Fjalët e fundit të Vilson Blloshmit para se ta merrnin për ta pushkatuar....

0
4060
blank

‘Rustem, - më thotë me atë zërin e tij burrëror, - ma bëj hallall, më ke shërbyer kaq ditë. Do të lë një amanet, se ti do dalësh më shpejt nga burgu se Bedriu. Ti e pe gjyqin si u bë e, si vajti. Unë s`kam pranuar asgjë pasi nuk bëra asnjë krim. Thuaju në shtëpi se nuk i turpërova. Diana me gocën të shikojnë punën e tyre. Ky qe fati im. Nuk e zgjodha unë. Lamtumirë Rustem’. Unë shtanga i mbërthyer pas murit. Ikën. Kërciti përsëri dera e jashtme....

Nga Bedri Blloshmi

18 Korrik 1977.
Mbas të fiktit, i hapa sytë me shumë vështirësi, më dhimbte gjithë trupi; koka sa nuk po më pëlciste, kyçet e duarve dhe të këmbëve nuk i ndjeja. Në birucën që më kishin çuar, për të mos dëgjuar për të fundit herë zërin e dy të dënuarve, Rustem Dashi po më rrinte tek koka i shqetësuar. Jemi nga i njëjti fshat dhe të dënuar bashkë. Lëviza me zor dhe munda të mbështetesha në mur. E dija se, Rustemi kishte qenë në birucë në 30 ditët e fundit me Vilsonin. Isha i shqetësuar të dija se çfarë amaneti mund të kishte lënë Vilsoni dhe çfarë ka përjetuar në momentet e fundit kur erdhën ta merrnin. Nuk prita dot derisa e takova Rustemin. Ai u përlot. “Bedri, të rrish shtrirë 35 ditë lidhur kokë e këmbë është shumë e vështirë. Trupi të bëhet plagë, duart më keq; nga era e rëndë e helmetës në kokë, trullosesh. Djersa i rridhte mbi plagë, prej vapës përvëlonjëse. Dorën e majtë e kishte gati të nxirë nga prangat, qysh prej hetuesisë në Tiranë. Kërkonin ta dërgonin në Belgjikë me mision te daja juaj. Këtë më tha. Disa herë, kishte ardhur vetë Kadri Hazbiu në birucë, por Vilsoni nuk pranoi asnjëherë.”
“Rustem, këto i di se kam folur në mur me Vilsonin dhe Gencin; unë dua çastet e fundit, kur e morën nga biruca.” Rustemi më tregoi: “Atë natë nuk hëngri edhe pse iu luta, pasi i kishte ardhur ushqim nga familja. Ha pak Vili nga dora e mamasë tënde e mos u mërzit, s`dihet çfarë ka vendosur Zoti, - i thashë. Ai ma preu jo, më tha se do të hante më vonë. Dhe kështu, e ktheva me kurriz nga dera. Rrinte i heshtur, i mpirë. Pas ca orësh u dëgjua fishkëllima e hekurave të derës së korridorit. Unë kisha filluar të dremitja por sa i dëgjova që erdhën, brofa në këmbë. Korridori zhurmonte nga hapat e tyre; në fillim hapën derën e Gencit. U dëgjua zhurma e prangave. Mendova se i kishte ardhur falja dhe po e zgjidhnin. U mbyll biruca e tij e, u hap dera përballë. Aty vetëm heshtje; as fjalë, as lëvizje, asgjë! Pas pak hapat u drejtuan nga ne, hapet biruca jonë dhe me vete u binda se erdhi falja. Tek dera doli shefi i hetuesisë, Selimi. Brenda u futën dy policë. Kryetari i Degës, Merdar Hasa nuk hyri, qëndroi në korridor, i shoqëruar nga disa civilë. U ngrita në këmbë dhe u tërhoqa pas murit. “Zgjoje”, më thërret polici. “Nuk po fle”, i thashë unë. Atëhere foli Vilsoni. “Rustem, më kthe pak. E mora vesh pse kanë ardhur, sot mbushen 35 ditë, dhe kështu sot më mbarojnë torturat së qëndruari shtrirë i prangosur kokë e këmbë”. Axhemi (përgjegjësi i policëve) me çelës në dorë, ia hoqi prangat e këmbëve, ia hoqi dhe zinxhirin që bashkonte këmbët me duart. E ngritën në këmbë, i vendosën një litar tek prangat e duarve dhe ia kaluan rreth trupit. Unë vetëm dridhesha. Cepin tjetër të litarit e mbante dikush tjetër. “Hajde”, thirri një nga ata. I mora xhaketën dhe ia hodha krahëve. Vilsoni bëri një gjysëm hapi, u ndal e, u kthye nga unë: ‘Rustem, - më thotë me atë zërin e tij burrëror, - ma bëj hallall, më ke shërbyer kaq ditë. Do të lë një amanet, se ti do dalësh më shpejt nga burgu se Bedriu. Ti e pe gjyqin si u bë e, si vajti. Unë s`kam pranuar asgjë pasi nuk bëra asnjë krim. Thuaju në shtëpi se nuk i turpërova. Diana me gocën të shikojnë punën e tyre. Ky qe fati im. Nuk e zgjodha unë. Lamtumirë Rustem’. Unë shtanga i mbërthyer pas murit. Ikën. Kërciti përsëri dera e jashtme ndërsa veshët e mi gumëzhinin papushim: ‘Rustem ma bëj hallall...thuaju....që nuk i kam turpëruar... Diana të shohë punën e saj... me vajzën... që s`e kishte parë me sy. Kishin kaluar ca kohë me këto zëra në vesh, kur papritur hapet biruca për të marrë mëngjesin. Nuk më hahej. I lutem policit që të më largonte nga ajo birucë, nuk rrija dot më. Më nxorrën duke lënë pas Vilsonin me fjalët e tij, batanijen dhe tasin e supës në cep të birucës.” Me njerën dorë Rustemi mbante cigaren e me tjetrën fshinte lotët që i rridhnin mbi faqe; dhe, unë, që e dëgjoja, kisha dalldisur fare nga kjo botë. Rustemi më tregoi se kishte qenë 5 ditë në birucë me Gencin. Ishte i llahtarisur ngase nuk kishte parë asnjëherë një njeri të lidhur kokë e këmbë ashtu si Gencin. “Edhe pse ishte i tronditur, Gencit i thashë: ‘çfarë the ashtu në gjyq, pse e bëre këtë?’ Ai ishte i lotuar dhe nuk më ktheu asnjë përgjigje. Kërkoi nja dy a tri herë rojes t’i sillnin shefin e hetuesisë, Selim Cakën, por ai nuk u duk asnjëherë. Këto fjalë m’i tha me lot në sy.”

Kujtimet e mësipërme të Bedri Blloshmit, janë shkëputur nga libri "Dosja formulare 5094", në proces botimi nga ISKK.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here