Regjimi komunist e la pa baba që në moshën 10-vjeçare, pasi Reis Agaj, duhej të arratisej për t’i shpëtuar pushkatimit. I mbetur edhe pa nënën, dy vjet më pas, Cania nisi punën në ndërtim që 13 vjeç për t’u kujdesur për 5 vëllezërit dhe motrat më të vegjël. Më vonë, përjetoi bashkë me vëllezërit, internimin e dytë dhe jetesën në një kasolle bagëtish. E megjithatë ai arriti të kujdesej dhe edukonte familjen duke lënë pas modelin e një njeriu të urtë, të dashur dhe të papërkulur.
Pak ditë më parë, ndërroi jetë në Tiranë, Cane Agaj i lindur në Vlorë në vitin 1935.
Ai ishte një nga bijtë e familjeve të njohura, të cilat gjatë regjimit komunist përjetuan përndjekje të pasosur, por që gjithsesi nuk e humbën dinjitetin duke fituar dhe gëzuar respektin e kujtdo që i njohu.
Cania ishte nip i Shero Emin Agajt dhe Ago Agajt. Gjyshi i tij, aga i Smokthinës u bë i njohur si patriot për mbështetjen e përpjekjeve për pavarësi. Ndërsa xhaxhai, Ago Agaj ishte një intelektual i spikatur, i diplomuar në Vjenë për inxhinieri agronomike, por që gjithashtu e vazhdoi traditën patriotike të familjes. Ai mori pjesë në Kongresin e Lushnjës dhe Luftën e Vlorës dhe më pas në Revolucionin e Qershorit. Pushtimi italian e gjeti në burg, pasi ishte dënuar për ngjarjet e Kryengritjes së Delvinës. Më pas, mori detyra të rëndësishme si prefekt i Mitrovicës, duke arritur deri në atë të ministrit të Ekonomisë Kombëtare në vitin 1943. Pas ardhjes në pushtet të komunistëve, Ago Agaj u largua në Shqipëria së bashku me vëllezërit e tij Reisin, babain e Canes dhe Daverin. Ishte një lëvizje e detyruar për arsye sigurie, pasi të tre vëllezërit, që kishin pasur nivele drejtuese në krahun nacionalist u dënuan me pushkatim nga regjimi komunist.
Por regjimi nuk mjaftohej me dënimin e atyre që konsideronte armiq. Ai e zgjeronte dënimin edhe te familjarët pa kursyer as fëmijët. Kështu në vitin 1945, kur Cania ishte vetëm 10 vjeç, e gjithë familja u internua nga Tirana në Kotë të Vlorës. Pas dy vitesh, ndërroi jetë nëna e tyre, Esma Agaj (e bija e Zenel Gjolekajt nga Kuçi). 6 fëmijë ku Cania ishte më i madhi, dhe pse ende i parritur, mbetën jetimë. Ata u detyruan të shkojnë në Vlorë për të jetuar me gjyshen nga babai. Gjyshe Pashakoja, tashmë duhet të kujdesej për 13 jetimë që dhe pse i kishin baballarët gjallë, duhet të rriteshin pa ta.
Cania u detyrua të fillonte punë në ndërtim që në moshën 13-vjeçare, duke marrë përgjegjësinë e kujdesit për 5 vëllezërit dhe motrat më të vegjël. Por regjimi nuk u mjaftua as me kaq. Më 26 qershor të vitit 1967, të tre djemtë e Reisit: Cane, Beun dhe Avni Agaj u internuan në Hysoverdhë të Vlorës, ku jetuan deri në fund të diktaturës, në vitin 1991. Vitet e para, tre të rinjtë e familjes Aga, i kaluan në një kasolle të braktisur bagëtish 5 km larg qendrës së banuar. Ishte një trajtim çnjerëzor vetëm e vetëm se babai i tyre mbeti një antikomunist i spikatur edhe në emigrim. Në SHBA, ku u vendos përfundimisht, ai ishte pjesë e kolonisë antikomuniste shqiptare. Por fëmijët që përjetonin hakmarrjen nuk kishin qenë as 10 vjeç kur e kishin parë për herë të fundit. E megjithatë këta fëmijë që u rritën e krijuan familje në kushtet më të vështira, u bënë një model sjelljeje duke fituar respektin e të gjithë zonës.
Vëllai i madh, Cania do të kujtohet gjithmonë si një njeri i urtë e i dashur. Me vetëmohim, ai edukoi dhe u kujdes për gjithë familjen e tij, duke u detyruar t’u bëhet baba 5 vëllezërve dhe motrave që në moshën 13 vjeç.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.
