në mur me jastëk, që shikon drejt fotografit, që në këtë rast ishte daja im, Giacomo Poselli, portier i Kombëtares Shqiptare të Futbollit). Kam pasur gjithmonë kuriozitet se kush ishin tre individët e tjerë që ndanin të njëjtin qeli në burgun e Vlorës, në vitin 1945. Kërkimet e mia përmes fotografive dhe letrave të kohës më kishin çuar në disa përfundime, por pa siguri. Një ditë më erdhi një mesazh nga një person që thoshte se ishte Alvise Orlandi dhe donte të fliste me mua, sepse familjet tona kishin qenë shumë miq në Shqipëri gjatë viteve '30-'40. Nga ai moment, filloi një korrespondencë e dendur mes nesh. Alvise njohu në fotografinë e kopertinës të atin e tij, Arturo-n. Nga aty, filloi kërkimi im i nxitueshëm dhe emocionues për të mësuar kush ishin të tjerët që ishin të pranishëm në foto dhe dëshmitë e jetës së tyre të përbashkët.

Kush janë personat e tjerë në foto?

Përveç tim eti, Giuseppe Terrusi-t, janë Arturo Orlandi, Mario Verde dhe Nino Tagliani. I pari majtas në foto, është Arturo Orlandi, sipërmarrës dhe administrator i Kompanisë së Llakatundit (Azienda di Llakatund). Ai u kthye në Itali dy vjet më pas (1947), duke qenë se u kishte dhënë punë punëtorëve shqiptarë të Kompanisë. Dy të tjerët, Mario Verde dhe Nino Tagliani janë kapitenë të karabinierëve. Të dy ata shërbenin për ruajtjen e sigurisë në Vlorë dhe nuk ishin ushtarë lufte.

Çfarë keni mësuar për historitë e këtyre italianëve që ju ka prekur veçanërisht?

Më kanë prekur historitë e dy kapitenëve të karabinierëve italianë që janë të pranishëm në fotografinë e kopertinës, të cilët kaluan 10 vjet të jetës së tyre në burg me punë të detyruara dhe tortura. Në vitin 1955, u liruan të katandisur në skelete dhe arritën të ktheheshin në atdhe. Ata u dekoruan dhe e përfunduan karrierën e tyre ushtarake si Gjeneralë. Dua të theksoj që ata ishin përgjegjës për mbikëqyrjen e italianëve që qëndronin në Vlorë dhe nuk ishin ushtarë lufte.

Mund të përmendni disa nga faktet më domethënëse që keni zbuluar gjatë kërkimeve tuaja, si për shembull dëshmi të italianëve, ose përmbajtje të dokumenteve, që ju kanë tronditur?

Kërkimet e mia janë zhvilluar me qëllimin për të zbuluar gjithçka që ishte e mundur për ngjarjet e babait tim, Giuseppe, para dhe pas burgosjes së tij. Mund të përmend sjelljen e shërbimeve sekrete shqiptare dhe italiane që i kam përballur në libër. Ato shqiptare ishin gjithmonë shumë të pasakta dhe të paqarta (kishin vetëm qëllimin për të shpifur me hipoteza të çuditshme dhe shpesh tërësisht të pasakta dhe të shtrembëruara). Shërbimet sekrete italiane ishin të sakta dhe të detajuara. Fatkeqësisht, propaganda komuniste e Enver Hoxhës ishte absolute dhe njerëzit që hetoheshin duhej të vuanin një dënim të rëndë dhe degradues që do të tregonte forcën e regjimit komunist.

Keni arritur ta përcaktoni nga kërkimet tuaja, sa shtetas italianë janë dënuar me burg në Shqipëri nga diktatura komuniste ?

Disa dhjetëra sa u përket proceseve të Vlorës.

E trajtoni edhe procesin e Vlorës në këtë libër?

Po.

Mund të na jepni një përmbledhje të shkurtër të atij procesi? Kush u gjykua? Për çfarë u akuzuan dhe çfarë vendimesh u morën?

Libri im i fundit është një përmbledhje e asaj që ndodhi në procesin e Vlorës. Ata që janë gjykuar në Vlorë, përfunduan gjithsesi në burg dhe akuzat më të shpeshta ishin: “Armiq të Popullit” dhe “Kriminelë lufte”. Mesatarja e dënimeve ishte 10 vjet burg dhe shpesh e shoqëruar me punë të detyruar.

Çfarë ndodhi pas 10 vitesh me italianët e mbetur në Shqipëri? A u kthyen në atdhe, sipas marrëveshjes?

Në vitin 1955, pas traktatit midis Italisë dhe Shqipërisë, ndodhi shumë. Disa mbetën në Shqipëri dhe madje u martuan, disa ikën për në Itali menjëherë pas marrëveshjes, disa njerëz në Shqipëri ngritën biznese të vogla që funksionojnë ende sot. Vetëm në kuadër të ushtarakëve, shumë prej tyre u riatdhesuan në grupe.

A ka ndonjë të re rreth historisë së babait tuaj në këtë libër?

Tani jam i sigurt që posaçërisht në Burrel, regjimi i Enver Hoxhës ka bërë çmos për të zhdukur gjurmët e krimeve të veta, prandaj do të jetë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të gjesh edhe një eshtër në atë kamp burgu.

blank
Sipër, Aldo Renato Terrusi në oborrin e burgut të Burrelit, nën pemën e qershisë. Poshtë, teksti i letrës që shoqëron lulet: “Për të gjithë ata që prehen në këtë vend, në emër të lirisë së mendimit -Në të gjelbrën e demokracisë/-Në të bardhën e lirisë/-Në të kuqen e gjakut të derdhur Burrel 25.9.2019”, firmosur nga Aldo Renato Terrusi dhe Paola Poselli, vajza e dajës së Aldos, Giacomo Poselli-t, ish-portierit të Kombëtares Shqiptare të Futbollit në ekipin që fitoi Ballkaniadën 1946

Dëshironi të shtoni diçka tjetër që mendoni se është e rëndësishme të përmendet?

Mendoj se është mjaftueshëm ajo që kam thënë, sepse besoj se shumë histori të periudhës së regjimit të Enver Hoxhës janë shumë të ngjashme dhe tragjike. Një gjë që ma thonë shpesh kur shkoj në Shqipëri dhe takohem me miq shqiptarë dhe që më ka mbetur në mendje është: "Sa fat ke pasur që ke mundur të kthehesh shpejt në Itali (1949). Ne që mbetëm këtu, kaluam torturat e ferrit..."/mars 2025-kujto.al

Shënim: Në foton kryesore, nga e majta në të djathtë: Arturo Orlandi, Mario Verde, Giuseppe Terrusi, Nino Tagliani. Burgu i Vlorës, 1945.

Më shumë për historinë e familjes së Aldo Renato Terrusi-t, mund të lexoni këtu, ndërsa në këtë link mund të lexoni një intervistë të mëparshme të tij.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here