Frano Illia, kryeipeshkvi i dalë nga burgu komunist

0
197
blank

Jeta e pazakontë e Frano Illias, ipeshkvit të parë të Shkodrës pas komunizmit, të shuguruar nga Papa Gjon Pali II më 25 prill 1993, plot 25 vite nga data kur Gjykata e Shkodrës e kishte dënuar me vdekje. Pasi iu fal jeta dhe dënimi iu kthye në 25 vjet heqje lirie, ai kreu gati 20 vjet burg duke provuar tortura e mundime. Ndërkohë iu sekuestruan dorëshkrimet e studimeve dhe përkthimeve dhe një pjesë nuk iu kthye kurrë, ndërsa disa vepra me vlerë si “Kanuni i Skëndërbeut” panë dritën e botimit në vitet ’90. Drejtuesi i lartë fetar mbylli sytë më 22 tetor 1997, duke mbetur i paharruar për thjeshtësinë me të cilën sillej me besimtarët, faljen dhe ndihmesën që u dha atyre që kishin dëshmuar kundër tij, deri edhe për mbrojtjen e xhamisë së qytetit në vitin 1997.

Nga Kastriot Marku

 

Imzot Frano Illia, njëri prej prelatëve më të njohur të Kishës katolike shqiptare gjatë shekullit të shkuar, lindi në fshatin Juban të Nënshkodrës, më 21 shkurt 1918. Fëmijërinë e kaloi në vendlindje ku edhe mori mësimet e para. Duke qenë se daja i tij Dom Pjetër Dema, asokohe famullitar i Milotit, e donte fort, falë edhe faktit se kishte marrë një edukim fetar solit, i lindi thirrja meshtarake.

…Dom Pjetër Dema, e merr vesh dëshirën e të nipit, ndaj këshillon prindërit e tij, që edhe pse e kishin djalë të vetëm, i cili do të duhej të trashëgonte familjen, të mos e pengonin në zgjedhjen e tij.

… Studimet i nisi në Shkodër, fillimisht tek Kolegji Saverian i Etërve Jezuitë. Në vitin 1932, prindërit e tij shpërngulën nga Jubani në Shkodër, ku edhe marrin një shtëpi me qira. Franoja kreu klasën e katërt fillore duke gëzuar të qëndruarit në shtëpi së bashku me prindërit e tij punëtorë (babai si punëtor krahu dhe lulishtar, ndërsa nëna si endëse e pëlhurës), të cilët investuan gjithë mundin për fëmijën e tyre të vetëm, lindur mbas dy vajzave që kishin vdekur të njoma.

Më 4 nëntor 1932, Franoja nisi studimet në Seminarin Papnor të këtij qyteti… Këtu pati profesorë intelektualët më të njohur të qytetit të Shkodrës ndër të cilët edhe Dom Ndre Mjedën, si profesor të gjuhës shqipe, me këshillimin e të cilit në vitin 1935 mori emrin Frano.

Nga një artikull i revistës “La Civiltà Cattolica” përkthen një jetëshkrim mbi jetën e Maria Goretti-t, artikull të cilin fillimisht e boton tek revista “Kumbona e së Diellës”, e më pas si botim më vete, duke shënuar kështu fillimit e veprimimtarisë të tij përkthimore, letrare e studimore. Në vitin e pestë gjimnaz më 26 dhjetor 1936, eprorët e seminarit i kërkojnë dajës së tij Dom Pjetër Demës që ta merrte Franon në Milot për ta mbajtuar afër e nën kujdes, për shkak të disa problemeve shëndetwsore të dyshuara për turbekuloz.

Me kujdesin e dajës dhe në dakordësi me Arqipeshkvin e Durrësit, Dom Pjetri merr përsipër t’i japë privatisht mësime filozofie dhe më 20 tetor 1938 jep provimin para komisionit të përbërë nga Imzot Pjetër Gjura, At Pashko Gjadrit S.J, e Dom Anton Zogajt. Imzot Gjura ishte interesuar dhe kishte gjetur gjatë kësaj kohe një bursë studimi për në Kolegjin Bringole Sale Negroni në Genova (Collegio Brignole Sale Negroni), Seminar Ndërkombëtar i Etërve Lazaristë dhe në fund të vitit 1938, Franoja vendoset në Gjenova.

