Pranë Repartit nr.313 në Tiranë, por edhe pranë dhomave të izolimit në degët e Punëve të Brendshme në rrethe kishte një depo të posaçme, ku magazinoheshin sendet e sekuestruara në shtëpitë e të ndaluarve, të cilat, në shumë raste, nuk iu kthyen më të zotëve. Në këtë mënyrë, u shuan kujtimet e sa e sa familjeve.
Pas rënies së regjimit komunist, shumë persona të dënuar kërkuan sendet e tyre personale si libra, fotografi, diploma personale, rroba, etj, të cilat organet e hetimit dhe policisë ua kishin marrë. Kërkimet e tyre bëheshin më kot në arkiva, kur dihej se në arkiva nuk përfundonin sende të cilat nuk përbënin provë penale. Këto sende nuk shkonin kurrë në arkiva.
Reparti nr.313 Tiranë shërbente si vend ky kryheshin hetuesitë speciale të të ndaluarve me masë arresti në kohën e diktaturës komuniste. Ai kishte edhe një depo të posaçme ku mbante sendet e të dënuarve, të cilat u ishin marrë në shtëpi të arrestuarve gjatë kontrollit që u ishte bërë banesës. Edhe në degët e punëve të brendshme në rrethe, afër dhomave të izolimit, kishte depo sendesh. Në praktikën e këtyre rasteve, kur sendet nuk përbënin provë hetimore, ato shpërndaheshin (brenda dy vjetëve), ose në rastin më të keq, digjeshin. Në këtë mënyrë shuheshin edhe një pjesë e kujtimeve të sa e sa familjeve.
Tre vjet pas arrestimit (më 25.10.1975) e dënimit të babait të tij, Adrian Vasil Kati, i ndodhur i internuar në Kotë të Vlorës, i shkruan më 22.11.1978 Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke kërkuar që t’i ktheheshin sende të tilla si: 165 copë fotografi familjare, korrespondenca e Fedra Katit, diplomën e Vasil Katit, 8 shirita magnetofoni, 4 blloqe, 1 atlas bote, një çantë dore dhe libra të Adrian dhe Kozara Katit. Këto ishin marrë nga hetuesit Rako Kola e Dhimitër Shkodrani, duke u çuar më pas në depon e Repartit nr.313. Pavarësisht se nuk përbënin ndonjë shkak për t’u përdorur si provë hetimore, ato nuk iu dorëzuan familjes.

Në informacionin e datës 3.3.1979, Hetuesia bën të ditur se sendet kishin kaluar në sekuestro konservative, por gjykata i kish përjashtuar më pas nga konfiskimi sepse ishin libra, pronë të fëmijëve, etj.. Përgjigja do jepej nëpërmjet hetuesit të çështjes, por pjesa kryesore nuk do i jepej familjes.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.