Historia e një fëmijërie të plagosur me trauma, dhunë dhe uri. Servete Agaçi tregon tmerret e Tepelenës dhe shtegtimin e vazhdueshëm në kampet e internimit
Një arë. Një përrua. I ati ia lëshon dorën. Ajo duhej të kthehej te të tjerët dhe ai në arrati. Ishte takimi i fundit me babanë. Servetja ishte vetëm 5 vjeç në atë kohë.
Ismail Demën e vranë. Ai ishte vëllai i Hysni Demës, ish-ushtarakut të lartë të mbretit Zog, që u kishte bërë ballë disa ushtrive pushtuese, përfshirë dhe atyre italiane në vitin 1939, arsye për të cilën edhe u arrestua. Gjatë pushtimit gjerman, u zgjodh nga qeveria si komandant i xhandarmërisë dhe kur komunistët morën pushtetin, ai u bëri rezistencë deri në çastin që, pa asnjë mundësi tjetër, vendosi të arratisej. Pas kësaj, regjimi mori hak jo vetëm te gruaja dhe fëmijët e tij që u internuan. Të atin, gjyshin e Servetes, Hajredin (Dine) Demën e burgosën dhe më pas e vranë, në një tentativë arratisjeje. I vëllai, Ismaili, i ati i Servetes, kishte studiuar në Itali ku kishte mbaruar akademinë ushtarake. Në Shqipëri ai kishte punuar nëpër posta. Sipas Servetes, Ismail Dine nuk kishte bërë asgjë të keqe, por ishte arratisur nga frika. Komunistët e gjetën gjatë një rrethimi dhe e vranë. Edhe dy vëllezër të tjerë, xhaxhallarët e Serevetes që u arratisën, u zhdukën. Gratë dhe fëmijët e mbetura në Shqipëri do të përjetonin, veç dhimbjes shpirtërore, torturat e pafundme që u shkaktoi regjimi komunist.
“Na internuan, na dogjën shtëpitë, dyqanet. Kishim dy shtëpi dykatëshe sa edhe gurët ua kanë shkulur. Ne ngelëm vetëm femra: gjyshja, nëna dhe ne, dy motra të vogla, njëra 3 vjeç dhe tjetra 5 vjeçe”,-ka treguar Servete Agaçi për “Zërat e kujtesës” IX, botuar nga ISKK në vitin 2023, nga janë marrë edhe citimet e mëvonshme.
“Si fillim, na çuan në Valias,-vazhdon ajo,-aty nuk na mbajtën shumë dhe na ngritën. Më pas, na çuan në Elbasan. Pastaj na çuan në Berat, në qendër të qytetit. Atje, na futën në disa magazina ku kishin futur mallin e sekuestruar të tregtarëve. Ajo ishte një godinë dykatëshe dhe ne na caktuan në katin e dytë. Ishte edhe familja e Ndreajve dhe të gjithë i caktuan atje. Dilnim jashtë, te xhamia dhe na bënin apel 2 herë në ditë, mëngjes dhe darkë. Na jepnin një bukë rrumbullake në ditë dhe asgjë tjetër…Në Berat qëndruam 5-6 muaj. Më pas na ngjitën në Kala. Familja, ku u strehuam ne, kishte të zotin e shtëpisë, nënën, gruan dhe dy djem. Na lanë një dhomë ku frynte era nga jashtë brenda. Ne, kishim vetëm një dyshek dhe një jorgan me vete. Nuk na lanë që të merrnim gjëra me vete kur na internuan, na i morën të gjitha plaçkat. Të gjithë mallin që kishim e morën komunistët, me kamionë, aq shumë kishte. Edhe kukullën time, që luaja me motrën, e morën. Nuk lanë asgjë pa marrë nga shtëpia jonë. Familja që na strehoi e pa që ne s’kishim asgjë dhe pastaj na futën në një dhomë si aneks i vogël. I zoti i shtëpisë ishte kasap dhe e merrte gjyshen time dhe nënën e tij, iu jepte kafe. Na sillnin gjellë dhe ushqim se iu vinte keq”.
