100 vitet e jetës së Bankës së Shqipërisë kanë parë edhe arrestimin e një drejtori dege në detyrë, i cili, pa asnjë provë, u dënua me 10 vjet burg dhe humbi jetën ndërsa vuante dënimin. Është historia e njohur e drejtorit italian të degës së Bankës së Shqipërisë në Vlorë, Giuseppe Terrusi-t. Kjo histori rikthehet në vëmendje ndërsa në ekspozitën e 100-vjetorit të themelimit të Bankës, është ekspozuar një foto e Terrusi-t në burg dhe dy deklarata që dëshmojnë për pafajësinë e tij. I biri, Aldo Renato Terrusi, bën thirrje që ky moment duhet shfrytëzuar për një vlerësim zyrtar të figurës së të atit.
Në ekspozitën e çelur më 20 janar 2026, në ish-hotel “Dajti” në Tiranë, me rastin e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë, ndodhet një fotografi shumë ndryshe nga ato që pritet të shihen në një ekspozitë të tillë. Është fotografia e katër burrave në të linjta, në një dhomë burgu. Arsyeja përse ajo foto është aty, është se njëri prej tyre, është ish-drejtori i degës së Bankës së Shqipërisë në Vlorë, Giuseppe Terrusi. Shtatë vjet nga ajo foto, në vitin 1952, Terrusi humbi jetën në burgun e Burrelit.
Fotoja është realizuar në burgun e Vlorës në vitin 1945 dhe i përket periudhës së paraburgimit. Terrusi u arrestua në prill të atij viti, ndërsa ishte në detyrë si drejtor i degës së Bankës së Shqipërisë në Vlorë. Akuzohej se kishte punuar në dëm të popullit dhe Luftës Nacionalçlirimtare gjatë okupacionit të huaj. Përbri fotos, në ekspozitë, janë paraqitur dy deklarata, të lëshuara para Këshillit Gjyqësor Ushtarak të Vlorës, gjatë procesit hetimor të Terrusi-t, që dëshmojnë pikërisht të kundërtën. Në këto deklarata, që kujto.al do i publikojë të plota më poshtë, theksohet mospërfshirja në politikë dhe mbrojtja që Terrusi i kishte bërë institucionit që drejtonte.

Drejtori shqiptar i Bankës së Shqipërisë, Loro Musani, deklaronte në dhjetor 1945, se kur ushtritë gjermane kishin hyrë në bankën e Vlorës në tetor 1944 dhe kishin marrë me forcë një shumë parash, Terrusi kishte vënë në rrezik jetën për të mbrojtur arkën e institucionit, duke arritur të shpëtonte pjesën më të madhe të vlerës së saj.
I biri i Giuseppe Terrusi-t, Aldo Renato, vë në dukje për kutjo.al, në një komunikim online, rëndësinë që ka në veçanti kjo dëshmi e Loro Musanit, drejtorit shqiptar të Bankës së Shqipërisë që, në vitin 1945, deklaronte me guxim para Gjykatës Ushtarake se Z.Terrusi “duhet lavdëruar sepse me aftësinë e tij dhe duke vënë në rrezik jetën” mundi të shpëtojë një shumë të konsiderueshme bankënotash dhe çeqesh që ndodheshin në arkën e bankës së Vlorës.
“Vetëm për këtë arsye, kërkoj që babait tim t’i njihet një vlerësim solemn pas vdekjes nga institucionet shqiptare, nga Instituti Italian i Kulturës ose nga organizatorët e ekspozitës për njëqindvjetorin e themelimit të Bankës së Shqipërisë”, thotë Aldo Renato Terrusi.
Deklaratat dhe fotoja e burgut që janë ekspozuar në ish-hotel Dajti, u përzgjodhën nga organizatorët e ekspozitës mes shumë materialeve që Aldo Renato Terrusi i dërgoi Ambasadës Italiane në Shqipëri, për këtë ekspozitë. Këto deklarata bashkë me dokumente të tjera nga procesi i Vlorës ku u gjykua i ati, janë publikuar më parë prej Aldo Renato-s, në një nga librat e tij “Brenga ime shqiptare”. Ndërsa fotoja i takon kopertinës së një tjetër libri të tij, atij më të fundit, “Italiani prigioneri in Albania” (“Italianë të burgosur në Shqipëri”).
Librat ku përshkruhet historia dhe del në dritë figura dhe dënimi i padrejtë që i kushtoi jetën Giuseppe Terrusi-t, janë rezultati që Aldo Renato ka arritur në mbi 30 vjet angazhim për çështjen e të atit. Ndërsa, gjetjen dhe dërgimin në atdhe të eshtrave të Giuseppe Terrusi-t, pavarësisht përpjekjeve kolosale, nuk e arriti dot.
Giuseppe Terrusi u dënua, pavarësisht dëshmive që hidhnin poshtë akuzat, me 10 vjet heqje lirie dhe pas katër vitesh në burgun e Vlorës, u transferua në burgun e Burrelit, në vitin 1949, ku ndërroi jetë në vitin 1952.
Ai erdhi në Shqipëri në vitin 1926, si nëpunës i Bankës së sapokrijuar të Shqipërisë. Pas disa vitesh punë, në degë të ndryshme të bankës, u emërua drejtor i degës së Vlorës. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, u martua me shtetasen italiane, Aurelia Poselli dhe u bë baba i një djali, Aldo Renato-s. Aldo Renato ishte vetëm 3-muajsh kur të atin e arrestuan dhe as pesë vjeç, kur e pa për herë të fundit. Në vitin 1949, u riatdhesua në Itali bashkë me të ëmën. Megjithatë ai jetoi me kujtimin e të atit dhe dëshirën për t'i bërë të njohura historinë dhe meritat e tij dhe për të rivendosur dinjitetin e këtij njeriu të dënuar padrejtësisht.

