Dokumenti i 1942, Pater Lek Luli një vajze italiane: Thuaj tre herë “Viva l’Albania”,që të të falen mëkatet

0
605
blank

Françeskani, i cili ishte ndër të parët që doli në malësitë e Shkodrës për të luftuar kundër fashizmit. Trakti zbulon historinë e tij të arratisë për në Jugosllavi, dhe më tej arrestimin nga fashistët dhe internimin në Itali...

Ky trakt i vitit 1942, shpërndarë gjatë Luftës nga balli Kombëtar, na zbulon një personazh të pazakontë, françeskanin Patër Lek Luli, i cili ishte ndër të parët që doli në malësitë e Shkodrës për të luftuar kundër fashizmit. Trakti zbulon historinë e tij të arratisë për në Jugosllavi, dhe më tej arrestimin nga fashistët e dërguar në internim në Itali. Por edhe pse në internim ai nuk reshti së shfaquri ndjenjat e tij patriotike. Ngacmues është në trakt paragrafi: “Ja se çka i tha nji vajze qi shkonte me u rrëfye në kishë ndersa Pater Luli zavendësonte kishtarin e katundit. (simbas ritit katolik mbas rrëfimit nepet penesa). Pater Luli pë penesë i tha vajzës të thonte 3 herë në ditë këto fjalë: “Viva l’Albania””.

Më tej në trakt është publikuar edhe një poezi me nota të forta patriotizmi e shkruar në periudhën kur Pater Lek Luli ndodhej në mal me pushkë në krah kundër fashistëve. Poezia e tij “Zani i shqipes” botohet e plotë bashkë me tekstin prezantues të patër Lek Lulit në traktin e shpërndarë në fillim të vitit 1942 nga Balli Kombëtar.

“SHQIPNIJA E SHQIPTARVE”

“VDEKJE TRATHTARVE”

Pater Lek Luli ndër malet e lirë lufton kontra zaptuesit si me pushkë ashtu edhe me pendë

POPULL SHQIPTAR!

Sot po ju paraqesim publikisht ndjenjën e patriotit të flakët, Pater Lek Lulit. Që ditën e parë të zezë të zaptimit të Shqipnisë Françeskani Lek Luli mori pushkën në krah dhe i dha kushtrimin malsinave të Shkodrës: Kushtrimi i tijë asht “Luft kontra Italianëve që na robnuen Shqipninë”; Mbassi armiku ishte shum ma i fortë se forca e Pater Lulit, ky u detyrue qi të largohet prej malsinavet të Shkodrës për të shkuar në Jugosllavi. Posa shkeli tokën Jugosllave kërkoi ndifmën e tyne për të vashdue furishëm luftën kontra fashizmit. Pater Luli jetoi në mes të Shqiptarëvet të arratisun në Jugosllavi. Biseda e tijë e përditëshme dhe dëshira e tijë ishte marrja e pushkës kundra pushtuesit. Ndërsa po u bante nji plan për të mujtë me i shkue në ndihëm popullit Shqiptar Pater Luli me 4 shokë të tjerë arrestohet në Jugosllavi prej axhentave të fashizmit. Çohet i internuem në Itali. Gjatë internimit vuejti shum. Patriotizmën e tijë e tregonte më çdo rasë. Ja se çka i tha nji vajze qi shkonte me u rrëfye në kishë ndersa Pater Luli zavendësonte kishtarin e katundit. (simbas ritit katolik mbas rrëfimit nepet penesa). Pater Luli pë penesë i tha vajzës të thonte 3 herë në ditë këto fjalë: “Viva l’Albania”. Ja pra o popull Shqiptarë shpirti i një Françeskani, i cili po sa arrijti në tokën Shqiptare mori pushkën dhe doli maleve. Pater Luli asht nji nga intelektualët ma të mirë të Shqipnisë.

Këtu poshtë po botojmë nji vjershë të dërgueme prej tijë nga mali:

 

ZANI I SHQIPES

 

Nalt mbi male tue dihatë

Idhshëm shqipja po piskatë:

“Braf në kambë djelmëni Shqiptare!

Rrokni armët e qitnje fare

Italinë, qi n’kater vjet

Fé u zhduki, Atdhé e shtet

Mbi zogj t’tjerë, se d’bamë robneshë,

Krah e kambë keq m’i ka lidhun,

pa u tjetë kush, qi me m’i zgidhun

Prej verigave të robnisë?!...”

