Gjon Temali, intelektuali që ditën e fundit e kaloi si baba

0
385
blank

Më 19 shkurt 1951 në oborrin e Ambasadës Sovjetike plasi një dinamit që hyri në histori si bombë. Të nesërmen u arrestuan rreth 150 njerëz nga të cilët 22 u pushkatuan pas një jave. Gjon Temali kishte studiuar për farmaci në Itali. Ishte intelektual me ide të qarta demokratike. Filatelist dhe i apasionuar pas muzikës. Por ditën e fundit, para se të arrestohej, më shumë se gjithçka, e kaloi si baba. Historia e një prej të pushkatuarve pas hedhjes së dinamitit në Ambasadën Sovjetike, treguar nga të bijat, Ida dhe Greta

Gjon Temali, që kishte studiuar fillimisht në Austri e më pas në Firence, me siguri e shijonte atmosferën elegante prej klubesh artistike dhe intelektuale që ende gjeje në disa kafene të Tiranës në fillim të viteve ’50.  Një intelektual si ai, kishte shumë për të ndarë në takimet dhe bisedat me miqtë, por atë pasdite shkurti, kur në Tiranë kishin nisur të çelnin lulet, kishte vendosur ta kalonte vetëm me të bijën.

blank
Gjon Temali

“Atë ditë të 20 shkurtit 1951, unë dhe baba dolëm me shëtitë…Të dy dorëpërdorë. Unë isha fëmija më i madh, në moshën 13 vjeç dhe baba, që më donte fort, mundohej të m’i plotësonte dëshirat. Ishte ditë e martë, mbasdite. U ulëm në kafe Kursal. Mandej, u nisëm për shtëpi që e kishim pranë kinema Nacional. Nga altoparlantët dëgjohej valsi i Shtrausit dhe unë e ndieja veten të lumtur...” kujton Ida Temali, në librin “Bombë në Ambasadën Sovjetike” të Uran Butkës. Ndoshta do të ishte hera e fundit që do të ndihej ashtu para dhjetëra viteve vuajtjesh që i prisnin që nga ajo mbrëmje. Por deri në atë çast ajo nuk dinte asgjë. Nxënëse në vitin e parë të Liceut Artistik për kanto, me një dhunti për muzikën të trashëguar po nga i ati, Ida kishte nisur të mendonte për koncertin e së nesërmes. Ndërsa Gjoni, teksa dëgjonte valsin e Shtrausit, me siguri ka menduar për kohën e kaluar në Austri, kur kishte moshën e së bijës. Shkodrani, kishte kryer atje shkollën e mesme dhe më pas kishte studiuar dhe ishte diplomuar për Farmaci në Firence. Më pas ishte kthyer në Shqipëri, ku ishte martuar dhe i kishin lindur katër vajza. Jetonte me gruan e tij mësuese, me të bijat dhe nënën 96-vjeçare në Tiranë dhe spikaste jo vetëm si një profesionist i diplomuar në Perëndim, por dhe për shpirtin me ndjeshmëri muzikore, për pasionin për filatelinë, për idetë demokratike properëndimore. Tipi i intelektualit, me shumë interesa e dhunti që nuk mund të heshtë para padrejtësive të pushtetit. Tipi i intelektualit, ku regjimi komunist shihte me të drejtë kundërshtarët e tij, të cilët kishte vendosur t’i zhdukte, edhe pse rrezikshmërinë e tyre, më shumë sesa provat e përcaktonin paranojat e udhëheqësve. Një fushatë e tillë ishte vendosur të merrej shkurtin e vitit 1951, kur u formuan lista me personat që duheshin arrestuar, ku më pas u vendosën kryqe te ata që duheshin pushkatuar. Në këto lista ishte dhe emri i farmacistit, Gjon Temali. Një ditë pas hedhjes së dinamitit në oborrin e pasmë të Legatës Sovjetike, këto lista ishin gati dhe në mbledhjen e mbyllur të Byrosë Politike, Mehmet Shehu propozon konkretizimin e planit të arrestimeve që atë mbrëmje, siç edhe ndodhi, ndërkohë që Gjon Temali shëtiste në Tiranë me vajzën përdore dhe më pas ktheheshin në shtëpi. Idës i janë ngulur mirë në mendje ato orë.  Atë mbrëmje, ndryshe nga herët e tjera kur ajo hante më herët me tri motrat më të vogla, i kërkoi babait të qëndronte më vonë dhe kishte darkuar me të rriturit.  “Sikur tamam darka e fundit paska qenë dhe ajo ashtu doli, darka e fundit”, thotë Ida edhe në programin “Histori me zhurmues” të Pandi Laços në Tv Klan, në vitin 2009, në pjesën kushtuar ngjarjes së bombës në ambasadën sovjetike.

