Dëshmia/ Pavllo Naçe & Majlinda Anxhara: Gjyshi, Koli Rodhe, u shua në burgun e Burrelit

0
271

Burgu i Burrelit e përfaqësonte denjësisht egërsinë komuniste ku shumica e të burgosurve nuk arritën t’i mbijetonin urisë dhe torturave që ndodhnin brenda mureve të këtij burgu. Kështu ndodhi dhe me patriotin, vatranin dhe luftëtarin e lirisë, Koli Rodhe.

Nipi, Pavllo Naçe dhe mbesa Majlinda Anxhara tregojne historinë për arrestimin dhe burgosjen e gjyshit të tyre në moshën 60-vjeçare dhe përpjekjet e shumta të familjes, thuajse të pashpresë, për të gjetur eshtrat e tij, që mbetën përjetësisht aty nën “Qershizë”.

Dëshmia e plotë për Kujto.al

Unë quhem Pavllo Naçe, lindur dhe banues në qytetin e Korçës dhe jam nipi i Kolë Rodhes, jam djali i vajzës së dytë, i Dafinës. Sigurisht në shtëpinë tonë Kolë Rodhja ka zënë një vend të veçantë sepse kur kam lindur unë, ka qenë, rronte dhe gruaja e Kolë Rodhes ose gjyshja ime dhe në shtëpinë e saj, ne gjithmonë gjenim revista, gazeta që ishin të kohëve të shkuara, që ishin shkrojtur nga Kolë Rodhja. Atje kishte dhe piktura se ka pasur talent edhe për vizatime, edhe shumë botime të tija në gazeta të ndryshme të kohës të Shqipërisë edhe të Amerikës. Ka qenë edhe botuesi edhe krijuesi i një gazete “Vullnetari”. Ka qenë korrespodent i gazetës “Dielli”, të shoqërisë Vatra. Dhe të gjitha këto bënin që ne të na rritej interesi për jetën dhe veprën e Koli Rodhes.

Çfarë përfaqësonte figura e Kolë Rodhes?     

Ishte një diçka si të thuash tabu ta përmendje Kolë Rodhen në atë kohë sepse ishte i shpallur një ndër armiqtë kryesorë të sistemit komunist edhe të regjimit, megjithëse kishte qenë një patriot, luftëtar i çetave patriotike, i plagosuri i Mashkullorës, personi që ka sjellë flamurin dhe ia ka dhënë Marigosë, botusi i gazetave, revistave. Më vonë, mik i Fan Nolit dhe përfaqësues, deputet në Parlamentin e Parë Shqiptar nga partia e Fan Nolit. Kishte qenë i caktuar në detyra të larta shtetërore: Prefekt në qarkun e Beratit, ka qenë Prefekt në Shkodër, në Gjirokastër dhe më vonë me detyrën e Kryeinspektorit të Ministrisë së Punëve të Brendshme në qeverinë e mbretërisë.

Cilat ishin gjurmët e veprimtarisë atdhetare të Kolë Rodhes ?  

