“Hekurat gjermane nuk t’i hiqnin gjatë hetuesisë; hekurat t’i shtrëngonin aq sa mishi kapërcente hekurat në të dyja anët e prangave. Ishte dimër dhe hetuesi i shtrëngonte vidat e hekurave me cepin e kapotës se i dhimbnin duart”. Agim Akcani ka rrëfyer procesin e zgjatur të hetuesisë dhe hetuesit "përbindësh" që e torturuan, megjithëse e dinin që “organizata kriminale që kishte helmuar lopët e Baldushkut”, ishte e sajuar.
Helmimi i 98 lopëve në një kompleks blegtoral në Baldushk, në nëntor 1975, solli pushkatimin e dy vetave dhe dënimin me mbi 20 dhe mbi 10 vjet burg të gjashtë të tjerëve, të cilët u akuzuan si organizatë kriminale. Mes tyre ishte dhe brigadieri 21-vjeçar, Agim Akcani, që ka rrëfyer për “Zërat e Kujtesës”, të ISKK, sesi u torturua gjatë një hetuesie 15-mujore në mënyrë që të pranonte se bënte pjesë në "grupin që i kishte helmuar me qëllim lopët për arsye sabotimi".
Pjesë nga rrëfimi
…Pasi kaluan tri ditë…nuk më pyeti askush dhe as nuk më thanë asgjë se ku e pse...më morën me një makinë të zezë, një “Peugot” dhe më çuan nga Rajoni Nr.2 te burgu 313….Te dhoma 13 kam gjetur Jamarbër Markon, Madon siç e thërrsinim, djalin e Petro Markos. Fillimisht m’u duk si i zverdhur dhe më kujtonte Abatin Faria, në romanin “Konti i Montekristos”. E pashë dhe nuk e kuptoja se kush mund të ishte. Nuk e njihja. Kur e pyeta, më tregoi se kush ishte. “Si ka mundësi?! Ti je djali i shkrimtarit; ç’bën këtu brenda?”- I thashë i habitur. “Lëre atë punë,”-m’u përgjigj. Pastaj ai më pyeti: “Çfarë ke bërë, pse të kanë future brenda?” “Nuk kam bërë asgjë,”- i thashë dhe i tregova shkurt ngjarjen e lopëve. “Ku ke qenë para se të sillnin këtu?- më pyeti dhe unë i tregova se më kishin mbajtur te Rajoni 2 tri ditë. Atëherë më tha: “Lëre! E paske ngrënë!” “Pse?” e pyeta unë. “Po, po kalove tri ditë, dihet ajo punë…” Dhe ashtu ndodhi faktikisht…
Filloi hetuesia. Objekti dukej i qartë për ta, sepse më pyesnin për shkaqet se pse ndodhi intoksikacioni dhe hetuesia ishte në të drejtën e saj për të zbuluar se çfarë kishte ndodhur dhe kush kishte përgjegjësi për këtë çështe. Ia kam shpjeguar me imtësi të gjitha detajet…
…Pas dy muajsh, hetuesia ndryshoi; Dilaver Bengasi dhe Ali Korbi që udhëhiqnin procesin hetimor, më bënë akuzën e drejtëpërdrejtë: “I pandehur, këto dy muaj ti ke livadhisur. Sot akuzohesh se ke marrë pjesë në një organizatë kriminale, ke kryer aktin e diversionit kundër pushtetit popullor, në helmimin e lopëve të racës së kooperativës së Baldushkut në Tiranë. Në grup të organizuar.” “Fol i pandehur!”-më thanë pastaj. Sinqerisht, me vete kam thënë se këta janë të marrë të gjithë, por megjithatë thashë: “Unë jetoj në një vend që vështirë se dënohet njeriu kot. Atëherë, nëse kam marrë pjesë në një organizatë kriminale, duhet kjo organizatë të ketë edhe ca anëtarë të tjerë apo jo? Dhe vazhdoja të shpresoja se gjërat do ftilloheshin. Pastaj filloi seria e goditjeve.
…E çuditshme ishte, se më merrnin në hetuesi pikërisht në momentin që vinte ushqimi dhe doja të haja (natën). Ndërkohë që në njërën anë futej ushqimi, mua më merrnin e më çonin në hetuesi. Pastaj ngaqë kam ca nuhatje nga mjekësia, nuk e hëngra asnjëherë atë gjellën e flamosur që më sillnin. Edhe sot e kam në hundë erën e fortë të klorit. Ishte supë me presh të grirë, i cili kishte qëndruar tre vjet i ngrirë minimumi dhe ishte si kashtë, për silazh. Bile kishte edhe krimba brenda. Rezistova sa munda e nuk e hëngra. [E bënin qëllimisht] për t’i dhënë shqetësime sistemit nervor, mendoj. Që të mos mund të flije dhe pastaj të ishe i papërgjegjshëm për ato që thoshe, sepse me sa kuptohej, ata kërkonin të dëgjonin gjëra të paarsyeshme prej të burgosurve. Bile në burg, vuanin më shumë ata që nuk kishin kryer krime, të pafajshmit, sepse ata që kishin kryer, tregonin të vërtetën, merrnin dënimin e shkonin në punën e tyre. Edhe e keqja më e madhe ishte se ishin pikërisht të pafajshmit që merrnin dënime kapitale.