Më pas, në mesnatë, ishin zgjuar nga policët që kishin mbushur oborrin, disa prej të cilëve goditën fort portën dhe u gjendën brenda, pa pritur t’ua hapte kush. Kishin kërkuar Gjon Temalin. Kishin thënë që kishin vetëm një pyetje dhe do ta sillnin përsëri, por nëna, gruaja dhe katër vajzat nuk e panë më që nga ajo natë. Para se të largoheshin, policët kontrolluan shtëpinë dhe më pas i zbritën të gjashta në katin e poshtëm, duke i mbyllur me dryn dyert e katit të sipërm. Kaloi një javë pa asnjë lajm nga Gjon Temali, ndërsa një oficer rrinte te dera ditë-natë. Pas një jave, kur Ida kthehet nga shkolla gjen në oborr nënën me një burrë të veshur me pardesy gri, mbi një kostum gri. Ishte oficeri i Sigurimit Angji Lubonja. “Pyes nënën nëse ishte kthyer babai dhe ajo më tregon se e kanë pushkatuar. Aty kam bërtit sa kam pas fuqi dhe më ka rënë të fikët dhe kur më ka dalë e kam parë veten në bodrum”, ka treguar Ida në “Histori me zhurmues” dhe në librin “Bombë në Ambasadën Sovjetike”.

blank
Vajza e madhe e Gjon Temalit, Ida

Siç shkruan studiuesi Uran Butka në këtë libër, Gjon Temali është i vetmi nga 22 të pushkatuarit që u arrestuan pas asaj ngjarjeje, të cilit iu bë një farë hetuesie.  Dokumentet e këtij procesi, janë të pavleshme nga ana ligjore sepse nuk janë firmosur as nga hetuesit dhe as nga i arrestuari, por vlejnë për të treguar palëkundshmërinë e intelektualit në qëndrimet antikomuniste edhe në kushtet e presionit në të cilat ndodhej, gjithmonë nëse ato fjalë nuk janë thënë nën presion. “Unë së bashku me rrethin tim shoqëror kam biseduar kundër pushtetit, duke komentuar rreth gjendjes ekonomike me doktor Erebarën, Koço Papadhopullin, profesor Kolë Alimëhillin, Filip Konon...Ne kemi konstatuar se në një situatë të tillë që jetojmë, patjetër që do të ndryshonte se anglo-amerikanët nuk do ta linin gjendjen kështu, por do të ndërhynin dhe pushteti popullor do të rrëzohej, dhe do të vinin në fuqi njerëzit e Komitetit “Shqipëria e lirë”...”, thuhet në procesverbalin e hetuesisë së datës 25 shkurt 1951, pjesë nga i cili janë publikuar në “Bombë në Ambasadën Sovjetike”. Ai akuzohej për propagandë kundër pushtetit dhe që të bijat kishin shpërndarë trakte.

Të nesërmen, farmacisti së bashku me 21 intelektualë dhe tregtarë të pasur të Tiranës, u nisën brenda një makine, drejt vendit të pushkatimit, pranë fshatit Mënik të Tiranës.