Kolë Rodhja nga familja mori arsimimin bazë, domethënë mori shkollën e mesme. Po ajo për të cilën ai u brumos më shumë ishte dashuria ndaj atdheut dhe që i vogël, ai bashkohet me patriotët shqiptarë që luftonin për pavarësinë e atdheut. Dhe në këtë moment pikasen nga xhonturqit, e arrestojnë dhe e burgosin. Në momentin që ai bëri burg, nëntë muaj në burgun e Gjirokastrës, ai u bë një njeri i padëshirueshëm për qeverinë dhe emigron në Rumani dhe më pas në Bullgari në Sofje, edhe që andej merr detyrën nga patriotët shqiptarë që ishin dhe me vullnetin e tij, e shkon në Odesë për të ndihmuar për mbledhjen e ndihmave për familjen e Papa Kristo Negovanit, i cili… dihet historia e tij. Dhe atje bashkë me një grup shokësh… është edhe fotografia ku ai ka dalë në Odesë, gjithmonë qëllimi final i Kolit në atë kohë ishte pavarësia dhe atje ai ble edhe shkopin e Flamurit Kombëtar bashkë me zbukurimin me xhufka që më vonë do t’ia bashkangjisë flamurit që ai do të sjellë nga Amerika bashkë me një grup shokësh të tij vullnetarë të Shoqërisë Besa-Besë, të cilët vijnë për të luftuar me moton që “Atdheu është atje, ne këtu po merremi me fjalë, vërtet po e ndihmojmë, por lufta e vërtetë bëhet në Shqipëri”. Dhe në fotografinë tjetër është grupi i shqiptarëve që nisen që nga Amerika, vullnetarë për të luftuar në Shqipëri për pavarësi. Me vete kanë sjellë edhe flamurin të cilin ia dhurojnë në Korfuz, Marigo Pozios. Kolë Rodhja me të atin e Marigosë kishin njohje që më përpara si patriotë shqiptarë që ishin. Më vonë Kolë Rodhja bashkë me një grup shokësh, po si iniciator, krijon edhe një njësi çetash me një sasi të konsiderueshme luftëtarësh që u quajtën çetat e Gorës dhe Oparit dhe në krye të këtyre çetave zhvillojnë luftime, arrijnë të çlirojnë të gjitha krahinat deri në Bërzheshtë, çlirojnë edhe Pogradecin. Te kjo fotografia këtu janë komandantë të çetave të Gorës me Kolë Rodhen në krye. Ndërsa kjo është fotografia e vullnetarëvë që u nisën që nga Amerika për të luftuar në Shqipëri. Në kapelat e tyre shkruhet “Liri a Vdekje”, domethënë ky ishte qëllimi i tyre, o liri a vdekj,e me në krye Kolë Rodhen që ishte edhe vetë kryetari i shoqërisë Besa-Besë, edhe dha shembullin i pari “pas meje,- iu tha,- të shkojmë në Shqipëri, të ndihmojmë popullin për liri!”. Kjo është fotografia e Odesës për të mbledhur ndihma për çështjen patriotike. Si luftëtar i atdheut, për çështjen e atdheut sigurisht një rol të rëndësishëm zinin edhe kostumet kombëtare. Dhe këtu në këtë fotografi ka dalë me kostumin kombëtar të zonës sigurisht që nuk duhet të mungonte edhe arma se çështja kryesore ishte liria e atdheut. Kurse në këtë fotografinë këtu, Kolë Rodhja ka qënë kryetar i Pleqësisë së Degës së Malboros në Masaçusets të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe këtu janë antarë të Pleqësisë. Kola, në fillim, ka qenë redaktor në gazetën ‘Dielli”, organ i gazetës “Vatra”, pastaj, më vonë, ai krijon dhe një gazetë të tijën, gazetën “Vullnetari”. Në numrin e parë të tij ai bën të qartë edhe synimin pse e ka krijuar këtë gazetë. Synimi i tij është “Organizimi i shqiptarëve në të gjithë Amerikën në Shoqata për të rritur mbështetjen e të gjithë shqiptarëve, sa më shumë për të ndihmuar Mëmën Shqipëri që ishte në kushte të vështira”. Gazeta “Vullnetari” është botuar rreth 1 vit e gjysmë, në vitet ‘16 e ‘17-të. Çdo gjë është e Kol Rodhes, atje ka edhe skica, ka dhe karikatura për ata kundërshtarët e Shqipërisë, të gjitha janë të bëra prej Kolë Rodhes. Ka shkrojtur pothuajse në të gjitha gazetat e kohës, ka qenë aktiv me shkrim. Është një gazetë që pasqyron datën kur populli i rrethit të Korçës e ka votuar Kolë Rodhen me një diferencë shumë të madhe votash nga pasuesit e tij për ta përfaqësuar në Parlamentin e parë të Shqipërisë.

Si erdhi arrestimi dhe dënimi i tij nga regjimi komunist?  