Kur u ktheva në qeli, i thashë Jamarbërit, se po më akuzonin për gjëra të pabëra dhe ai më tha: “Dëgjo, a nuk të thashë që në fillim se po u fute këtu, nuk del më?”.
Megjithatë, më thirrën përsëri lart në hetuesi. Kishte ardhur drejtori apo nën-drejtori i Drejtorisë së Tiranës Kadri Ismailati. Unë e kam quajtur përbindësh. Ishte një burrë me dhëmbë të parmë të mëdhenj, me ca flokë tip biond dhe me njërën dorë me ekzemë. “Fol i pandehur, se i dimë të gjitha! Po ne duam të shohim se sa i saktë je në rrëfim.”-më tha. “Dëgjo drejtor, i thashë, po më dënoni kot”. Dhe përgjigjja e tij qe saktësisht e tillë: “Po ne kot po të dënojmë, se po të kesh bërë gjë, ne të japim plumbin ballit e të heqim qafe”. “Dmth…?”- e pyeta. Dhe si përgjigje, hëngra ca shkelma e grushte si fillim, pastaj më kthyen prapë në qeli. I thashë Jamarbërit se çfarë më kishte ndodhur dhe i shpreha habinë: “Dmth, këta vërtet do më dënojnë!” “Po akoma nuk e ke marrë vesh ti?!”- m’u përgjigj.
Vazhdoi hetuesia, por Dilaver Bengasin, hetuesin tim, nuk e pashë më. Me sa duket gjithë grupit iu ndërruan hetuesit. Mua më caktuan Dino Lelin, që më vonë pastaj pati edhe vetë një fund tragjik. Më ka trajtuar në një mënyrë nga më mizoret e mundshme, ku ai edhe të tjerët ishin mjaft të vetëdijshëm se e gjitha qe një montim i fëlliqur dhe ndryshimi i hetuesve korrespondoi me datat kur u lirua veterineri dhe zooveterineri. Pse u liruan, kur çelësi ishin pikërisht këta dy persona? Sepse zooveterineri që ishte përgjegjës sektori dhe veterineri, kishin pohuar se gruri kishte ardhur nga magazinat e Mustafa Koçit, por nuk ishte përdorur te lopët. Ky grurë, sipas tyre, kishte kaluar te pularia, se pularia ishte ndryshe.
E vërteta ishte se gruri na paskësh qenë grurë i trioruar, grurë fare, që triorohet me granason, një kimikat për mos ta ngrënë mizat se po e prekën mizat nuk mbin më. Meqenëse u mbollën tokat, sepse në atë kohë tokat mbilleshin në nëntor, pjesën që kishte mbetur në magazinë ia kaluan blegtorisë. Prandaj unë them se lopët e Baldushkut u helmuan me grurë; por jo se kishte ndonjë grup armiqësor. Dhe në analizat që u bënë, ka rezultuar që origjina e helmimit të lopëve ishte mykologjike. Nuk ishte helm, por granason. Dhe këtë e vërteton katërcipërisht fakti që mishi i lopëve “të helmuara”, u konsumua i gjithi. Ne, më vonë, pas procesit gjyqësor, e morëm vesh që mishi ishte konsumuar i gjithi, bile edhe se sa lekë ishin nxjerrë me atë mish. Por po të ishte intoksikacion i bërë me qëllim me preparate të tilla, atëherë mishi duhej të groposej. Pra shteti bëri dy gjëra: konsumoi mishin, mori paratë dhe fabrikoi një grup sabotatorësh…
Hetuesia
Unë isha djalë i ri, shumë i ri. Po të them këtë: edhe në banjo nuk i kryeja më nevojat si njeri, sepse muskulatura e këmbëve nuk ishte njëlloj si më parë. Këmbët ishin fryrë; nuk i thyeja dot gjunjët. Kishte raste që më binte të fikët dhe unë e ndjeja kur po më binte të fikët se më dhimbte sipër në kokë. Dhe të fiktit e quaja shpëtim sepse hetuesi nuk do të vazhdonte më. Pastaj vetëm kur e gjeja veten të lagur në qeli; se si kisha ardhur deri atje dhe se çfarë kishte ndodhur, nuk e dija. Por kjo nuk ndodhte një herë, por edhe dy, tri herë në ditë. Vazhduan këtë metodë…
Me grushte, me shqelma, me majën e këpucëve. Hetuesit mbanin veshur ca këpucë ushtarake me hekura me majë dhe nga gjuri e poshtë, i kisha këmbët gjak i gjithi, me shenjat e goditjeve me majën e këpucës. Hekurat gjermane nuk t’i hiqnin gjatë hetuesisë; hekurat t’i shtrëngonin aq sa mishi kapërcente hekurat në të dyja anët e prangave. Ishte dimër dhe hetuesi i shtrëngonte vidat e hekurave me cepin e kapotës se i dhimbnin duart. Dhe çfarë bënte: hekurat kishin një si bisht dhe ai luante bishtin sepse ky gjest të shkaktonte dhe më shumë dhimbje.
