Giovannina Cezari, bolonjezja e bukur që vuajti diktaturën komuniste për 45 vjet

0
253
blank

Historia e studentit shqiptar që dashuroi vajzën italiane dhe e solli në Shqipëri për të kaluar bashkë një kalvar të rëndë vuajtjesh e sfidash për mbijetesë. Historia vjen përmes rrëfimit të jashtëzakonshëm të Gjergj Merlikës, biri i Asllan Merlikës e Giovannina Cezarit.

Nga Luljeta Progni

Ora 22:00 e datës 30 tetor 1975. Korça ish mbuluar në errësirë. Heshtja e natës u trazua nga zhurma e një kamioni që kaloi nëpër lagjen pranë Metropolisë dhe u ndal përpara derës së një pallati në rrugën Sotir Peçi. Oficeri i Sigurimit të Shtetit zbriti nga kamioni, pas tij, tre të tjerë. Ngjitën me hap të rëndë e të zhurmshëm shkallët. Trokitja e fortë e derës u dëgjua në gjithë pallatin. Gjergji hapi derën i çuditur dhe u përballl me prepotencën e oficerit të sigurimit i cili i lexoi menjëherë vendimin: Në emër të popullit jeni të internuar! Bëni gati plaçkat, për t’i hedhur në kamion.

Gjergji mbeti pak sekonda pa fjalë, ktheu kokën dhe pa sytë e trishtuar të të atit që shtrihej në cepin e divanit gjysmë i paralizuar. Mes dyerve, në korridor, nëna Gjana qëndronte e ngrirë në këmbë. Nga dhoma tjetër dëgjohej e qara e bebes. Nuk patën kohë të flasin e as të dëshpërohen sepse duhet t'ia nisnin menjëherë nga puna për të mbledhur rrobat e orenditë që mund të merrnin me vete. Në heshtje dhe me dhimbje, Gjergji, bashkëshortja e tij Pranvera dhe nëna Gjana, filluan të transportonin orenditë dhe rrobat, një e nga një, drejt kamionit që priste poshtë. Pasi morën ç’mundën, në fund, Gjergji mori të atin e tij të paralizuar, e vendosi me kujdes në një cep të kamionit, mbi disa rroba të mbledhura. Pranvera me beben njëmuajshe në krah, u ul pranë vjehrrit të saj, ndërsa Gjana, me plaçkat e fundit në dorë, u ul në anën tjetër. Gjergji, me një thes thuajse të mbushur në duar, u ngjit për të fundit herë mbi karroceri, duke e mbajtur atë me një kujdes të veçantë.

blank

Policët mbyllën spondat dhe kamioni u nis. Kishte hyrë e premtja e 31 tetorit kur kamioni kish lënë qytetin e  Korçës dhe ishte nisur drejt Maliqit për të ecur më pas në Gorë dhe për të mbërritur në Senishtë në mëngjes. Ndalesa ishte para një kasolle bagëtish, ku punëtorët e Sigurimit, me nxitim, shkarkuan plaçkat, i hodhën nëpër bajgat para kasolles. Oficeri iu kthye Gjergjit: "Kjo është banesa juaj në një afat të pacaktuar..." dhe kamioni u largua me shpejtësi.

Gjergji pa përreth, një grumbull rrobash të hedhura pa kujdes, një i moshuar i paralizuar, dhe bebja që qante në krahët e së ëmës. Nuk mund ta linte veten në mëshirë të dëshpërimit, iu bashkua e ëma Gjana dhe ia nisën punës për të kthyer atë stallë të braktisur në një vend që do ta quanin shtëpi. Pastrimi i ambientit mori shumë orë kohë. Më pas vendosja e orendive dhe rrobave. Thesi mbeti në mes të kasolles që kishte marrë në një farë mënyrë pamjen e një banese. Në një lartësi të vogël, për të shmangur lagështirën që ngjitej nga dyshemeja prej dheu, Gjergji ndërtoi një kafaz të improvizuar prej druri. Përdori degë pemësh që i preu në pyllin aty afër dhe i lidhi bashkë, për të krijuar një hapësirë të mjaftueshme ku do të vendoste thesin e tij të çmuar. Ky thes ishte pasuria më e rëndësishme e Gjergjit, një thesar që kishte mbijetuar kohëve të vështira dhe plot histori. Ai ruante aty letrat, fotografitë, kartolinat dhe artefaktet e një historie njerëzore të mbushur me ngjarje emocionuese, por edhe dramatike.

Historia nis në Krujë në vitin e largët 1918, kalon përmes Kalabrisë, Napolit, Bolonjës dhe kthehet në Shqipëri, duke përshkuar qytetet e Durrësit, Vlorës, Tiranës dhe Korçës, për të mbërritur në Senishte midis malesh. Për më shumë se 15 vite, thesi do të plotësohej me të tjera kujtime, histori mbijetese, por edhe humbjesh të mëdha. Ai thes mbante brenda historinë e prindërve të Gjergj Merlikës, doktor Asllan Merlikës dhe bolonjezes së bukur e fisnike Giovannina Çezari (Gjana). Gjergji e ruajti me shumë kujdes thesarin e prindërve të tij, derisa e ktheu në Bolonja, në stacionin më të bukur të jetës së Gjanës dhe Asllanit. Një histori e jashtëzakonshme dashurie, mbijetese dhe sakrificash, e rrëfyer nga biri i tyre Gjergj Merlika, përmes kujtimeve, letrave, kartolinave dhe artefakteve të ruajtura me shumë kujdes.

blank

Shënim: Kujto.al do të nisë së shpejti publikimin e historisë. Nis qysh në vitin 1918 kur Asllan Merlika në moshën 9-vjeçare do të niste udhëtimin e jetës së tij drejt Kalabrisë e për të vazhduar me të tjera institucione arsimore deri sa do të spikaste si një ndër studentët më të shkëlqyer të mjekësisë në universitetin e Bolonjas. Janë momente të rëndësishme të jetës së tij diplomimi dhe njohja me dashurinë e jetës së tij Giovannina Cezari-n.

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here