Dëshmia/ Taip Hoxha: Ekzekutorët nuk na tregojnë ku ndodhen eshtrat e vëllait

0
222

Kërkon prej 30 vitesh, pa rezultat, eshtrat e familjarëve të vrarë gjatë regjimit komunist. Megjithëse ka gjetur prokurorim e pranishëm në ekzekutim apo pjesëtarë të skuadrës së pushkatimit dhe u ka thënë se s’do asgjë prej tyre veç t’i tregojnë vendin, askush nuk ia ka treguar. Çfarë i thonë një herë, nuk i thonë herës tjetër. Dikush, pavarësisht dokumenteve, e mohon të ketë qenë i përfshirë, dikush tjetër i thotë që nuk e mban mend ose i fshihet

Dëshmia e plotë per kujto.al

 Si quheni dhe kur keni lindur?

Jam Taip Manxhar Hoxha i datëlindjes 1947.

Sa persona të familjes keni të zhdukur që nuk e dini ku janë?

Vallahi, ne kemi tre. Gjyshi është vrarë në luftë me të huajt, me pushtuesit e huaj, në ’13-ën. Nuk ia dimë ku e ka varrin. Është vrarë baba në ’49 -ën, me forcat e Sigurimit në pritë. Vëllai në ’79 -ën i dënuar me pushkatim.

Më tregoni historinë e vëllait dhe të familjes suaj

Po… Ai ishte 18 vjeç. Tashti të të them shkakun. Në ’49 -ën, kemi qenë me familje të burgosur, 6 persona; gjyshja, nëna dhe katër fëmijët. Kemi qenë këtu, diku këtu (që unë s’mbaj mend pasi nuk më erdhi dot ai personi që ka qenë sepse u plak dhe s’erdhi dot). Kemi qenë këtu në ’49 -ën: kur babain tim e ndiqnin Forcat e Sigurimit ne na kishin marrë e prurë këtu. Ishim gjashtë persona. Unë nuk mbaj mend gjë fare po të dëgjuara nga nëna dhe nga ata që ishin pak më të mëdhenj nga unë kur u rrita. Gjyshja ishte me mua 2-vjeçarin, vëllai ishte me motrën tjetër, gjashtë veta ishim ndarë dy e nga dy. Kur është vrarë baba, vjen ai oficeri i Sigurimit edhe i thotë gjyshes e nënës; “Ta vramë djalin” i thotë gjyshes; “Ta vramë burrin” i thotë nënës.  -“Mirë bëtë… i thanë,- se për Shqipërinë doli maleve”. Dhe hidhet vëllai: “Ju vratë babën tim, unë do ju vras ju”. Ishte 9 vjeç në ’49 -ën, fiks 9 vjeç, merre me mend, fëmijë ishte ai. Na morën e na çuan në fshat. Atje filluan pastaj ato luftrat. Na morën gjithë çfarë kishim dhe na thonë se do t’ju japë qeveria racion, dhe ç’kini këtu do t’ua marrim, bereqet, grurë e misër, ç’kishim. Në Kolonjë, në fshat.

 

Si erdhi arrestimi i vëllait tuaj nga regjimi komunist?

Vëllai duke rritur e duke folur në Degën e Policisë. Atje, diskutojnë tamam, apo jo, kur ishte 15 vjeç. i thotë një kryetar dege, Halim Xheloja (në mos e kam gabim), i thotë: “Për ne rritet ky, lëre dhe ca kohë”. Në moshën 18 vjeç, që unë u rrita dhe i kam jetuar vetë, vjen me një kafshë me bereqet, e bleu, nuk di ku e bleu se unë 11 vjeç isha, e bleu këtu në Gjirokastër a diku tjetër. Vjen, jo në shtëpi, po poshtë, nën fshatin tonë qenë disa kushërinj tanë, atje vete dhe la mushkën e zuri dhe dreka edhe hante bukë bashkë me kushërinjtë e tij. Ata qenë më të mëdhenj në moshë, ky ishte 18 vjeç. Në këtë kohë, policia kishte vajtur para kohe, fshehur atyre rrënjëve se ishte pyll aty, Karrcoj quhej vendi. E venë e arrestojnë. Dhe e akuzojnë për tentativë arratisjeje. Domethënë unë nuk e di mirë sa kilometra është kufiri me fshatin tonë Kolonjë të Labërisë, 20 e ca kilometra përafërsisht është këtej, sesa është kufiri këtej, nuk e di. Domethënë e akuzojnë për tentativë arratisjeje tek hante bukë, drekën.