Ishin vetëm në fillim të vuajtjeve. Nga Berati, do t’i dërgonin në kampin e Tepelenës. Në atë kohë, Servetja ishte 8 vjeç dhe motra e saj 6 e gjysmë. “Edhe sot janë kazermat. Ato kishin qenë kazerma të ushtrisë italiane. Ishin me dy kate, poshtë dhe lart. Vendin e caktonin në bazë të personave që ishe. Në një anë, vinim valixhet dhe një në anën tjetër që të bëhej ndarja nga familjet e tjera. Gjyshja ime pinte edhe duhan sa ishte e helmuar deri në palcë. Kur ishte dimër, i ftohti i acartë, gjyshes i ngrinin gishtat. Nëna mblidhte ca shkarpa fshehurazi dhe I ndizte një zjarr të vogël, që gjyshja të ngrohte gishtat dhe mos ta shihte polici. Po ta zbulonte këtë gjë polici, të fuste te posta që ishte jashtë dhe të mbante aty si dënim”. Sipas Servetes, shumë njerëzve iu dha ky dënim dhe për këtë shkak, disa prej tyre ndërruan jetë. Ajo kujton se si vinin me kamionë të mëdhenj të internuarit, pjesa më e madhe nga veriu i Shqipërisë, Mirditë, Shkodër. Ishin familjet me burra të arratisur, të përbëra kryesisht nga pleq, gra dhe fëmijë. Djemtë e rinj 17-18 vjeçarë i dërgonin të prisnin dru në mal, dy orë larg kampit. Pasii prisnin, i rrokullisnin dhe më pas policët ua ngarkonin grave në shpinë trarët. “Nëna thoshte se i dukej sikur e kishte akoma vijën e litarit në sup edhe tani, sa ishte gjallë”.
Lodhjes, urisë dhe kushteve mizerabël, iu shtuan shumë shpejt edhe sëmundjet që bënë kërdinë në kamp. Edhe nëna e Servetes u sëmur. “Nga kushtet e vështira, nëna m’u sëmur, aq sa i ra tifo në zorrë. Ishin disa gra që dilnin nga telat dhe shkonin në Tepelenë për të marrë diçka për të ngrënë. Ndërsa gjyshja më thoshte mua që të shkoja me to, për të marrë ndonjë gjë për të ngrënë. Ato futeshin poshtë telave dhe dilnin në anën tjetër. Kisha gjetur ca rrush për nënën. Një rast, na kapi polici dhe na futi në burg. Tek porta e kampit ishin dy dhoma. Në njërën mbanin burrat dhe tek tjetra mbanin gratë. Ngaqë isha fëmijë, nisa të qaja. Dikush nga gratë i tha policit duke treguar se po më vdiste nëna nga sëmundja. Kur më liruan, kam qarë nga burgu tek dera dhe deri te kazerma, ku ishim strehuar. Ia tregova gjyshes se çfarë më kishte ndodhur. Ajo i shërbeu nënës deri sa e ngriti në këmbë. Kur arriti që të çohej nga krevati dhe të ecte duke u mbajtur pas murit e çuan në Gjirokastër ta vizitonin. Në atë kohë, nuk kishte më vlerë se ajo po shërohej…Nëna qëndroi shtrirë, e sëmurë, më shumë se një muaj. Nuk u kujtua njeri që ta dërgonte në spital. Ashtu vdisnin njerëzit, si fëmijë dhe pleq. Zakonisht i çonin njerëzit në spital kur ishin duke vdekur. I çonin në spitalin e Gjirokastrës që ishte edhe rrugë e keqe. Meqë nëna ishte trupmadhe u shërua shpejt dhe e futën në kuzhinë për të punuar”.
Servetja thotë se Tepelena ishte burg dhe jo kamp. Ushqimi ishte me racion dhe kushtet ishin mizerabël. Sipas saj, humbnin jetën çdo ditë, pleq dhe fëmijë. Trupat e tyre të pajetë, u zhvendosën nga fusha pas kazermave, buzë përroit ku i mori lumi, siç tregon ajo. Servetja sjell ndër mend atë ditë kur në kamp erdhi një kontroll për të parë gjendjen dhe familjet i nxorën fëmijët që thërrisnin “duam bukë, duam bukë”. Më pas, u vendos që kampi të mbyllej.
E ëma e nisi Serveten për te nëna e vet, por atje e priste një internim tjetër. Duke qenë që dy djem daje të Servetes u arratisën, të gjithë familjen e internuan në Sevaster të Vlorës.
Kështu Servetja u rrit në internim. Nga jeta normale i mbetën vetëm disa kujtime të largëta, kur i ati e mbante për dore, apo kur ajo dhe e motra luanin me kukullën e tyre. Po me ato që ndodhën më pas, edhe ato kujtime i sillnin dhimbje.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.