Ndërsa studionte në Genova, Shqipëria pushtohet nga pushtuesit italianë dhe ai së bashku me një grup studentësh shqiptarë e kundërshtuan këtë akt, gjë që bëhet shkak që ai të largohej si i padëshirueshëm...

I mbetur sërish pa mundur të studiojë rregullisht sipas thirrjes, kthehet në Shkodër... Vetëm pas kërkesës së përsëritur me ndërhyrjen e At Felice Chiesa dhe të dajës së tij, Imzot Leone Nigris bindet dhe lëshon lejen përkatëse për të ndjekur seminarin.

…Më 18 dhjetor 1943, mbasi kishte studiuar në shkolla të ndryshme fetare, duke kapërcyer pengesa të shumta shëndetsore dhe administrative u shugurua meshtar përmes duarve të Imzot Vinçenc Prennushit O.F.M, Kryeipeshkëv i Durrësit, në Kishën e Seminarit në Shkodër, që do të pasohet më pas me kremtimin e meshës së parë po në këtë qytet.

blank

Më 28 tetor 1944 në kulmin e luftës së Tiranës, emërohet nga Imzot Prennushi në cilësinë e zëvendësfamullitarit pranë famullisë së kryeqytetit ku asokohe famullitar ishte Dom Shtjefën Kurti. Më 4 maj 1945, përveçse si ndihmësfamullitar, emërohet mësues i besimit për gjashtëmbëdhjetë shkollat fillore të Tiranës. Po atë vit Imzot Prennushi e emëron famullitar në Shna Prende të Kurbinit.

Në verën e vitit 1947, organet qeveritare vendore të Krujës i sekuestruan të gjitha pasuritë e tundshme personale dhe ato të ish-seminarit të Shna Prendes (karrige, banka, tavolina, tufën e dhive, si dhe një orë muri të cilën ia kishte bërë dhuratë Dom Erbesto Çoba, kumbari i meshtarisë ditën e shugurimit e që komunistët e Krujës pasi e morën e vendosën në Komitetin e tyre në Krujë), duke ia vështirësuar jetesën vetë i pestë (përveç dy prindërve kishte në ngarkim edhe një rrogëtar dhe një person jetim me aftësi të kufizuara). Pas tetë vjetësh shërbim baritor në Shna Prende, në një territor gjeografik mjaft të hapur e të vështirë, në vitin vitin 1952, Imzot Pjetër Dema e emëron famullitar të Milotit. Miloti, Skuraj, Gallata e Delbnishti mbeten sërish vendbanimi i tij.

Gjatë kohës që ishte famullitar në Shna Prende dhe Milot, Dom Frano në shembullin e pararendësit të tij në Kurbin, At Shtjefën Gjeçovit O.F.M. nis mbledhjen e dokumentacionit historik të botuar dhe atij arkivor kryesisht nëpër regjistrat kishtarë që kishin shpëtuar si Status Animarum, por edhe në terren si copëza tregimesh historike, gojëdhëna, mikrotoponiminë (toponiminë e imtë) dhe etnoniminë, traditën zakonore juridike të zonës, me një fjalë ai mblodhi të gjithë pasurinë e kulturës tradicionale të krahinës së Kurbinit.