Po a thue kaq, djelmt e Sqipnis,

ftyren marrja u ka mbulue,

sa mos t’mund’ni m’u kujtue,

Se Italija e ka qitë cekën

Shqiptaris me ja sjellun dekën

Me çdo mjet! S’jeni tue pa,

Se ca poshtersitë e mëdha

po ban mbë ne tash kater vjet,

Q’se na ka nen thember t’vet?

 

Shifni ç’ban n’ne Italija:

Djelmt ma t’mirt, qi ka Shqipnija

Dalë ngadalë po i qet t’gjithë fare

Ken n’konop, ken grijë n’batare,

Ken ndryj n’burg t’tjerë ç n’mergim

A ka kund ma t’madh poshtnim:

Daj njerzt vendit, ku kan lé,

Merr o treti n’nji tokë t’re;

Daj me shokë, miq, dashamirë,

Mos i len Shqiptar m’u thirrë.

Gra e varza tue koritun.

Fmijtë e vegjël n’treg tue shitun,

Kndej djeg Kishë e andej Xhamija,

Tredhen burrat si bagtija

Para syvet t’gravet veta!...

Ç’na vien t’gjallt, sot ç’na vie jeta.

Paj qe besa e t’madhit Zot

S’asht kashatë qi bluhet dot

Me i puthë hasmit kamë e dorë

E mbi krye me i vu kunorë

 

Për mbrapshti, çi po veprueka,

Atme e shpi kue t’i zaptueka!

Kush Shqiptar pra i thot vedit

N’mal e n’fushë o n’breg të detit:

Kapni pushk’n e lenje shpin,

Kapni pushk’n e bashk me mue:

Kapni pushk’n pa u vonue

Ja me vdekë ja me fitue

Atdhen t’onë pë me librue!!!

S’asht nevoja për me p’vetë

Ku ju pres? e dini vetë:

Mbi ato male mbushë me borë

Me Flamur t’Shqipnis në dorë

Aty u pret ju...

Mos t’ua tusin synin deka,

Pse fitimi asht i joni.

Ku luftoni ju, fitoni,

Si fituen t’part t’uej perherë

Para Botes damun me nderë:

Teuta, Pirri e i Madhi Leka.

Por dhe n’kjoftë, se na vjen deka

Ardhët e bardhë, pse besa e Zotit,

Dekë ma e bukur s’ka n’ditë t’sotit

Se me dekë me pushkë në dorë,

Si qytetas si malsorë,

Tue luftue kundra italijanit,

Per me i sjellë lirinë Balkanit.

E me flamurë përmbi krye

Kuq e Zi pa përlye

Tue u valvitë neper ajri

N’sa djelmnija per rreth ti

 

Pa ndalë turrin pa ndalë hapin

Shoqi sho’it zember t’i napin:

“Urra djelm u dhashtë e mbara,

Se né, fati na hecë para!”...

Kshtu do t’marrin zjarm beteja

N’mal e n’fushë si t’shkrepte rrëfeja

Gjithkahë pushka do t’ushtojë,

Toka deti do t’gjimojë,

Dersa topi pa ia da

T’rrahin logje dhe kala

Dhe avionat përmbi krye

N’hekur tanksat mirë mbërthye

T’bombardojn dhe t’mitraljojn

Por Shqiptarët luftën s’do t’lëshojn:

Fyta fyt n’ia mbajt’t anmikut

do t’a mbysjn. Kurrnji rrezikut

S’i ka hikun i balkanasi

Por atme e shtet. Ilirianasi

Asht mësue m’u vra e m’u pre

Me has’m t’Kombit. Per Atdhe

Kur Shqiptari n’luft t’ket ra

Tjetër fat lufte aty s’ka:

Por ja vdekje, ja liri!...

Vet’m at herë pra n’shqiptari

Ka me prajtë kjo luftë titane

Kur krejt forca italiane

T’jetet shue, e shqiptari

T’gzojë lirinë siç i a la i pari!

Kshtu do t’marrë vesht rrokullija:

Gjallë robneshë s’bahet Shqipnija.

PATER LEK LULI FRANÇESKAN

“BALLI KOMBËTAR”

blank

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here