Gruaja nga fshati Labinot Mal, ruan ende shtatoren e tij në haurin e bagëtive. E "grabiti" kur autoritetet shtetërore e shkulën nga vendi në qendër të fshatit dhe e hodhën shkujdesur në rrugë
Një shtatore e diktatorit gjakatar Enver Hoxha ruhet prej 32 vitesh në një haur lopësh në fshatin Labinot Mal. Shtatorja e diktatorit ishte ngritur gjatë regjimit komunist në fshatin ku diktatori kishte kaluar kohë gjatë luftës. Me rënien e diktaturës komuniste do të binte edhe shtatorja e diktatorit në Labinot. Verën e vitit 1991, autoritetet shtetërore e kishin hequr nga vendi ku ngrihej në qendër të fshatit dhe, siç shkruan studiuesi Kastriot Dervishi, nuk ishin kujdesur ta çonin diku në një magazine apo në një vend plehrash. Një grua nga fshati e kishte marrë monumentin dhe fshehur në haurin e lopës. Statuja e rrënuar gjendet aty edhe sot.
“Monumenti
Për shumë vite, investimi më serioz i Partisë së Punës në Labinot Mal, në një zonë tejet të varfër, ishte monumenti i EH. Objekti tregonte një EH ushtarak, elegant, krejt ndryshe nga obezi i kohës së luftës i fryrë nga terapia ushqimore e përbashkët me shokët Melladin e Dushan.
Teksa në Tiranë, Korçë e Durrës u rrëzuan monumentet e bustet e EH, populli i Labinotit u mblodh të ruante të vetin. Mbërritën edhe forcat e ushtrisë dhe të dyja palët ia nisën me fjalime kërcënuese e vërvitje armësh. Në verën e vitit 1991, monumenti i Labinotit u hoq nga autoritetet shtetërore, por nuk u tregua kujdes me zhvendosjen e tij. Një fshatare e varfër sigurisht, e fshehu në vendin ku mbante lopën, të cilën ia kishte lejuar demokracia. Aty e mban ende.
Fotot nga protestat e vitit 1991 dhe e kohës së sotme te kasollja e lopës”, shkruan Dervishi.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.