Dokumentet/ Ziqiri Mero ka firmosur 14 ekzekutime

    0
    645
    blank

    E kaluara e errët e 100-vjeçarit të Partisë Socialiste, që nuk pendohet.

    Kongresi i Partisë Socialiste që u zhvillua këto ditë ngjiti në skenën e Pallatit të Kongreseve edhe Ziqiri Meron, anëtarin më të vjetër në moshë të kësaj partie, i cili nesër mbush 100 vjeç. Megjithatë, e kaluara e Ziqiri Meros, nëse do pasqyrohej pa fshehjen e disa fakteve, nuk është shumë e sigurt nëse do mund të shfaqej në një ekran të madh e do të përfundonte me duartrokitjet dhe ngritjen në këmbë të publikut, që zakonisht imponon respekti për 100 vite jetë. Studiuesi Kastriot Dervishi, ka publikuar në faqen e tij në Facebook, disa dokumente që tregojnë që e kaluara e veteranit, e implikon atë me vendimet për ekzekutimin e 14 personave. Janë persona ndaj të cilëve nuk janë vërtetuar krime dhe që njihnin nga afër jetën e Enver Hoxhës, të cilët u dënuan në maj-qershor 1945. Ata u pushkatuan dhe pak njerëz e dinë ku ndodhen eshtrat e tyre. Një prej tyre është Ziqiri Mero.

    blank

    Ziqiri Mero ka qenë anëtar i Këshillit Gjyqësor të procesit  të 23 majit 1945 ku u gjykuan 20 persona dhe u dënuan me ekzekutim tetë prej tyre: Enver Meko, Harun Rokaj, Nexhip Canka, Hajdar Zako (17 vjeç), Syrja Zoto, Mehdi Lamçe, Sefedin Fazlliu dhe Estref Mustafaraj. Ata kishin qenë më parë me forcat e Ballit Kombëtar ose Legalitetin dhe ishin bërë partizanë, por tashmë dyshoheshin se mund të formonin “grupe” dhe se “nuk e kishin pastruar shpirtin nga e kaluara”. Pa asnjë provë që vërtetonte krime nga ana e tyre, u dënuan me ekzekutim.

    Edhe më i drejtpërdrejtë është ndikimi i Ziqiri Meros në një proces gjyqësor të zhvilluar pak ditë pas të parit, në qershor të vitit 1945, ku ai ishte hetues dhe prokuror. Në këtë proces, Ziqiri Mero urdhëroi ekzekutimin e këtyre personave: Faik Tartari, Zef Kabashi, Gjon Cufi, Myrteza Satka, Lec Ndreca dhe Faredin Angoni. Sipas Kastriot Dervishit, ajo që bie në sy, është që, këtë herë, është vendosur pushkatimi dhe për Farendin Angonin, një nga njerëzit që e njihte mirë jetën e diktatorit. Vendimi i ekzekutimit të gjashtë personave u la në fuqi dhe nga Gjykata e Lartë Ushtarake, siç ndodhi edhe me të dënuarit e procesit të parë dhe ata u ekzekutuan.

    Kastriot Dervishi, shton në komentin e tij, që Ziqiri Mero është në dijeni të vendit ku janë pushkatuar këta persona, të cilët sot rezultojnë të zhdukur, që do të thotë, që ka ende diçka në dorë për të bërë në të mirë të familjeve të këtyre viktimave dhe kujtimit të tyre, por kjo do të vinte pas një akti pendese, që deri tani nuk ka ardhur. Madje, dy vite më parë, Ziqiri Mero, tregoi që ai jeton duke i justifikuar vendimet e diktaturës për dënimin e njerëzve të pafajshëm, kur kundërshtoi publikisht dekorimin e nënave dhe fëmijëve që vuajtën në kampin e Tepelenës, duke i quajtur ata “kolaboracionistë”.

    Ndonjëherë nuk mjaftojnë as 100 vjet për të ndarë të mirën nga e keqja.

    Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

    PËRGJIGJU

    Please enter your comment!
    Please enter your name here