Hysen Kusi, thyerja e një kampioni

0
641
blank

Njihet mirë lavdia e Hysen Kusit me pseudonimin Dake si fitues i kampionatit të parë shqiptar me Tiranën në vitet ‘30, por ajo që nuk dihet është si diktatura e rrënoi këtë kampion duke e burgosur për 5 vite, nga të cilat ai nuk doli më i njëjti. Hyseni ishte kunati i Qazim Mulletit, ndaj e gjithë familja u godit pa mëshirë nga pushtetarët e rinj. As dashuria e së fejuarës që e priti dhe u martua me të pas daljes nga burgu, as familja që krijoi nuk ia kthyen dot jetën normale, duke mbetur, deri në fund të saj, mbartës vuajtjesh të mëdha

Nga Marsida T.Najdeni

Kush ishte Hysen (Dake) Kusi?

Lindi në një familje të vjetër qytetare tiranase më 20 qershor 1912. Familja Kusi bën pjesë në ato fise sa intelektuale, aq dhe punëtore e patriote. Hyseni u rrit nga një familje e shëndoshë ku mbizotëronte mbi të gjitha dashuria për njëri-tjetrin. Babai tij, Ismail efendi Kusi ishte ekonomist në komunitetin mysliman. Ndërsa e ëma, Qamile Mara, rridhte gjithashtu nga një familje qytetare tiranase. Çifti pati 6 fëmijë, 4 djem: Ramazan Kusi, akademik ushtarak; Abdulla Kusi, i pushkatuar nga komunistët më 1945, i cili kishte shërbyer si kryetar komune i Petrelës; Nazif Kusi, i cili vdiq shumë i ri fill mbas mbarimit të fakultetit në Milano; Hysen Kusi, jo vetëm një sportist i shkëlqyer, por dhe një ekonomist i mesëm dhe njihte mirë italishten dhe frëngjishten. Dy motrat ishin, njëra Hajrie Kusi, e cila do të martohej shumë shpejt me Qazim Mulletin, prefektin e famshëm të Tiranës. Kalvari i vuajtjeve të saj mbas 1944-ës, nëpër internime bashkë me djalin, Reshitin janë histori rrëqethëse. Ndërsa motra tjetër Lutfija do t’i vdiste nuse e re në familjen e mirënjohur Gjinali. Siç shihet fatkeqësitë në familjen e Ismail Kusit nuk ishin të vogla. Fatkeqësi të tmerrshme që rënduan dhe te Hyseni.

blank
Hysen Kusi

Sipas së bijës së Hysen Kusit, babai saj ka luajtur futboll profesional nga mosha 17-vjeçare deri në vitin 1936, kur vetëm 24-vjeçar e la sportin dhe punoi si ekonomist i mesëm. Në librin “Tirana Personalitete” të Shoqatës Tirana në faqen 53, mësojmë se Hyseni shkollimin fillor e kreu në Tiranë. Më pas ndoqi gjimnazin e famshëm “Zosimea” në Greqi. Kishte një rreth shoqëror të madh dhe kudo la emër të mirë. Hyseni ishte shumë i dhënë mbas futbollit dhe e luante qysh në vogëli. Ai u rrit duke parë ndeshjet e ekipit të Tiranës në fushën e Shallvares gjatë viteve ‘20. Ishin vite, të cilat do të linin mbresa në formimin e tij, edhe kështu vetëm 17-vjeçar do të bëhej pjesë e ekipit të Tiranës. Talenti i tij ra në sy direkt prandaj nuk nguroi kush ta merrte pranë skuadrës dhe pse në moshë fare të re. Qysh herët mori dhe nofkën Dake. Kuptimin e gjejmë te karakteri i Hysenit. Ai nuk ishte shtatlartë, por i guximshëm dhe energjik. Nuk i trembej asnjë dueli në fushë dhe kurdoherë i pari në stërvitje. Pra, pavarësisht se s’qe mbase i madh në trup, ai ishte i madh në karakter dhe shpirt, i fortë si një dake. Nuk lodhej sa në mbrojtje dhe në mesfushë. I bëhej kundërshtarit si pullë poste. Jepte shpirtin dhe zemrën për fanellën prandaj nuk habiteshin tifozët kur e shikonin ndonjëherë dhe në sulm. Dake Kusi i përket plejadës së artë të futbollit tiranas dhe atij shqiptar. Ishte ndër ata që vuri themelet e para të një futbolli profesionist në Shqipëri. Ai bashkë me Tiranën, në vitin 1930, fituan kampionatin e parë të futbollit shqiptar. Nga studiuesi dhe gazetari sportive, Besnik Dizdari kam mësuar se Hysen (Dake) Kusi është ndër të parët (në mos i pari) lojtar shqiptar, i cili do të huazohej me kontratë sportive me pagesë nga SK Tirana për te SK Teuta në vitin 1934. Tek Tirana Dakja luajti përkrah emrave të mëdhenj si Selman Stërmasi, Irfan Gjinali, Adem Karapici, Rexhep Maçi, Shefqet Ndroqi, Isuf Dashi etj. Ndërsa te Durrësi, do të krijonte një miqësi shumë të ngushtë me të madhin Niko Dovana. Duke parë emrat e ekipit të Tiranës vetëkuptohet se jo më kot Tirana do të fitonte 6 kampionate në vitet ’30-të. Dake Kusi do t’qe fitues i katër prej këtyre kampionateve më 1930, 1931, 1932 dhe 1936. Tironën e zemrës nuk e harroi deri ditën e fundit të jetës.