Ndërsa pas tri ditësh, një tjetër makinë e mbushur me ofshama dëshpërimi, nisej nga Tirana drejt vendit të internimit. Ishin familjet e të pushkatuarve. “Ishin fëmijët e Gafur Jegenit, Haki Kodrës, Tofik Shehit dhe Zyhdi Herrit, tri plaka, nënat tona, me djepa të ngarkuar.  Lulëzim Kodra, tetë muajsh, i lidhur në djep bërtiste sa mundte”, kujton Ida. Ajo ishte me tri motrat, nënën dhe gjyshen. Makina ruhej nga oficerë me automatikë. Gjatë rrugës, thuajse si në çdo shpërngulje të internuarish, rigonte shi. Të gjitha familjet në atë makinë, kishin humbur shtyllën e shtëpisë, nuk e dinin ku i kishin lënë trupat e tyre, nuk dinin as ku do të shkonin. Më në fund, mbërritën në Vlorë. Familjet i lanë një natë në një ofiçinë të Degës së Brendshme dhe të nesërmen pas një parade demostruese në rrugët kryesore të qytetit, i çuan  në një dyqan të zbrazur, të nxirë me pluhur qymyri, ku jetuan për disa muaj prej mëshirës dhe guximit të atyre banorëve që u sillnin ushqim dhe veshje. Më vonë, i çuan në kodrat e Toplanës, ku qëndruan për gjashtë vjet, gjatë të cilave bënë punët më të rënda që mund të imagjinohen. “Na kanë çuar të punonim në NSHN. Edhe fëmijët. Motra 12 vjeçe me kazmë. Më i gjatë bishti i kazmës sesa motra. Kemi punuar në fabrikë të tullave. Me këmbë në baltë deri në gju, në jalli të Nartës, balta është bërë me këmbë. Lyheshim me baltë për të mos na djegur dielli. Mushkonjat na hynin në sy. Kemi mbledhur ullinj, kemi punuar në kripore. Punët më të vështira kemi bërë. Kur kishim bukë me sheqer ishte luks. E merrnin nënat tona babanacen, e thërmonin në një tepsi, i hidhnim pak sheqer sipër dhe shkonim ne hanim. Kështu kemi jetuar 6 vjet”, tregojnë motrat Ida dhe Greta Temali në emisionin “Histori me zhurmues”. Më pas, u shpërngulën në qytetin e tyre të origjinës, Shkodër. Kanë jetuar në bodrumin e shtëpisë dhe kanë vazhduar të bëjnë të vetmet punë në dispozicion për to, ato më të mundimshmet. Duke qenë që në ato vite duheshin mësues për t’u dërguar në fshatra të thella, të rinjtë e klasave armike, lejoheshin të vazhdonin Shkollën Pedagogjike dhe Ida u regjistrua në këtë shkollë dhe doli mësuese pas disa vitesh, por punoi shumë pak. Me t’u siguruar kuadri me mësues të rinj, të klasave të paprekura, bijtë e armiqve u hoqën nga puna. “Më hoqën mua, hoqën Filip Guraziun dhe na çuan prapë në ndërmarrje, në punë krahu”, tregon Ida.

“Ajo bombë nuk ra në Ambasadën Sovjetike. Ra në shtëpinë tonë dhe na shkatërroi jetën, prindërve tanë, ne, fëmijëve tanë, tre breza”, thotë Greta Temali.

Ajo bombë ra pikërisht për të shkatërruar jetët, familjet, të ardhmen e kundërshtarëve të sistemit. Do të ndodhte patjetër diçka që Partia ta realizonte këtë qëllim. Pas asaj dite, në Tiranë do të kishte më pak intelektualë dhe njerëz me ndikim që mendonin ndryshe, më pak shprehje idesh në kafenetë me stil evropian. Udhëheqësit komunistë do të ishin më të qetë. Me sa kuptohet, të pushkatuarit e pafajshëm, nuk rëndonin në ndërgjegjen e tyre. Nëse e kishin një të tillë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here