Alarmi në Komitetin Qendror: “Kanë dalë në ndjekje të gjithë forcat e policisë dhe të Divizjonit të Mbrojtjes që ndodhen këtu. Organizata e Partisë në qendër, Lushnje dhe Skrapar, ka mobilizuar anëtarët, kandidatët, të rinjtë komunista dhe miqtë e Partisë e të Frontit në këtë drejtim, duke zënë shtigjet nga mund të kalojnë ata, duke i dhënë informata ushtrisë për bazat e tyre”.
Një ngjarje e pazakontë kishte tronditur gjithë stukturat e regjimit komunist, në prillin e vitit 1947. Një grup të burgosurish që mbaheshin të izoluar, në një kamp në afërsi të Beratit, dhe shfrytëzoheshin për punë të detyruar, kishin sulmuar befas policët që i ruanin, i kishin çarmatosur dhe ia kishin dalë të arratiseshin së bashku me armatimin e marrë. Grupi prej 20 të burgosurish, konsiderohej si shumë i rrezikshëm për regjimin komunist dhe ishin dënuar të gjithë me nga 15 deri në 30 vjet burg. Për regjimin, ky akt ishte një kambanë alarmi. Të gjithë strukturat partiake e shtetërore ishin ngritur në këmbë për t'i kapur të arratisurit. Por, siç njoftojnë dy shkresat e mëposhtme, nga 20 të arratisurit, kishin arritur të kapnin vetëm njërin.
Ngjarja e mësipërme është përcjellë fillimisht si një telegram të nesërmen e ngjarjes dhe më tej, e detajuar, dërgohet në formë informacioni në Komitetin Qendror nga Reis Malile.
Kjo anë e medaljes në historinë e persekutimit komunist në Shqipëri është pak e njohur për publikun dhe dëshmon guximin e kundërshtarëve të komunizmit për ta refuzuar këtë regjim dhe metodat e dhunshme që ai aplikonte.
Arratisjet e bujshme vijuan pavarësisht masave të rrepta dhe dhunës së shtuar mbi të burgosurit politik. Dokumentat dëshmojnë edhe një arratisje tjetër të bujshme nga kampi me të burgosur politikë në fermën e Llakatundit, në dhjetor të po atij viti, dokument të cilin kujto.al do ta publikojë në ditën në vijim.
Më poshtë, sjellim të plota dy dokumentet ku zbardhet arratisja e 20 të burgosurve nga kampi i Beratit në prill të 1947:
18/IV/47
Tepër urgjent
nr.42/1
Komitetit Qendror të P.K.SH.
Sot në (17) shtatëmbëdhjetë datë 17.IV/47 gjatë rrugës që ktheheshin nga puna 20 të burgosur kriminelë lufte. Të burgosurit kanë çarmatosur policët që i shoqëronin. Ndjekja vazhdon. Deri tani kemi kapur vetëm një. Hollësirat do t’ju a dërgojmë me shkresë.
(Xhorxhi)
-----------------
Komitetit Qendror të P.K.SH
Tirane
Në vijim të radiogramit tonë nr 42/I datë 17/4/947.
Dje më 17 k.m. n’ora 17 mbas dite duke i prurë nga vendi i punimeve dhe afër kazermave në të hyrë të Beratit, u arratisën nga grupi i kriminelave politikë të këtij qarku 20 veta. Këta ju vërsulën rojeve që i shoqëronin në befasi dhe i çarmatosën duke marrë me vehte krejt armatimin e skuadrës që i shoqëronte.
Shumica kanë qenë kriminela të rrezikshëm të dënuar 15 deri në 30 vjet burgim. Nga hetimet që ka zhvilluar deri tani Drejtoria e Brendshme e Prefekturës nuk ka nxjerrë gjë në shesh nëse kjo çështje ishte e pregatitur me kohë nga ana e tyre , por sidoqoftë të le të dyshosh se kur u vërsulën ka qenë një shumicë e tërë.
Nuk dyshojmë që policët, të cilët i shoqëronin të kenë dashtë arratisjen e tyre, për arsye se ata u munduan së tepërmi për të mos ju lëshuar armët dhe fakti e tregon, që u kapën grykë më grykë me ta.
Kanë dalë në ndjekje të gjithë forcat e policisë dhe të divizjonit të mbrojtjes që ndodhen këtu. Organizata e partisë në qendër , Lushnje dhe Skrapar, ka mobilizuar anëtarët, kandidatë të rinjtë komunista dhe miqtë e Partisë e të Frontit në këtë drejtim duke zënë shtigjet nga mund të kalojnë ata duke i dhënë informata ushtrisë për bazat e tyre.
Do t’ju njoftojmë përsëri mbi këtë çështje.
(Reis Malile)
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.