Menjëherë me pushtimin e Shqipërisë nga Italia, nuk pranon në asnjë mënyrë të vendosë kopsën e Fashiosdhe bëri thirrje se tani “detyra na thërret për çlirimin e Atdheut”. Merr përsipër organizimin e forcave partizane. Ka qenë me detyrën Kryetar i Këshillit AntiFashist Nacionalçlirimtar për qarkun e Korçës. Domethënë Kolë Rodhja ishte një nacionalist i pastër që donte vetëm lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe për këtë nuk vinte asgjë tjetër, as pasurinë dhe asgjë tjetër. Ishte njeri që njihej në popullin e Korçës sepse e ka përfaqësuar disa herë në Parlament edhe me forcën e tij arriti që të krijonte grupet guerrile, njësitë guerrile. Njeri i nderuar, i respektuar. Mirëpo në momentin e çlirimit të vendit, kur shikon përuljen e pushtetit të Shqipërisë karshi atij jugosllav, kur shikon që politika jugosllave ngrihej në majë, edhe gjithë plaçka e luftës iku në Jugosllavi, edhe çdo gjë flitej vetëm për Jugosllavinë, Kosova iu bashkangjit  përsëri Jugosllavisë. Ai nuk mund ta duronte dhe vendosi, si njeri aktiv në jetën e tij, megjithëse ishte me moshë, vendos që të rimarrë përsëri njëfarë force, vullneti të bëjë një organizim për të kundërshtuar këtë gjë që po ndodhte në Shqipëri. Ishte me shpirt demokrat, donte krijimin e shumë partive, domethënë donte të kishte konkurrencë për pushtetin të mos ishte vetëm një parti dhe për këtë arsye ai u lidh edhe me Musine Kokalarin e desh të hapte dhe degën e Partisë Socialdemokrate për qytetin e Korçës. Me mbështetësit dhe përkrahësit e tij, arrin të krijojë një bërthamë. Mirëpo të gjitha veprimet e tij kishin rënë në sytë e qeverisë komuniste dhe duke e parë si një armik potent, ata vendosin që ta arrestojnë dhe ta dënojnë. Dhe e arrestuan, e kanë arrestuar në janar të vitit 1946, megjithëse Kolën e kishin arrestuar edhe turqit, e kishin burgosur, domethënë ishte njeri që kishte provuar edhe burgjet, edhe vuajtjet e të gjitha.

Ku e vuajti dënimin?

Gjyqi… iu bë një gjyq popullor siç ishte atëherë me propagandën komuniste. Momenti i arrestimit, sipas atyre që kam dëgjuar nga të parët, ishte i menjëhershëm, i papritur, pa asnjë lloj paralajmërimi. Dhe venë atje arrestojnë Kolën dhe jo vetëm Kolën që arrestojnë, por edhe të shoqen bashkë me pesë fëmijë, megjithse ka qenë janar, i marrin siç ishin, me rrobat e trupit, nuk i lanë të merrnin as palltot, nuk i lanë të merrnin as çorape, as këpucë rezervë. Dhe siç ishin i hipin në një makinë dhe i shpien në një shtëpi të vjetër të braktisur. Dënimi qe i bujshëm, e quajtën armik të popullit. Akuzat kryesore qenë për antijugosllav, po një nga akuzat e tjera ishte edhe akuza se kërkonte krijimin e shumë partive, kërkonte liri dhe demokraci, liri shtypi e liri fjale dhe demokraci. Në fillim Kolë Rodhen e kanë dënuar me pushkatim, ishte pretenca, por pastaj për merita patriotike, pasi u dorëzuan shumë dokumente të familjes, të patriotizmit të Kolës, bashkëpunimi dhe letërkëmbimi me shumë patriotë të asaj kohe e bënë që nga pushkatim ta dënojnë me 35 vjet burg. Injoranca ose si të thuash ironia e fatit dhe e pushtetit sepse ai ishte në moshën 60-vjeçare dhe i binte që të dilte nga burgu në moshën 95-vjeç. S’kishe ç’i bëje fatit. Vuajti shumë edhe familja sepse një familje e mesme korçare e mësuar me rregulla me të gjitha, u ndodh pa asnjë mbështetje financiare në mes të katër rrugëve, me fëmijë të vegjël sepse Kola ishte martuar pak i madh. Megjithatë jeta vazhdonte… Pas gjyqit, Kolën e shpien në Burrel, në burgun famëkeq të Burrelit, qelia nr:6. Atëherë propaganda ishte që qelia nr:6 ishte “ferri” edhe asnjë nuk dilte i gjallë. Edhe vetë burgu i Burrelit, edhe vetë propaganda komuniste, kjo ishte mënyra që ata t’i demoralizonte në burg, që t’iu priste shpresën…

Cilat ishin rrethanat që çuan në vdekjen e tij?