Hetuesit më mizorë
Unë po them Dilaver Bengasi, Dino Leli. Por për fatin tim të mirë, pati një pauzë. Pasi u largua Dino Leli më erdhi një hetues që quhej Fahri Kraja, ish-kryetar Dege në Burrel siç e mësova më vonë. Ai hetues ishte, dhe derrat kanë të gjithë një turi, por ky të paktën, nuk më ka prekur asnjëherë me dorë. Më ka bërë presion psikologjik, që do ta quaja diçka normale në ato rrethana.
Diku rreth muajit të gjashtë në hetuesi, sollën një hetues tjetër, që ishte një goxha djalë. Bujar Jezenxhiu, për të cilin më vonë mësova se ishte nga Devolli i Korçës…Ai do ta pësonte edhe vetë më pas. Kam dëgjuar se ka përfunduar keq dhe arsyeja qe se dinte shumë gjëra, prandaj e eliminuan.
…Ai doli nga qyrku i hetuesit, duke njohur edhe çështjen që ishte një çështje e stisur prej Sigurimit të Shtetit. Ndërkohë kishin arrestuar edhe gjashtë të tjerë gjë që unë në atë moment nuk e dija, kur dy përgjegjësit kryesorë u liruan. Madje njëri u bë edhe deputet në Kuvendin Popullor, sepse i kishte shërbyer mirë regjimit kurse tjetri u kthye në vendin e tij të punës sikur nuk kishte ndodhur asgjë.
Pas tij, vazhdova me Fahri Krajën, gati duke mbushur 10-11 muaj. Pastaj, hetuesit e tjerë të ardhur, i hoqën prej nesh dhe u rikthyen në bazë hetuesit e parë, këta që kishin bërë arrestimin. Siç dukej, jo të gjithë e mbajtën dot dopjo gjashtën. Sepse do të vriteshin njerëz…
Ata nuk vazhdonin dot punën që të na bënin të flisnim. Këtu futet edhe Kraja. Po, po. Bile për mendimin tim Kraja është tërhequr se e njihte mirë çështjen dhe po hetonte një njeri që nuk kishte të bënte aspak me mua.
Pra, u khye Dilaver Bengasi në bazë. Folloi cikli i hetimeve nga e para.
Torturat
…Erdhi një moment dhe tortura arriti kulmin. Nuk kisha rezistencë më. Isha gati duke u çmendur.
Unë e humba gradualisht nocionin e kohës. Muajt jo e jo, por as se çfarë dite ishte nuk ia kisha idenë më. Për fatin tim të mirë, unë e mora vesh që ishim në mars prej plepave: në burgun 313 ka pasur disa plepa të gjatë dhe kur dilja në ajrosje, shihja plepat dhe mendoja se duhej të ishte mars. Kurse për të parë veten, mbusha një kovë me ujë në banjo dhe e lashë ujin të qetësohej pak për ta përdorur si pasqyrë. Pashë se isha bërë gjysmë njeriu; aq i dobët, sikur të ishte dikush tjetër. Shihja të tjerët në birucë dhe qetësohesha disi sepse ishim të gjithë njëlloj. Por ka pasur edhe të tjerë që trajtoheshin më mirë, pra edhe atje kishte diferencim në trajtim.
Në qeli sillnin njerëz që të të shqetësonin, me qëllim që të të shpëtonte ndonjë fjalë. Pra, që të ishe i mbikëqyrur 24 orë rresht…
Nuk mbaj mend të jem larë katër apo pesë herë gjithsej brenda një viti, sepse me ujë të ftohtë as që vihej në diskutim. Por tortura më e madhe ishte se në birucë të jepnin një pagure njëlitroshe për urinën për dy persona, për gjithë ditën. Mirëpo në birucë më filloi dhimbja e barkut sepse kur nuk urinon rregullisht, të kthehet në torturë. Ne kemi sfiduar edhe natyrën, shkencën, sepse nuk mund të rezistojë një organ njeriu në këto kushte, kur unë për një vit rresht nuk urinoja normal. Vetëm dhimbje kisha. Ishim mbyllur me çelësa. Mirë gjithë kjo torturë, por kur të shkoje në hetuesi, të hidhej drejtori i policisë në organet gjenitale…Me duar. Me dhunë. Pra, dhunë edhe në atë pjesë të trupit që ishte një pikë e ndjeshme nevralgjike, aq sa humba refleksin e urinimit. Kadri Ismailati ka qenë njëri prej tyre dhe e ka bërë disa herë. Disa të burgosur më kanë treguar se i tillë ka qenë edhe i vëllai i Beqir Ballukut, Qemal Balluku…Tortura të tilla. Unë nuk duhet të ekzistoj me çfarë kam hequr. E donin se s’bën të pranoje atë që nuk kishe bërë.
Shënim: Marrë nga “Zërat e kujtesës” Vëllimi IV, me intervistues Agron Tufën dhe Luljeta Lleshanakun, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ISKK, Tiranë 2017
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.