Punën më të madhe e kreu në mbledhjen e “Zakonit të Kurbinit”, të cilën e kreu me nxitjen e etnografit Rrok Zojzi, asokohe punonjës në Sektorin e Etnografisë, pranë Institutit të Kulturës Popullore në Tiranë, i cili e ftoi Dom Franon si bashkëpunëtor të jashtëm. Veprën në fjalë erdhi duke e zgjeruar dhe i dha titullin Kanuni i Skënderbeut, me mbi 700 faqe, të cilën pasi e përfundoi e dorëzoi pranë Institutit në fjalë. Vepra e shtypur u shumëfishua në shtatë kopje dhe u shqyrtua nga një komision ekspertësh të atij instituti i përbërë nga Ismet Elezi, Emil Tedeskini dhe Vangjel Meksi dhe bazuar në vërejtjet përkatëse u gjykua dhe u vlerësua për botim, gjë që nuk u realizua, por që nuk iu kthye as autorit mbasi ky i fundit u arrestua.

… Më 19 shkurt 1967, kremtoi meshën e fundit dhe 2 ditë më pas, të martën më 21 shkurt, atë ditë kur mbushte 49 vjeç, Dom Franoja pa me sy derdhjen e tërbimit komunist në kishën famullitare. Më në fund do t’i vinte radha edhe atij vetë. U arrestua të paraditën e së shtunës më 23 shtator të vitit të kobshëm 1967.

Pas 8 muajsh hetuesi, shoqëruar kjo me cinizëm, fyerje, përbuzje, rrahje e turtura nga më çnjerëzoret, më 1 prill 1968 dosja hetimor në ngarkim të Dom Frano Illisë Dom Zef Bicit, Dom Mark Hasit, Dom Mark Dushit At Gegë Lumës, Alfons Radovanit dhe Kol Marlacajt, nga prokurori i rrethit Shkodër Faik Minarolli, i përcillet për gjykim Gjykatës së Qarkut Shkodër.

Më 25 prill 1968, pas 4 ditësh gjykimi në Kishën e Motrave Stigmatine në Gjuhadol në Shkodër, në pretencën e prokurorit kërkohej kjo masë dënimi: “I pandehuri Frano Ilia, për krimin e tradhtisë ndaj atdheut, i kryer në formën e spiunazhit, në bazë të nenit 64-14 të Kodit Penal me vdekje me pushkatim; për krimin e agjitacionit dhe të propagandës kundër pushtetit popullor në bazë të nenit 73/1 e 14 të Kodit Penal me 10 vjet heqje lirie, duke bërë bashkimin e dënimeve, në bazë të nenit 48 të Kodit Penal, kërkoj dënimin e tij me vdekje me pushkatim, me konfiskim të pasurisë dhe me humbjen e të drejtave elektorale në bazë të nenit 27 të Kodit Penal për 5 vjet.”

Gjykata e Qarkut të Shkodrës e përbërë nga Nuri Resmja (kryetar), Marije Zef Gjoni (ndihmësgjygjtare) dhe Gjergj Mark Doda (ndihmësgjygjtar) e shpalli fajtor dhe nën aprovimin e duartrokitjeve të publikut në sallë dhe pjesës tjetër jashtë saj që e ndiqte me altoparlantë të vendosur enkas vendosi:

“Të pandehurin Frano Illia, për krimin e tradhtisë ndaj atdheut, ie dënon me vdekje me pushkatim, me konfiskim të pasurisë së tij e me heqjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë, për krimin e agjitacionit e propagandës e dënon me 10 vjet heqje të lirisë.

blank
Ne gjyq

Duke bërë bashkimin e dënimeve përfundimisht me vdekje pushkatim, me konfiskim të pasurisë dhe me heqjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.” Së bashku më të u dënuan me masat e dënimit përkatëse edhe Dom Zef Bici, Dom Mark Dushi, Dom Mark Hasi e të tjerët. Ndërsa dy të parët u ekzekutuan, Dom Frano dhe Dom Mark Hasi u dënuan me 25 vjet, ky i fundit vdiq në burg. Mjaft interes paraqesin shënimet e tij autobiografie, në të cilat janë përshkruar kujtimet plot dhimbje për shkak të dhunës dhe turturave fizike e shpirtërore të ushtruara mbi të përgjatë kalvarit.

