"Djali tha se policia i torturonte shumë nga bashkëjetuesit që ishin të pazotë për punë dhe se njerëzit e sëmurë nuk vinin të vizitoheshin te doktori i kampit, mbasi, si zakonisht, ai u thoshte se nuk kish shpresa përmirësimi.
...Asnjë nuk guxonte të mos vinte në punë – tha fëmija; të afërmve e prindërve të tij nuk i lejuan të mungojnë një ditë nga puna për t'u kujdesur për të bijën e tyre të sëmurë dhe vajza e vogël vdiq pa nënën e vet, që nuk mund të bënte diçka për atë".
Gjon Pjetri ishte një djalë 12 vjeç nga Oroshi i Mirditës, i cili në vitin 1951, gjendej i internuar në kampin e Tepelenës me gjithë familjen e tij, por pasi kishte kaluar kohët më të tmerrshme në atë kamp, ai së bashku me vëllanë e tij 8 vjeç ishin liruar nga kampi i Tepelenës dhe pas lirimit ai kishte guxuar të arratisej. Fati e kishte ndihmuar dhe më 13 gusht 1951 ai kishte kaluar në Jugosllavi. Falë dëshmisë së tij dhënë menjëherë pas arratisjes, pak javë pas lirimit nga internimi, mund të dokumentojmë disa të dhëna të rëndësishme për kampin e Tepelëns dhe jetën aty. Dëshmia e tij ishte publikuar në gazetën "Borba" në Beograd dhe ajo dëshmi ishte përdorur në raportin e qeverisë amerikane, dërguar në OKB në vitin 1955.
Në dëshminë e Gjonit 12-vjeçar, përshkruar në raportin e qeverisë amerikane, zbulohet se ai "...kaloi në Jugosllavi më 13 gusht 1951, është një prej banorëve të kampit të përqendrimit në Tepelenë, i cili ka dhënë një dëshmi grafike mbi jetën në kamp, ku ai qe internuar me gjithë familjen e tij. Pak javë para se të ikte në Jugosllavi, policia e kishte lëshuar nga kampi së bashku më vëllanë e tij 8-vjeçar, pasi ishin shumë të rinj, por prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes u mbajtën".
Prej këtij fragmenti të dëshmisë kuptojmë se amnistia e një targetgrupi te caktuar fëmijësh, nga kampi i Tepelenës, ata që nuk ishin të aftë për punë, e dëshmuar edhe nga të tjerë të mbijetuar të këtij kampi, ishte bërë në verën e 1951-shit.
Raporti shkruan më tej se Gjoni e kishte menduar se gjatë arratisjes mund të humbiste edhe jetën, por ai kishte vendosur të ikte pasi nuk kishte se kush të kujdesej për të dhe se nuk mund të gjente ndonjë punë.
Dëshmia për jetën në kampin e Tepelenës zbulon se "megjithëse fëmijë, ai i provoi në kamp të gjitha vështirësitë e një të rrituri".
"Ai tha se në kamp kish një mijë njerëz, shumica pleq, gra dhe fëmijë. Gjithashtu merrnin si ushqim “një copë të vogël bukë misri dhe një lloj supe në të cilën rastësisht gjeje ndonjë fasule”. Ai tha se shumë njerëz flinin mbi çimento, policët nuk i lejonin të merrnin batanije kur arrestoheshin. Uria, papastërtia dhe keqpërdorimi në kamp, shkaktuan vdekjen e shumë njerëzve, njoftoi fëmija".
Detajet e mësipërme, përshkruar prej Gjonit 12-vjeçar në vitin 1951, përforcojnë dhjetëra dëshmitë e marra prej të mbijetuarve të kampit të Tepelenës, që dëshmojnë edhe sot e kësaj dite mbi urinë në kamp dhe terrorin e ushtruar aty prej komandës.
Raporti veçon më tej dëshminë e Gjonit kur përshkruan kushtet në kazerma, ku rrinin së bashku qindra të internuar.
"Ai mbante mend me hollësi një dhomë të errët dhe të ngushtë që mbante disa qindra fëmijë dhe të rritur, të cilët ishin të prekur nga turbekulozi, sëmundjet e lëkurës dhe sëmundje të tjera".
Dëshmia e Gjonit jep të dhëna edhe për të sëmurët në kamp dhe detyrimin me forcë për të punuar edhe kur prindërit kishin fëmijët në prag vdekje e kerkonin kujdes. Ai kishte dëshmuar për vdekjen e motrës së tij që mbylli sytë pa i patur prindërit afër, pasi ata i çonin me detyrim në punë, ndërsa e vogla dergjej e sëmurë.
"Djali tha se policia i torturonte shumë nga bashkëjetuesit që ishin të pazotë për punë dhe se njerëzit e sëmurë nuk vinin të vizitoheshin te doktori i kampit, mbasi si zakonisht ai u thoshte se nuk kish shpresa përmirësimi. Edhe të sëmurëve u duhej të shpinin dru në kamp dhe kjo qe një punë e lodhshme edhe për të rriturit e shëndoshë, se pylli ishte 12 km larg kampit. Asnjë nuk guxonte të mos vinte në punë – tha fëmija; të afërmit e prindërit të tij nuk u lejuan të mungojnë një ditë nga puna për t'u kujdesur për të bijën e tyre të sëmurë dhe vajza e vogël vdiq pa nënën e vet, që nuk mund të bënte diçka për atë".
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.