Çfarë ndodhi pas arrestimit dhe cili ishte dënimi i tij?

E kanë arrestuar siç ju thashë tek hante bukë në vendin e quajtur Karrcoj, gjysmë ore larg nga fshati, në stanin ose haurin e kushëririt. E kanë marrë andej, gjysmë ore larg, kufi me një fshat tjetër, Zhulat, ishin disa fshatarë atje me mani, me ara me kështu. Ka vajtur atje policia, i mbajti i zoti i stanit, hëngrën bukë, pinë, u therri mish dhe këtë e kishin lidhur në shkoza, e kishin lidhur me tela në diell se qe qershor. Kjo është e saktë se kur isha atje pas ’90-ës, njëri polic që ishte gjallë ma thotë këtë: “Kam vajtur unë i kam shpënë një gotë ujë, i lidhur”. Thoshin që e kishin lidhur bile me kokë poshtë në shkoza. Kjo dëshmi është e policit që ishte atje. E marrin që andej e bien në kala. Këtu e dënuan 20 vjet, tentativë arratisjeje. Gjë e çuditshme kjo. Në ’63-shin, vjeshtë ka qenë, shikojmë ne, na përgjojnë këtu në fshat të armatosur, polici, na ruajnë shtëpinë, po ne nuk dinim gjë se për çfarë arsye. Ky qe arratisur nga burgu, vetë i tretë. U dënua në burgun e kalasë dhe shkoi në Rubik (s’e kam mirë parasysh, ku ka qenë kur u arratis) qe vetë i tretë.  Kur u arratis herën e parë ka qënë diku në Rubik ose në Thumanë nuk e kam mirë parasysh. Arratiset që andej vetë i tretë.

Si u realizua arratisja dhe cilat ishin pasojat e saj?

Forma e arratisjes ka qënë kjo: vjen një makinë që furnizonte kampin, këta të tre: vëllai im, Demir Shkoza nga Tirana edhe Kujtim Alia nga Mallakastra, nga Çorrushi i Mallakastrës më duket ka qënë, arratisen. Rrugës ngelet ky se qe me zemër Kujtim Alia. “Ikni,- ju thotë,- se unë s’eci më dot”. Vetvetiu e zunë. Këta nuk di sa ditë kanë ndenjur edhe i thotë, Demir Shkoza, i thotë vëllait tim, se pa bukë, pa asgjë, i thotë: “Do vemi, se kam një kushëri të parë të babës këtu në fshatrat e Krujës”… Jo,- i thotë ky,- se mos na dorëzon!  Jo mo- i thotë,- e kam njeriun tim, e kam kushëri të parë të babës tim”. Venë atje, te ky dhe i priti mirë. Bukë e gjellë e u lanë e çfarë bënë atje, iu dha bukë e gjellë. Flini rehat tashti- u thotë. Ranë për gjumë këta. Lajmëroi policinë ai, i zunë në gjumë. E marrin pastaj dhe e çojnë në Burrel. Ndenji shumë vjet në Burrel.  

 

Keni mundur ta takoni në burg vëllain tuaj dhe si ishte takimi me të?

Po, në Burrel po, kam vajtur unë dhe mëma. Erdhën na i prunë te porta atje, nuk më lanë të takoheshim kështu, po fëmijë. “Nuk sillet mirë ky djali juaj”- i thotë mëmës; “I flisni një çikë”.  Tashi kaluan vitet ashtu siç kaluan.

Kur e çuan në burgun e Spaçit?

Pasi doli nga Burreli, nuk e mbaj mend vitin me thënë të drejtën se kemi vuajtur shumë e s’i kemi ato letrat e korrespondencës.

Më tregoni për arratisjen e tij nga burgu i Spaçit. E mbani mend në cilin vit u arratis dhe si ishte kapja e dytë nga Sigurimi?