Në këtë periudhë, kur në Tiranë po shfaqet ekspozita e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë e cila do të qëndrojë e hapur deri në 20 korrik të këtij viti, pjesë e së cilës është dhe figura dhe historia e Giuseppe Terrusi-t, Aldo Renato bën thirrje për njohjen e meritave të babait të tij. Kur, pas vonesash e pengesash dhjetëravjeçare nuk arriti të gjejë dot eshtrat e të atit, kur ende nuk ka marrë asnjë pjesë të dëmshpërblimit financiar që i takon, për Aldo Renato Terrusi-n ky nderim zyrtar i figurës së Giuseppe Terrusi-t është një vendim i merituar dhe i domosdoshëm që duhet marrë.
Deklaratat e dëshmitarëve për Giuseppe Terrusi-n:

Deklaratë
Deklaroj se gjatë kohës që kam qenë nëpunës i ish-Bankës Kombëtare, drejtor i së cilës ishte atëherë Guiseppe Benussi, e kam njohur këtë si njeri të ndershëm, me të gjithë nëpunësit sillej mjaft korrekt dhe për më tepër, kisha konstatuar në të një njeri që nuk merrej aspak me çështje politike. Edhe më vonë, kur unë u largova nga Banka, kam pasur rast të shihja dhe dëgjoja se Giuseppe nuk ishte armik i vendit tonë si p.sh. në rastin kur Inspektori i Federatës në Vlorë akuzonte ish-drejtorin e shkollës Tregtare Prof. Leonetti-n i cili toleronte që në shkollë të kishte një farë lirie mbledhjeje, organizimi e tjera.
Shkurtimisht dua të them që Giuseppe Terrusi gjithmonë me sa kam mundur të kuptoj unë, ishte një njëri që nuk merrej absolutisht me politikë, një njeri që nuk do t’i
bejë keq asnjë njeriu. Ai mund të jetë viktimë e ndonjë shpifjeje. Ai ka rojtur gjithmonë në rrethin e tij familjar.
V.F.L.P./11-XII-45.

DEKLARATË
I nënshkruari Loro Bussani, lindur në Shkoder at 1889, nenshtetas shqiptar, sot Drejtor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Bankës së Shtetit Shqiptar në Tiranë, deklaron se njeh Z. Giuseppe Terrusi qysh në vitin 1926 dhe që me të ka bashkëpunue me ish-Bankën Kombëtare në Degë të Ndryshme t'Institutit në Shqipni.
Sjelliet e tija kanë qenë kurdoherë shumbellore dhe korrekte; nuk ashtë marrë kurrë me politikë, as nuk ka dhanë kurrë shkak ankimesh prej qytetarëve të vendit.
Gjithmonë punëtor i zellshëm në detyrat zyrtare qe i ishin ngarkue. Ka fillue karrierën e tij si teknik kontabiliteti në landen bankare dhe me vullnetin e mirë dhe me zotësin’ e tij ka mbërrijtë me formue një pozicion të mirë në Bankë.
I kujdesshëm në mënyrë të gjallë për familjen e tij.
Si pjesëtar i Drejtorisë Qendrore të ish-Bankës Kombëtare te Shqipnis, vërtetoj se gjatë okupimit të Shqipnisë nga trupat gjermane janë tërhequr me forcë nga ushtria armike në degën e Vlorës më datë 12 Tetor 1944, afrò fr.shq. 300.000, veprim të cilin zoti Terrusi ia ka komunikue me të shpejtë Drejtorisë Qendrore të Bankës në Tiranë. Për këtë tërheqje të hollash nuk munt t'i ngarkohet asnjë faj Zotit Terrusi, por përkundrazi asht për t'u lavdërue që me zotësin’ e tij dhe tue vue në rrezik jetën e [vet] ka mujtë me shpëtue prej dorës s'armikut fr.shq. 500.000 në bankënota, 200 napolona ari dhe 70.000 fr. në çeka të vleftësueme.
Shtoj edhe se të hollat qe janë tërheqe nga gjermanët në Bankën e Vlorës, janë derdhë, po nga vetë gjermanët, në ish-Bankën Kombëtare të Shqipnis në Tiranë, me përjashtim të afro 23.500 fr. që janë ndalue nga të njajtit.
Në ndërgjegjen t'ime deklaronj se deponimet e mija të masipërme janë krejtësisht të vërteta.
(Loro Musani)
Tiranë, më 18 Dhjetor 1945.
Shënim: Fotoja kryesore është nga mjediset e ekspozitës historike "Paraja Rrëfen - 100 vjet jetë e ngjarje, Banka e Shqipërisë (1925 - 2025). Të gjitha fotot i janë mundësuar kujto.al nga Aldo Renato Terrusi.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.