Enver Lufi, vrasja e pabesë e atdhetarit fisnik të Burgajetit

0
318
blank

Enver Lufi, djali fisnik që shpëtoi më shumë sesa një herë njerëz, me ndërhyrjet e tij.  Ushtaraku i përgatitur në akademitë e huaja, që luftoi pa reshtur kundër pushtuesve duke dhënë  ndihmën e tij në çlirimin e Shqipërisë, por u vra në pabesi, nga partizanët, sapo mbaroi lufta. Një hero i harruar, historinë e të cilit e ka shkruar për kujto.al, Xhavit Gasa, që është rritur me bisedat për të

Nga Xhavit Gasa

Me emrin e Enver Lufit pothuajse jam rritur që fëmijë sepse nuk mungonte ky emër në çdo bisedë të babait tim, Elmaz Gasa! Sigurisht kryefjala ishte babai i tij, Sali Lufi që im atë e përmendte me respekt! Sali Lufi ishte adjutant i Zogut. Ishte një burrë shumë i zgjuar, besnik dhe patriot dhe ka ndihmuar shumë njerëz nga gjithë Shqipëria kur punonte te oborri mbretëror.

Im atë ishte bashkëmoshatar me një nga djemtë e Saliut, Aliun, i cili kishte zgjuarsi të rrallë natyrale, djali tjetër, Tafa ishte trim e punëtor, ndërsa Enveri ishte më i riu dhe më i kompletuari me shkollë dhe dije. Ai, na thoshte im atë, ishte njeri me shpirt te madh human!

Kur autokolona gjermane po tërhiqej drejt Jugosllavisë dhe po kalonte nga Lisi në Vig, partizanët e qëlluan. Gjermanët u kthyen në Lis, morën pleq, plaka, gra, fëmijë, çfarë gjetën dhe i futën në xhami për t’i djegur. Enver Lufi e mori vesh, iku me vrap në Lis, iu tha gjermanëve se nuk ka komunistë këtu, komunistët kanë ikur nëpër male dhe i shpëtoi lisdanët!

Enver Lufi kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Itali dhe ishte kthyer në Shqipëri për të shërbyer në atdheun e tij, ku punoi në zonën e Matit si oficer. Me pushtimin e Shqipërisë, u arrestua nga fashistët italianë sepse ishte aktivistë me forcat nacionalçlirimtare (zogistët) që më vonë nga komunistet u quajtën tradhtarë. Kujtojmë që në fillim, forcat nacionalçlirimtare nuk ishin vetëm komuniste, sidoqoftë Enver Lufi bashkëpunoi si me gjithë forcat që luftonin për lirinë e atdheut. U arrestua nga italianët si aktivist dhe bashkëpuntor kundër fashistëve italianë dhe u u internua në Itali, në Siçili dhe Bergamo. Pasi u lirua nga burgu, kthehet në atdhe, ku bëhet pjesë e forcave zogiste dhe luftoi kundër pushtuesit. Me forcat zogiste luftoi edhe kundër gjermanëve kryesisht në Mat.

Enver Lufi ishte i shkolluar dhe kishte horizont mendimi, ai i kalonte barrierat politike. Kur ishte fjala për çlirimin e atdheut, bashkëpunonte me te gjithë forcat politike. Fliste italisht, anglisht dhe gjermanisht, ishte akademik ushtarak, më shumë ishte për luftë kundër pushtuesit se për përçarjen politike. Kundër pushtuesit, ka luftuar bashkë me vëllezërit, Aliun dhe Tafën.

Enver Lufi u vra më 31 dhjetor 1944 kur shtëpia e tij u rrethua nga forcat partizane. Aty ishin në një mbledhje forcat nacionaliste të Sulë Kurtit dhe mbështetës te Abaz Kupit etj., pasi rrethohet shtëpia, Enver Lufi të gjithë miqtë që ishin brënda i nxori një nga një, shëndoshë e mire, ashtu siç e ka zakoni i mikpritjes së shqiptarit dhe matjanit, por vetë ra hero i besës, i zakonit, i mikpritjes, i kryengritjes dhe viktimë e pabesisë! Kujt i nteresoi vrasja pas shpine e Enver Lufit? Vendi ishte çliruar, komunistët kishin marrë situatën në dorë, nacionalistet u shpallën armiq! Enver Lufi gjithmonë në qëndrimet e tij kishte qënduar mbi barrierat politike! Mbase komunistët e sapo ardhur në pushtet shihnin te Enver Lufi një intelektual demokrat që mund të ishte pengesë e diktaturës komuniste. Megjithëse komunistët kishin thënë se mosmaërëveshjet politike do zgjidheshin pas lufte, ata u treguan të pabesë duke i vrarë kundërshtarët politikë pabesisht dhe pa gjyq siç bënë me Enver Lufin, Tahir Matën, Hazis Kasemin etj.! Kujt i intereson heshtja tridhjetëvjeçare postkomuniste për Enver Lufin që u vra në moshën 28-vjeçare që me zgjuarsinë e tij do ishte një aset i çmuar jo vetëm për Matin por gjithë Shqipërinë? Kjo tregon se ne nuk kemi historianë të mirëfilltë, të zhveshur nga xhaketat e arnuara me arna të grisura politike!

Enver Lufin, këtë bir fisnik të Burgajetit nuk mund ta mbulojnë pluhurat e kohëve!

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here