Vjedhja e floririt ishte ndër krimet më tipike ndaj popullit shqiptar në vitet e para të regjimit komunist. E nisur fillimisht si fushatë tatimore, ajo u bë gjueti e veçantë për ta zhveshur popullin nga çdo pasuri që posedonte. Një dokument i vitit 1948 tregon se si Seksioni i Punëve të Brendshme kërkonte nga prokuroria të sanksiononte arrestimet, për disa persona që kish arrestuar për çështje floriri. Mes tyre vërehen edhe mosha të thyera.
Seksioni i Punëve të Brendshme të qytetit të Elbasanit, i drejtuar nga major Kopi Niko, me shkresën e datës 26.8.1948 i kërkonte Prokurorisë Publike të atyshme lëshimin e mandateve të arrestit mbi disa persona që ishin arrestuar për tregtinë e arit:
1-Ilia Anastas Paparisto, 34 vjeç, i martuar me dy fëmijë, me profesion dentist, me shkollë Normale, borgjezi e mesme, lindur e banues në Elbasan.
2-Qani Hysen Velçani, 43 vjeç, i martuar, me 3 klasë gjimnaz, ish-kapiten, në gjendje ekonomike të mesme lindur në Velçan, banues në Elbasan.
3-Isuf Mahmut Baholli, i martuar me 6 fëmijë, tregtar, klasë e mesme borgjeze, lindur në Dibër e banues në Elbasan.
4-Kamber Abdyl Peqini, 45 vjeç, i martuar, tregtar, borgjezi e vogël, lindur e banues në Elbasan.
5-Xhafer Mahmut Bylyku, 80 vjeç, i martuar me 6 fëmijë, borgjezi e mesme, lindur e banues në Elbasan.
6-Ibrahim Hysen Velencia, 31 vjeç, i martuar me dy fëmijë, tregtar, borgjezi e lartë, lindur e banues në Elbasan.
7-Rifat Ibrahim Bumçi, 45 vjeç, i martuar me dy fëmijë, tregtar, borgjezi e lartë, lindur e banues në Elbasan.
8-Fitnet Shefqet Gjihani, 41 vjeçe, e ve, borgjezi e vogël, lindur e banuese në Elbasan.
9-Lutie Adem Labinoti, 39 vjeçe, e martuar me 6 fëmijë, me gjendje ekonomike të mirë, lindur e banuese në Elbasan.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.