Ka qenë jo vetëm persekutimi, po familja mundohej me të gjitha mënyrat që të mblidhte diçka për t’ia dërguar, ushqimet, cigaren që e pinte. Kur vinin që t’i merrnin ushqimet ata ia përzienin cigaret bashkë me bukën. Vendosi dhe iu tha “mos më dërgoni më cigare”. Përsëri në momentin që jepeshin pakot, lajmëronin për shëmbull: “ka ardhur pako nga familja”. Për të marrë pakon që nga qelia dhe deri në dhomën ku mbaheshin pakot, rojet i merrnin, i shtynin, “kape e prite”. Këto ishin gjëra që Kola nuk mund t’i duronte dot edhe iu tha dhe të shpisë që mos më dërgoni më pako. Domethënë mosha e tij, përveç kësaj edhe humbja e shpresës, bënë që ai të humbiste edhe synimin e tij dhe u demoralizua. Një nga arsyet thonë që, pra shkaku ka qenë edhe uria, përveç moshës, edhe uria. Ka qenë një burrë i fortë që donte drejtësi gjithmonë, edhe në birucë kur ishte dhe me ata të burgosurit, ishte gjithmonë ai që iu jepte shpresë. Ata që ktheheshin, pasi kishte dhe njerëz të dobët që viheshin në shërbim të pushtetit, ata gjithmonë ai i godiste si të thuash. Vdekja e tij ka qenë një vdekje mes torturash. Kolë Rodhja ka qënë shok lufte dhe armësh edhe me shumë patriotë. Dhe atje në birucë kishte edhe patriotë, shokë të tij të armëve të dënuar. Një nga këta patriotët që kundërshtontë e kanë mbytur në mes të qelisë duke i vënë shkelmin në grykë dhe e bënë si shembull për të tjerët që kështu do vdisni dhe juve nëqoftëse vazhdoni me mendimet tuaja.

Kur dhe si e morën vesh lajmin e vdekjes së Koli Rodhes?

Lajmin e vdekjes së Kolë Rodhes në shtëpi ia transmetuan organet e pushtetit. I lajmëruan që Kolë Rodhja ka vdekur edhe nuk keni më pse i dërgoni veshmbathje apo ushqime.

A keni dijeni se ku mund ta kenë varrosur trupin e tij?

Më vonë, në familjen e Kolë Rodhes, së gjyshes, vjen një person që kishte jetuar në birucë me Kolën edhe u thotë që: “Kolë Rodhja ishte një njeri që nuk mund të dilte nga burgu, ishte një njeri që nuk e pranonte dot sistemin, dhunën, nuk e pranonte dot padrejtësinë, për çdo gjë ai do thoshte mendimin e tij dhe kjo e bënte një njeri të padëshirueshëm për pushtetin”. Dhe midis të tjerash tha që: “isha unë personi që ka vdekur në duart e mia Kolë Rodhja dhe unë isha personi që e kam varrosur sepse atëhere në institucionin e burgut nuk kishte një ekip të veçantë që të merrej me varrosjen e njerëzve që vdisnin në burg. Por ne ishim të paushqyer, ishim të pafuqishëm. Atje në “Qershiza” ishte një tokë shumë e fortë gurishte dhe  ne nuk kishim as mjete dhe as vegla për të hapur dhe për të bërë gërmimin e duhur për të varrosur njerëzit. Unë e kam hapur me mjete rrethanore, me ç’kisha atje një vend dhe të them të drejtën nuk kisha më as fuqi që ta hapja më të thellë. Domethënë unë nuk e kam mbuluar me më shumë se 20-30cm dhe përsipër.  Përveç kësaj ajo qe një zonë e shkretë që kishte edhe egërsira edhe qentë lëviznin natën dhe kishte  shumë raste që i zbulonin kufomat e njerëzve të vdekur.

Kur keni filluar kërkimet për gjetjen e eshtrave të gjyshit tuaj?

Në kohën që ky zotëria ka erdhur, ishte regjimi komunist në kulmin e tij, nuk bëhej fjalë që të shkoje apo as t’i afroheshe dot burgut të Burrelit. Përveç kësaj gjyshja ime, një grua vërtet trimëreshë sepse megjithëse ishte një zonjë deputeti dhe prefekti më përpara, brenda 24 orëve të gjendej në mes të katër rrugëve me pesë fëmijë të vegjël pa asnjë lekë në xhep, domethënë edhe në një strehë ku ç’binte jashtë, hynte brenda dhe pa pasur as veshmbathje për fëmijët që i kishte akoma të vegjël, gjeti forcë e i rriti fëmijët dhe përfundimi është që ata u rritën, krijuan familjet e tyre dhe vazhdoi jeta. Por me ardhjen e demokracisë ne u interesuam për punën e eshtrave të gjyshit, mirëpo atje në Qershiza kishte shumë, domethënë nuk ishte vetëm Kola, atje të gjithë, pothuajse të gjithë ata që vdisnin në Burrel atje i varrosnin dhe nuk kishte një vend të përcaktuar. Nga eshtrat që u zbuluan, përveç kësaj, më  vonë u bënë edhe gërmime, u bënë ndërtime atje në Qershiza dhe u bë e pamundur gjetja e eshtrave.                                                                                                           

Në fillim të demokracisë siç ju thashë ne u ingranuam të gjithë në kërkim, por me kalimin e kohës… edhe ndryshimet, jemi interesuar edhe në institucione, shpresa ka humbur… Ndoshta nuk e di, nuk e di ndoshta, por që deri tani nuk ka më shpresë sepse nuk shikojmë asnjë interes të një institucioni kryesor siç është shteti për shembull që të ringrejë ose t’i rikërkojë eshtrat e këtyre njerzëve të nderuar që dhanë jetën për liri dhe demokraci.   