Kur i sollën për të firmosur një kërkesën ankimore për falje të jetës, përpiluar nga zyra e ndihmës juridike ditën mbas, më 26 prill 1968, ku shkruhej se gjoja prifti jubanas në këmbim të saj mohonte fenë se gjoja kjo e kishte pajisur që në fëmijëri me një “edukim regresist” i cili i kishte “ushqyer konceptet reaksionare“, dom Franoja shkruan me stilolaps se “Përsa i përket besimit, jam besimtar, por me ndërgjegje të pastër do t’i shërbej Atdheut”, shlyen gjithçka në fjalinë që aprovonte mohimin e fesë prej tij, duke lënë vetëm rreshtin e fundit: Lypi mëshirë.

Edhe Gjykata e Lartë “Kolegji Penal“”e përbërë nga Aranit Çela, Hajri Shehu dhe Sybhi Dedei, pas marrjes në shqyrtim të çështjes penale nr. 65 në ngarkim të të pandeurve të përmendur në seancën e hapur të datës 6 maj 1968, vendosi lënien në fuqi të vendimit nr. 16, datë 25 prill 1968 të Gjykatës së Qarkut Shkodër. Dom Franoja do të deklaronte publikisht se “Edhe sikur të më premtojnë njëqind jetë, asnjenën nuk e due tue mohue fenë”.

Dihej që Dom Franoja kishte punuar përplot 22 vjet pandërprerë në gjurmimin e historisë shqiptare, etnologjisë, gjuhësisë e folkloristikës, posaçërisht në Kurbin, mu në zemrën e Arbnit, ndaj dorëshkrimet e tij praqisinin interes. Për këtë qëllim, më datën 18 tetor 1967, nga punonjësi i Arkivit të Shtetit Dhimitër Andoni, mbahet prosecverbali i marrjes (konfiskimit) të bibliotekës personale të Dom Frano Illisë.

blank

Dom Franoja, u lirua nga burgu më 12 prill 1986, mbas një falje të papritur.

blank
Te denuarit e moshuar qe vuanin denimin ne Zejmen ne mes te viteve '80. Ne rreth: Frano Illia. Publikuar nga studiuesi Kastriot Dervishi

Me të dalë nga burgu ai nisi fshehtas të ndajë sakramentet e shenjta; të rrëfejë, pagëzojë, lidhë në kurorë martese vajojë të sëmurë në Juban, Milot, Laç e fshatrat e Kurbinit dhe të gjitha këto i regjistronte me kujdes në fletoret e tij. Mbas meshës së parë publike të 4 nëntorit 1990, të udhëhequr prej Dom Simon Jubanit, më 11 nëntor 1990, Dom Frano Illia kremton meshën e parë në Juban dhe në shkurt 1991, kremton meshën e parë pas 24 vjetësh në Milot, në kishën e cila ishte kthyer në shtëpi kulture, e që të rinjtë e Milotit e hapën forcërisht për të celebruar Meshën e Shenjtë.

Gjatë vitit 1992, falë disa misionarëve të huaj shkoi në Itali për të kryer disa vizita mjekësore, sepse burgimi i gjatë i kishte lënë pasojat e tij. U ndal në Brescia i ftuar prej famullitarit të Beatro Palozzolo, Dom Michelangelo Braga.

blank

Aty, Dom Frano punoi pa pushim për të sistemuar një pjesë të materialeve të pabotuara dorëshkrimore, ndërkohë që më 24 dhjetor 1992, natën e Krishtlindjeve, Selia e Shenjtë e emëron Ipeshkëv, për t’u shuguruar nga vetë Papa Gjon Pali II (Karol Woytila) në vizitën apostolike historike të bërë në Shqipëri më 25 prill të vitit 1993, për rastësi pikërisht në ditën e përvjetorit të dënimit të tij me vdekje më 25 prill 1968. Më këtë rast Imzot Frano Illia emërohet Arqipeshkëv i Arqipeshkvisë Metropolitane të Shkodrës dhe Administrator Apostolik i Dioqezës së Lezhës, Sapës dhe Abacisë së Oroshit në Mirditë.

blank

Megjithëse në këtë pozicion të lartë, Imzot Frano Illia ruajti thjeshtësinë e nji prifti katundi të një famullie periferike. Ai rrethohej vazhdimisht në mënyrë mbresëlënëse prej dashurisë së popullit të thjeshtë, për të cilin punoi dhe e kultivoi gjithë jetën më mënyrën e tij krejt origjinale.

