Tanush Kaso rrëfen për haluçinacionet që nisën ta mundonin prej ilaçeve të hedhura në supë gjatë periudhës së hetuesisë. Por nuk kanë qenë vetëm mendjet dhe trupat e të arrestuarve, që komandoheshin nga diktatura me anë të këtyre medikamenteve. Një rrëfim tronditës për metodat dhe shkallën e kontrollit të shtetit mbi qytetarët dhe veçanërisht të dënuarit politikë, gjatë regjimit komunist
Ka qenë një kohë, aty nga fillimi i viteve ’60, kur Sigurimi i Shtetit zëvendësoi torturat mesjetare të përdorura gjatë hetuesisë, me disa të tjera që ngjanin më shumë si produkt i shekullit XX. Sigurisht, torturat barbare fizike nuk u përjashtuan nga trajtimi i të arrestuarëve, por siç thotë Tanush Kaso, një ish-i dënuar politik, ato rezervoheshin për persona të veçantë, ndërkohë që për shumicën, ishin bërë të modës, presionet psikologjike dhe medikamentet e mjekësisë kriminale. Këto i importonin nga Kina ose Gjermania Lindore, por i përdornin në mënyrë aq trashanike, sa për disa të arrestuar nuk ishte më sekret që supa ishte mbushur me të tilla ilaçe, prej erës që ngrihej nga tasi ku ua hidhnin.
“Për ilaçet kemi marrë vesh edhe nga disa bashkëvuajtës tanë, ish-oficerë Sigurimi, që për një arsye ose për një tjetër, u arrestuan. Ata dinin shumë hollësira për përdorimin e tyre. Sigurimi importonte medikamente të mjekësisë kriminale prej Kinës dhe Gjermanisë Lindore. Po kjo mbahej sekret. Ne e kuptonim, se ata i përdornin në mënyrë trashanike. Nganjëherë ndihej era e ilaçeve në gjellën që hanim”, rrëfen Tanush Kaso për Zërat e Kujtesës V, botim i ISKK.
Mënyra si shpërndahej supa, ndryshonte nga një hetuesi në tjetrin. Tanush Kaso që ka provuar për 9 muaj hetuesinë në birucat e Durrësit dhe 6 të tjera në ato të Tiranës, tregon që në Durrës, vendoseshin tasët para çdo qelie dhe aty polici hidhte supën duke pasur mundësi, nëse kjo ishte vendosur, të shtonte ilaçin vetëm para qelive të caktuara, para se të hapeshin dyert dhe të arrestuarit të merrnin racionin e ditës. Ndërsa në Tiranë, ata rreshtoheshin me tasa në duar dhe shkonin te kazani i supës në fund të korridorit ku polici u zbraste secilit “spirilëngun”, siç ia kishin vënë emrin recetës, të burgosurit, por kjo nuk i mbronte nga medikamentet e mjekësisë kriminale. Ato mund të hidheshin edhe në gjithë kazanin për t’u shpërndarë pa dallim te të gjithë të arrestuarit apo dënuarit. Madje, Tanush Kaso thotë që medikamentet hidheshin në masë edhe në ushqimin e atyre që nuk ishin fare në burgje, edhe pse, siç kuptohet, pak kontroll u jepte shteti për jetën e deri dhe për trupin e tyre. “Po edhe në kazan mund të kishin hedhur diçka më parë; siç bënin nëpër aksionet e rinisë, ku hidhnin ilaçe për të frenuar ndjenjën seksuale e për të parandaluar skandalet. Efektin e ilaçeve e provova vetë, kur nisa të ndiej dhimbje koke dhe më filluan haluçinacionet”. Haluçinacionet i ndjeu për herë të parë, kur hetimin e tij nisi ta drejtonte Llambi Titani, një vllah nga fshatrat e Korçës, me gradën major. “Nuk përdorte shumë dhunë fizike, por kishte metoda të tjera. Përdorte dhunën psikologjike dhe barnat sekrete, nga ato që i kanë praktikuar në mjaft raste tek të paraburgosurit, për të çrregulluar sistemin nervor, për ta bërë njeriun me ankthe. Madje, nga përdorimi i tepërt i këtyre ilaçeve disa kanë humbur edhe aftësitë mendore dhe ato gjenitale.” Llambi Titani nisi t’i kërkojë Tanush Kasos, arrestuar me një grup të rinjsh që akuzoheshin për krijimin e një partie, lidhjen me jashtë dhe për arritjen e qëllimit përdori të gjitha format e presionit psikologjik, për të cilat ishte i specializuar. Ndër të tjera, e çoi në një dhomë, ku mund të shihje mjetet e torturave të përdorura ndaj të arrestuarëve. Qëllimi nuk ishte për t’i përdorur në trupin e të arrestuarit, por për t’i ngulur në mendjen e tij, edhe pse Tanush Kaso arriti ta kuptonte këtë lloj presioni.