Si ndikon te ju fakti që gjyshi juaj, atdhetari Koli Rodhe nuk ka ende sot një memorial?

Na ka mbetur merak se të paktën luftoi, punoi për Shqipërinë një jetë të tërë, dha dhe jetën për një demokraci edhe për një jetë më të mirë për shqiptarët edhe nuk ka një vend ku të shkosh t’i ndezësh një qiri që ta përkujtosh. Ne ndihemi krenarë që e kemi pasur gjysh, e respektojmë edhe e kujtojmë gjithmonë, por kjo nuk ndodh, ka ndodhur shumë pak për meritat që ai ka në luftën e tij që ai ka bërë gjatë gjithë jetës për të mirën e Shqipërisë, për një Shqipëri të pavarur, për një Shqipëri demokratike, për një pushtet demokrat të popullit, për zgjedhje të lira. Këto ishin ato që donte Koli Rodhe gjatë jetës së tij.

Dëshmia/ Majlinda Anxhara: Pengu për gjyshin patriot

Figura e Koli Rodhes pa dyshim ka lënë gjurmë në gurët e historisë së vendit tonë dhe do të mbetet i paharrueshëm në altarin e atdhetarizmit. Pasardhësit e tij janë të shumtë dhe përçojnë, me shumë dashuri dhe qytetari, vlerat e trashëguara nga ai. Sot jetojnë nipërit dhe mbesat të cilët kaluan në kalvarin e persekutimeve, ka 9 nipër dhe mbesa, 15 stërnipër dhe stërmbesa. Majlinda Anxhara është një prej tyre.

Unë quhem Majlinda Anxhara Rodhe, mbesa e patriotit Koli Rodhe, vajza e djalit të madh të Kolit. Padyshim historia e familjes sonë është një histori e gjatë e dhimbshme por njëkohësisht dhe e bukur. Të gjithë që kanë dëgjuar, sepse për të njohur nuk e kanë njohur, po kanë dëgjuar, kanë lexuar, kanë njohur familjen e Kolit, e dinë që ai ka qenë një patriot, që ka dhënë jetën për Shqipërinë. Dhe ne si nipër dhe mbesa të tij, se jemi gjithësej nëntë nipër dhe mbesa, pasi sot që unë po flas, fëmijët e tij nuk jetojnë, po jetojmë ne, jemi shumë krenarë që jemi pjesë e familjes së tij, jemi pjesë e tij.

Cili është pengu juaj kaq vite pas zhdukjes së gjyshit tuaj?

Me atë që ai ka bërë për Shqipërinë, ne na ka mbetur një peng i madh. Iu mbeti fëmijëve të Kolit të cilët vuajtën shumë në regjimin komunist, të cilët nuk patën dot mundësi që t’i shpinin një tufë me lule babait të tyre. Kuptohet që për çdo fëmijë prindi është më i miri dhe ai vërtet ishte më i miri. Por vitet kaluan dhe asnjë prej tyre nuk mundi dot. Kemi mbetur ne, nëntë nipër dhe mbesat e tij të cilët shpresojmë që ndoshta në një moment të caktuar mund të gjendet, mund të krijohet ndoshta një memorial sepse atje ku ai është varrosur në Qershizë në Burrel ndodhen shumë eshtra. Kështu që besoj se do vijë momenti që ne, pasardhësit e tij do shkojmë pranë varrit për të ndezur një qiri për ta nderuar, për ta respektuar dhe për t’u krenuar për gjyshin tonë. I cili jetoi në tri epoka: në epokën e Rilindjes, në epokën e Pavarësisë dhe në epokën e Genocidit Komunist, i cili ia mori jetën, e zhduku dhe fëmijët e tij vuajtën kalvarin e vuajtjeve të pafundme e jo vetëm fëmijët e tij, por dhe nipërit dhe mbesat e tij të cilët nuk u shkolluan në ato vite dhe vuajtën persekutimin.

Intervistoi; Najada Pendavinji per dokumentarin "Varret pa emer"/kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here