Jeta e Hysenit nga kampion i parë në kënetën e Maliqit

Dhe pse ishte 10 vjet më i madh se ajo, goca tironse, Ikbale Cullhaj e kishte ndjekur Hysenin kur luante futboll te Fusha e Shallvares. Ajo i ka treguar së bijës se kur ishte 14-vjeçare shkonte bashkë me kushërirat për të parë futboll dhe aty e kishte parë Hysenin për herë të parë. Çifti do të fejohej në vitin 1942. Asokohe tradita e kërkonte që fejesa të zgjaste më e pakta 2 vjet. Nuk arritën ta shijojnë njëri-tjetrin se erdhi 1944-a bashkë me peripecirat që e tronditën çiftin. Hyseni s’qe marrë kurrë me politikë, por të ishe kunati i Qazim Mulletit nuk vinte pa çmim në Shqipërine komuniste. Dhe pse nuk kishte marrë pjesë në asnjë organizatë, edhe pse kishte qenë thjesht një ekonomist i mesëm në Bashki, edhe pse nuk kishte aderuar kurrë me asnjë parti politike, edhe pse jeta për të ishte vetëm sporti, u pa gjithsesi si armik. Pra, i pushkatuan vëllain Abdullain, po ashtu e motra, Hajrie Kusi, do përfundonte bashkë me të birin, Reshit Mulletin e vogël, në të gjitha kampet e internimit.

Në 17 nëntor të 1944-ës, e morën pushtetin komunistët dhe s’pritën fare, direkt më 21 janar 1945 e arrestuan Hysen Kusin. Për tre muaj e mbajtën në birucë, torturat nga më çnjerëzoret teksa priste ditën e gjyqit, gjyq i thënçin. Ngulte këmbë se nuk kishte bërë asgjë kundër popullit të tij. Më 28 prill 1945, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi si “kriminel lufte” me 10 vjet burg, punë të detyruar dhe konfiskimin e pasurisë. Në vitin 1946 Hysenin do ta dërgonin për të tharë kënetën e Maliqit. Hyseni u mbyll fort në vetvete nga torturat dhe kushtet mjerane. Ushënjzat ia thithnin gjakun pa pushim dhe puna e rëndë pa u ushqyer la pasoja shëndetësore tek ai. Mbas 5 viteve në gjendje të rënduar, doli nga burgu. Edhe pse i tjetërsuar, ajo vajza tironse e priste, e donte, e përqafoi pranë vetes. Në vitin 1950 u martuan të dy, 8 vjet mbas shpalljes së fejesës. Martesa solli në jetë dy fëmijë, Mirën dhe Ismailin, por vetë martesa s’do të qe e shëndoshë. Ana shëndetësore dhe psikologjike e rënduar e Hysenit nga fatkeqsitë e vuajtjet e shumta lanë pasoja dhe te gruaja e fëmijët. Ai vdiq vetëm në moshën 62 vjeçare nga kanceri. Një çift i shkatërruar, një familje e vuajtur, fëmijë që u rritën e jetuan me frikë krejt të pafajshëm.

Në foton kryesore, Hysen Kusi ndodhet në mes.
Ky shkrim është botuar fillimisht dhe gjendet i plotë në blogun najdeni.com

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here