“Më kujtohet se kur Llambi Titani më bënte presion e më kërkonte “lidhjen me agjenturat e huaja”, më thoshte, ndër të tjera: -“Ne jemi në gjendje të të vdesim e të të ngjallim. Ne, po të duam, të torturojmë që të mos e marrësh veten kurrë, se i kemi të gjitha mundësitë dhe mjetet. Po Partia mendon për ju të rinjtë”. Dhe një ditë më futi në një dhomë ku kishte mjete torturash. Si duket ajo ka qenë përdorur vite më parë, në “kohën e Koçit”. Edhe dhomat apo “birucat”, ku na kishin futur ne, quheshin “Birucat e Koçit”. Në dhomën e torturave, ishte një shtrat i hekurt, ku shtriheshin lakuriq burrat ose gratë, lidheshin me tela dhe torturoheshin barbarisht. Kishte disa panxha e dara, ganxha të ngulura në mur, pinca, tela korenti dhe vegla të tjera të papara ndonjëherë. Me gjasë, ato kanë qenë përdorur ose përdoreshin ende në raste të veçanta, për persona të caktuar nga drejtuesit e lartë të Sigurimit e të “Udhëheqjes”. Mbasi mori në dorë një palë darë të mëdha, Llambi tha me një krenari prej idioti:
- “Me këto, ne të shkulim dhëmbët, ose edhe ndonjë gjë tjetër... Këto fijet e korentit, i shikon? A e di se ku vihen këto? Po kalove në këtë dhomë, nuk mbetesh më njeri.”
Por, pamja e asaj dhome nuk bëri efektin që ndofta priste hetuesi mizor. Unë nuk u tremba, se isha i sigurt që ato lloj torturash, edhe nëse përdoreshin ende, nuk i përkisnin grupit tonë, të arrestuar vetëm “për fjalë goje”, siç thotë populli. Tani kishin ndryshuar metodat e torturave. Presionet psikologjike, si edhe ilaçet e mjekësisë kriminale ishin bërë të modës.”
Gjatë 9 muajve që vuajti hetuesinë në Durrës, Tanush Kasos, i krijuan psikozën e pushkatimit pa gjyq si një formë torture psikologjike, për të shembur rezistencën e tij në zbulimin e fakteve të kërkuara nga hetuesit, disa prej të cilave as nuk ekzistonin. “Në një mesnatë, heshtjen e birucave tona e prishën vringëllimat e zinxhirëve e të shulave të hekurt si dhe përplasja e dyerve që hapeshin e mbylleshin me forcë. U dëgjuan edhe zëra të burgosurish që pyesnin: “ku po na çoni”? Pastaj edhe ulërimat dhe goditjet e policëve, që i morën zvarrë ata fatkeqë, për t’i çuar përpara skuadrës së pushkatimit. Nga pëshpërimat e rojeve të brendshme me njëri-tjetrin, mësuam se ata kishin qenë të dënuarit me vdekje në gjyqin e “grupit të Teme Sejkos”, i cili kishte përfunduar pak kohë më parë. I kishin sjellë e mbajtur aty, në fshehtësi, për t’i marrë atë natë e për t’i çuar kushedi se ku që t’i pushkatonin e t’i varrosnin në vende sekrete.
Të nesërmen e asaj nate, policët që shërbenin si roje të brendshme, kalonin nëpër korridor duke biseduar me njëri-tjetrin me zë të ulët e duke komentuar atë që kishte ndodhur. Ne ishim të mbyllur nëpër biruca. Birucat kishin një sportel të vogël që polici e hapte kur u ndizte cigaren atyre që e pinin, ose kur komunikonte: -“Ngrihu se do të shkosh në hetuesi!” Ata e dinin që i burgosuri ka një dëgjim shumë të zhvilluar dhe flisnin me zë të ulët në korridor. Ndofta të udhëzuar nga hetuesi im, kur u afruan te biruca ime, dikush prej tyre tha: -“Këtu është ai që do ta pushkatojnë pa gjyq.” Nga dëgjimi i atyre fjalëve si dhe për efekt të ilaçeve, m’u krijua bindja se kjo do të ndodhte me të vërtetë me mua. Pak kohë më pas, kur në korridorin e errët të birucave kishte rënë heshtja, unë thirra me zë të lartë: “Vëllezër! Tregojini popullit se mua Tanush Kason, do të më pushkatojnë pa gjyq!” Ndërkohë, erdhi me vrap kryepolici, hapi derën e qelisë dhe pasi më vuri e m’i shtrëngoi fort hekurat, më dha disa goditje të forta me grushta fytyrës. Më dënuan edhe për disa ditë vetëm me bukë thatë, pa atë supën, që të burgosurit e quanin me tallje spirilëng”.
Veç torturave, provoi edhe provokimin, kur në qelinë e Tiranës i sollën një bashkëpunëtor të Sigurimit, bisedat me të cilin, sollën tortura të reja. Kjo histori për 15 muaj, deri sa dolën para gjykatës dhe Tanush Kaso u dënua me 13 vjet burg, ndërkohë që të tjerë si Uran Kalakulla dhe Pjetër Arbnori të dënuar bashkë me të, me pushkatim, edhe pse jeta iu fal më pas.
Por jeta, për asnjë prej tyre, nuk mund të ishte e njëjta më pas!
Citimet janë marrë nga "Zërat e kujtesës" V, botim i ISKK, nga Agron Tufa dhe Luljeta Lleshanaku.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.