Imzot Franos i shkuan në zyrë madje edhe dëshmitarë që kishin dëshmuar kundër tij e sivëllezërve të tij, e ai do të pohonte qetësisht thuajse në mënyrë proverbiale: “T’lum ju që na s’jena si ju hakmarrës, se po të ishim si ju nuk do të ishit gjallë sot”. Tonin Alia pohon se dëshmitari i sipërthënë kishte ardhur për t’i kërkuar ndihmë për kurim, Imzot Franos për fëmijën e djalit, dhe Imzot Franoja bëri çmos që të ndërmjetësonte përmes bamirësve të huaj që fëmija të dërgohej për kurim jashtë vendit. Më 27 nëntor 1995 merr titullin “Profesor” nga Komisioni i Kualifikimit Shkencor, ndërsa bashkia e qytetit të Shkodrës pak kohë para se të ndërronte jetë i dha titullin “Qytetar Nderi i Shkodrës”.

Dom Frano Illia sikurse paraardhësit e tij Imzot Lazër Mjeda, Imzot Luigj Bumçi, Imzot Vinçenc Prennushi, la pas vetes shembullin e meshtarit bashkëpunues, punëtor i paqes dhe i dialogut, që predikoi dhe faktoi me vepra vëllazërinë e sinqertë dhe ruajtjen e bashkëjetesës mes bashkësive fetare në Shkodër e në të gjithë Shqipërinë. Shembulli më i mirë për këtë ishte organizimi me nismën e tij personale të mbrojtjes së ndërtesave të kultit të qytetit verior të Shkodrës në vitin 1997, duke ftuar përfaqësuesit e bashkësisë islame të ruanin Kishat e duke nisur meshtarët e vet në mbrojtje të xhamive të qytetit. Tregon Tonin Alia, sekretari i tij në vitet 1993-1997. “Në kohën e çmendurisë së vitit 1997, kur i gjithë vendi e Shkodra shkrumonte prej flakëve, edhe pse nuk kishte shtet, kishte ende ish-sigurimsa.

Aty rreth orës shtatë të darkes, u hap fjala se duen me “hedhë në erë xhaminë”, një pretekst që kërkonte me fut vllavrasjen në ato ditë të liga. Imzot Franoja më thirri aty nga ora 9 e darkës e me thotë “ …shko e merr makinën se unë e dom Michelangelo do t’shkojmë te xhamia e do të flejmë atje. Ata që dojnë me hedhë në erë xhaminë kanë me më hedhe në ere edhe mue” E kështu u bà. Shkuam me Imzot Franon tek xhamia e qëndruem aty deri mbas mjesnate. Prania e tij aty ishte domethanëse ç’ka la me kuptue se katolikët ishin të gatshëm me mbrojtë me jetën e tyre shtëpinë e vllaznëve të tyne muhamedanë.” Kjo ishte dhe mbetet ende edhe sot një nga ngjarjet më të veçanta të historisë së shkuar dhe asaj moderne të kombit shqiptar.

blank

Imzot Frano Illia kaloi në amshim në krahët e Tonin Alisë (sekretari i dytë) ditën e mërkurë më datën 22 tetor 1997.

Mons. Frano para së gjithash ishte meshtar i vlertë dhe po aq i tillë edhe si njeri kulture, historian, filolog, etnograf, arkeolog, poet, prozator, përkthyes etj. Këtë e dëshmon vepra e tij e botuar dhe ajo e lënë në dorëshkrim e papërfunduar.

Marrë me shkurtime nga dossier-i i Kastriot Markut, “Imzot Frano Illia, njeriu që i kushtoi jetën kishës, kombit dhe kulturës”, botuar te shqiptarja.com

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here