Po si nuk e mbaj mend. Do të them këtë që Demir Shkozën, shokun e tij e dënuan me pushkatim edhe këtë e dënojnë me pushkatim ajo pretenca. Ishte një njeri yni atje i shkonte fjala edhe shpëtoi nga pushkatimi dhe e dënuan 25 vjet për këtë arratisje, 20 ishte dënuar, e dënuan edhe 25 vjet të tjera. E mbajtën shumë vjet në Burrel. Se ne kemi qenë pothuajse të burgosur në shtëpi. Në Spaç është arratisur në vitin ’78, nga fundi. Ishte hapur një galeri atje, domethënë ishte një vrimë që e dinë, po ajo dilte jashtë rrethimit. Atje bëjnë plan me një shok edhe arratisen. Ndenjën 5 ditë më duket. Pesë ditë edhe i kapën. Ky u dënua me vdekje ai tjetri jo. Ka qenë një repart ushtarak, por unë nuk kam gjetur njeri që të vete të shikoj vendin, ka qenë një repart ushtarak atje afër repartit, afër kufirit, në një lumë, këtej nga Dibra, afër kufirit, nuk e di, Drini më duket.

Cili është vendi që e pushkatuan dhe çfarë ndodhi me trupin e tij?

Rrëshen. Unë kam gjetur njerëzit që kanë qenë me të në birucë. Kanë ardhur dhe e kanë marrë natën dhe nuk janë vonuar as 5 minuta. Dhe më e keqja është se unë kam kërkuar eshtrat e kam shkuar tek prokurori te Vaskë Dimoshi. Dhe na thotë që: “Nuk mbaj mend unë, u plaka tashti”- na thotë Vaskë Dimoshi. Vamë njëherë, vamë dy herë, vamë tri herë. Kur kemi vajtur për së treti u fsheh. Prokurori jep plumbin e fundit dhe ky ishte ai që dha vendimin e pushkatimit të vëllait tim. Në fillim tha “s’mbaj mend”, vemë prapë, filloi nga justifikimet “u plaka”, pastaj vemi prapë, u fsheh atje.

Çfarë i kërkoje prokurorit dhe hetuesve të çështjes së vëllait tuaj?

Vetëm eshtrat… ku është varri. Nuk i kam kërkuar asgjë tjetër. “Ashtu qe koha, kini bërë detyrën, vetëm na tregoni eshtrat”. Kam vajtur te shefi i hetuesisë, Sokol Shazi nga Shkodra në Tiranë, nuk ka pranuar, kanë vajtur edhe shokët e vëllait tim atje, s’kanë pranuar. Unë s’e kam takuar, vanë njerëzit e mi me qëllim që mos druhej meqë ishte vëllai im, mos druhej ai dhe s’tregonte, kushedi ç’mund të mendonte dhe i vajtën shokët e vëllait tim, i vajtën njerëzit e mi e nuk tregoi. Përsëri thoshin: S’mbaj mend, nuk mbaj mend… Tashti kam vajtur disa herë në Sarandë. Polici që ka marrë pjesë atë natë, se ata policë janë që kanë qenë në skuadër të pushkatimit edhe vete tek tjetri, tek Zeqir Lala quhet ky. Po sot ka një vilë nja trekatëshe si të pasanikëve e ka mu në buzë të detit në Sarandë. I dërgova një herë një mikun tim. Nuk mbaj mend –tha. Vete vetë prapë me një tjetër. “Ç’më ngatërron mua” – tha. Si përfundim, “s’kam gjë” tha… I nxjerr atë urdhrin e kryetarit të Degës, të Skënder Lekës. Urdhëro- i thashë,- skuadër pushkatimi je zotërote, është x, është y. “Këto,- tha,- janë kështu, i bëjnë ata të PD-së këto - më tha mua,- janë fallco”. Ç’ti bëja? Nuk treguan. Është edhe sot, është më i ri nga unë nga fizionomia. Nuk tregoi.

Përsa kohë i keni vazhduar kërkimet për gjetjen e eshtrave të vëllait tuaj?

