Copa e bukës në lavaman

0
108
blank

Një rrëfim nga Islam Spahia për katër muajt e hetuesisë, gjatë të cilave u përball me urinë, braktisjen e familjes dhe me personazhe të skajshme si magazinieri i ndërmarrjes që shkoi në burg për t’i marrë përparësen dhe i dënuari i panjohur i qelisë ngjitur, që ndau me të bukën e përditshme.

 

Islam Spahia punonte si disenjator në fabrikën e tullave në Vorë kur e arrestuan më 15 tetor 1976. Ishte pikërisht duke shkruajtur parrullën “Rroftë Shoku Enver Hoxha” që do të vendosej të nesërmen në hyrjen kryesore të ndërmarrjes, me rastin e ditëlindjes së diktatorit. Sa do niste të shkruante shkronjën E, një grup burrash të veshur me kostum, i thanë se duhej të shkonte me ta për një sqarim në degën e brendshme. E kuptoi se do ta arrestonin. Kishin më se një vit që e ndiqnin këmba-këmbës. Iu duk e kotë të kërkonte të hiqte përparësen me bojë dhe të lante duart. Hipi në makinë, ku pas pak, i vunë prangat.

Megjithëse pinjoll i një familjeje të njohur patriotike, Islam Spahia nisi të survejohej nga Sigurimi i Shtetit që në moshë të re.  Fillimisht, atij iu ndërpre bursa, bashkë me ëndrrën, për të vazhduar studimet e larta në Akademinë e Artit të Leningradit pas përfundimit të liceut artistik të Tiranës. Vite më vonë, u internua për një periudhë 5-vjeçare në zonat e Elbasanit ku punoi në bujqësi dhe më 1976, u arrestua si armik i popullit duke u akuzuar “për përhapje të ideologjisë reaksionare nëpërmjet librave të ndaluar”.

Në librin e tij “Karuseli i totalitarizmit”, botuar nga ISKK në vitin 2020, janë publikuar edhe intervista, ku Islam Spahia përshkruan vitet e gjata të përndjekjes, gjashtë nga të cilat i kaloi i burgosur në Spaç. Kujto.al sjell një pjesë nga këto rrëfime, ku Spahia tregon për kohën e kaluar në hetuesi në burgun e Tiranës. Aty ku duhet ta kalonte dimrin pa ushqim, shtroje dhe veshje të përshtatshme, pasi familja nuk e vizitonte dhe magazinieri i ndërmarrjes, i vetmi që u interesua për të nga jashtë, erdhi vetëm për t’i marrë përparësen e punës, sepse e kishte në inventar. Por samaritani i mirë ndodhej në qelinë ngjitur. Ai nuk e njihte, por duke parë se te dera e Islam Spahisë nuk kishte kurrë trasta me ushqime, filloi t’i linte çdo ditë nga një copë bukë për të shuar urinë.

Dëshmia e Islam Spahisë

… Kalova katër muaj hetuesi. Sikur me ditë të tëra të mund t’jua sqaroj unë, prapë nuk do të arrini të kuptoni se çfarë provokimesh dhe çfarë presionesh të bëjnë aty, derisa ti të pranosh dhe t’i thuash ato që duan ata. Që në fillim kuptova se ata donin të fusnin brenda Isuf Kazazin, nipin e Qazim Mulletit. Ai ishte pikërisht personi me të cilin unë rrija në kafen "Flora" në kohën që agjentët e sigurimit më ishin vënë pas. Kur i shpreha drojën time, ai, në atë çast, më tha se e kisha nga stresi dhe se më kishte hipur ndjenja e persekutimit.

Megjithatë, nuk vonoi momenti që jo vetëm unë të arrestohesha, por edhe vetë Isufi po rrezikohej seriozisht. Këtë e vija re se ata kërkonin të dinin se çfarë thoshte ai. Unë sigurisht as që kisha ndërmend të tregoja gjë, prandaj u thosha se sa herë jam takuar me Isufin nuk kemi diskutuar tjetër veçse për gjëra pa rëndësi. Mirëpo ky avaz pyetjesh edhe provokimesh vazhdonte çdo ditë. Vetëm pas shumë kohësh, kur pas çdo forme të përdorur, panë se nuk mund të më nxirrnin gjë, ata hoqën dorë nga Isufi.

…Atë të ftohtë që po më hante trupin në qelitë e katit të parë nuk do ta harroj kurrë. Unë nuk kisha asnjë lloj shtroje dhe asnjë lloj mbulese, kur flija në atë qeli të akullt. Madje s'kisha asnjë gjë për të veshur. Vazhdoja të rrija me atë përparësen e bojatisur të punës, me të cilën isha ndodhur në momentin e arrestimit. Por edhe ajo përparëse nuk ishte e thënë që të më shërbente deri në fund, pasi pak kohë pasi isha arrestuar, më erdhi në burg magazinieri i ndërmarrjes për të ma marrë. Pra, siç e shikoni, ai erdhi që nga ndërmarrja në Vorë dhe ma mori përparësen me pretekstin se e kishte në inventar. E kuptoni se çfarë paradoksi dhe çfarë poshtërsie ekzistonte në këtë rast?! Vjen tjetri që nga Vora deri në Tiranë, për të kaluar të gjitha procedurat e burgut, për të marrë një përparëse të vjetër prej basme, madje të bërë tërë bojë. Kështu që ma morën dhe atë, që sidoqoftë, më mbronte diçka.

…Por ajo që dua të theksoj është uria e jashtëzakonshme që më kishte pushtuar të tërin. Mua në burg nuk më vinte asnjë familjar, pasi ata kishin frikë dhe presion nga im vëlla, që ishte jo vetëm komunist, por edhe funksionar i lartë. Ky ndëshkim më jepej sepse kisha bërë gabime politike. Mirëpo një situatë e tillë mua më kishte sjellë shqetësime të tilla sa që vuaja shumë edhe për bukën e gojës. Uria më shkaktonte dhimbje dhe këputje të mëdha në të gjithë trupin. Ishte e papërballueshme të jetoje me ushqimet që të jepte burgu. Të gjithë të dënuarit e tjerë kishin se çfarë të hanin, pasi familjarët u sillnin rregullisht nga shtëpia ndërsa unë s'kisha asgjë. Mirëpo puna arriti deri aty, saqë dalëngadalë, më filluan problemet e mungesave të vitaminave. Në lëkurë filluan të më dilnin puçrra. Kalova shumë kohë në këtë gjendje, me këtë lloj mundimi, derisa ndodhi që një ditë, ndërsa shkoja në banjë, duke u shoqëruar nga polici vura re se në lavamanin e saj kishte një copë bukë dhe një cigare. Nuk m'u durua kur e pashë dhe i kërkova leje policit që t'i merrja. Ai nuk kundërshtoi. Mirëpo u çudita kur një gjë e tillë më ndodhte sa herë që unë shkoja atje. Gjithnjë në lavaman gjeja një copë bukë dhe një cigare. Shumë vonë nga ajo ditë mësova se ato liheshin posaçërisht për mua nga i dënuari i qelisë që ishte ngjitur me qelinë time. Ai shikonte që mbrapa derës sime, se nuk kisha asnjë gjë për të ngrënë dhe kishte kuptuar që nuk kisha kontakt me familjen, ose nuk kisha fare familje. Pa më njohur, madje pa më parë as një herë, ai sa herë dilte në banjë, më linte atë racionin e përditshëm, bukën dhe cigaren.

Shënim: Dëshmia është shkëputur nga libri “Karuseli i totalitarizmit”, pjesë e intervistave, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ISKK, Tiranë 2020.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here