Tjetër…nuk mbaj mend vitin, por i kam bërë, pasi vajta gjithë jetën që kërkoj, domethënë që nga ’90 e tutje. I kam dërguar një letër Presidentit Ilir Meta. “Kërkoj eshtrat e filan fistëkut”. Ia kam bërë nëpërmjet shoqatës. I kam bërë letër Kryeministrit, Edi Ramës. “E kam deleguar,- thotë,- te ministri i Brendshëm”. Ministri i Brendshëm më kthen një përgjigje: “Ështe te varianti i druve”- thotë. Varianti i druve në Rrëshen, rrugë e Kaçinarit. E kam në letër. Po është një gjë interesante: të gjitha këto datat e pushkatimit korrespondojnë me njëra-tjetrën, është më 31 janar të ’79-ës. Kurse ministri i Brendshëm thotë që: “pushkatuar në kaq qershor, te rruga e Kaçinarit, te varianti i druve”. Na dalin dy data pushkatimi tashti, zyrtare.

Keni shkuar te vendi ku mendohet se është pushkatuar dhe keni arritur të bëni gërmime?

Po s’kam gjetur vend. Se atje ne, kemi vajtur unë dhe njerëzit e mi, po s’kemi ku të kërkojmë se atje ka shumë. Ku të vemi?

Tjetra kam kërkuar për eshtrat e babait sepse është varrosur në zonë. Atje ishte një vend me shenjë, i shenjtë. Gjeta personat që i kishin marrë nga rruga për t’i varrosur. Ishin shenjat njëqind për qind. Vemi atje me skrep, gërmuam, bëmë, s’kemi gjetur gjë. Se çfarë ka ndodhur…

Cili është vendi që është varrosur babai juaj?

Vendin e dinë të gjithë fshatarët. Çëpuni quhet. Vendi quhet Çëpun. Mu në anë të xhades, këtu kemi kërkuar me skrep, i gjetëm të gjitha shenjat, kanë ardhur personat që e kanë varrosur: Këtu e kemi futur- thonë. Dhe s’gjetëm gjë. Mendojmë se është zhvarrosur nga Sigurimi i Shtetit.

Zoti Taip, keni 30 vjet që po kërkoni eshtrat e familjarëve tuaj. Mund të më thoni çfarë ju shtyn për të vazhduar gërmimet për gjetjen e tyre? 

E di ç’më shtyn? Se familja ime ka 100 vjet pa varre burrash edhe na del që ne qenkemi “bastardë”, domethënë. Se varri është ai që të tregon se kush je ti. Ja kjo më shtyn…

Keni shpresë se mund ta gjeni varrin apo eshtrat e vëllait tuaj?

Nuk dëshirojnë, nuk dëshirojnë ta tregojnë. Unë kam bërë shumë kërkesa tek institucioni i Dosjeve, nuk më japin dosjen, sot e kësaj dite.

Si u ndjetë kur u përballët me xhelatët që kishin dhënë vendimin për pushkatimin e vëllait tuaj?

Moj zonjë, ata janë kriminelë, po çdo gjë e kanë bërë me urdhër. Po zullumi. Kanë bërë zullum i themi ne nga zona jonë. Ata vërshuan t’i fshehin që të mos t’u lënë fëmijës, mendojnë ata. Jam interesuar edhe ku punojnë fëmijët e tyre. Sokol Shazit i punon vajza në OSBE, këtij zotërisë, Zeqir Lalës, një e ka në Gjykatë, një e ka në Polici, me grada të mëdha.

Fjalët e fundit të tij janë:

“Zoti Prokuror, unë dua t’ju them se ju si shtet nuk jeni në rregull. Mblidhni mendjen: Shqipëria është ndarë në dy pjesë. Pjesa më e madhe ndodhet jashtë Shqipërisë nën Jugosllavi, kurse ju këtu vrisni njëri-tjetrin. Unë e kam urryer këtë regjim që në fillim se është një regjim që ka ardhur në fuqi me gjak dhe prandaj nuk e dua… Kam qënë armik i këtij pushteti dhe i kësaj Partie. Jam armik i kësaj Partie ngase ka ardhur në fuqi me gjak dhe me gjak e ka mbajt, por dhe që me gjak do të mbarojë."

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here