La Vjenën ku përfundoi studimet, me rezultate shumë të mira, për të shërbyer në vendin e tij, por me vendosjen e regjimit komunist, do të përndiqej si e gjithë familja Mulleti, duke u burgosur, internuar dhe torturuar. Diktatura nuk e la të qetë, deri në eliminimin fizik, vetëm se ishte vëllai i Qazim dhe Hysni Mulletit, të arratisur nga Shqipëria
Haki Mulleti u lind në vitin 1900 në një familje me emër të mirë tiranase dhe mësimet e para i mori nga mësuesi i parë i gjuhës shqipe të Tiranës, Hafiz Ibrahim Dalliu. Në moshën 13-vjeçare ai u dërgua për të ndjekur mësimet në Vjenë të Austrisë. Pas mbarimit të shkollës së mesme me rezultate shumë të mira, Hakiu ndoqi studimet e larta në degën e Administratës Civile, të cilën ia rekomandoi profesori i tij i shkollës së mesme dhe e përfundon atë me rezultate shumë të mira në vitin 1920. Pas mbarimit të studimeve, Haki Mulletit i ofruan një vend pune në kryeqytetin austriak, Vjenë, por ai nuk pranoi sepse në atë kohë i erdhi një telegram nga Shqipëria, ku kryeministri i asaj kohe Sulejman bej Delvina i shkruante: “Të ktheheni urgjent në Tiranë, pasi jeni ngarkuar me detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme”. Pas atij telegrami, ai vjen menjëherë në Tiranë dhe në atë detyrë ai punoi deri në vitin 1925, kur u rikthye Ahmet Zogu në pushtet dhe e pushoi menjëherë nga puna. Kjo gjë erdhi për shkak se i vëllai i tij Qazim Mulleti, i cili kishte qenë kryetar i rinisë së organizatës fanoliste “Bashkimi” ishte arratisur nga Shqipëria dhe ndodhej në emigracion politik si antizogist. Përveç kësaj, një nga arsyet që e detyruan Zogun ta largonte Hakiun nga ajo detyrë, ishte dhe fakti, se ai kishte qenë një nga këshilltarët më të afërt të Fan Nolit, gjatë gjashtë muajve të qeverisjes së tij. Disa muaj pas pushimit nga puna, Hakiu u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Komunitetit Mysliman, ai jo vetëm që nuk u pa me sy të mirë nga mbreti Zog, por përkundrazi u arrestua dy herë prej tij. Ndonëse gjatë gjithë kësaj periudhe afro 20vjeçare nuk ishte përzier fare me punët e poltikës dhe ishte arrestuar dy herë nga Zogu në vitin 1944, ai u detyrua të largohej nga Shqipëria, prej frikës së komunistëve. Hakiu ikën nga Tirana dhe vendoset në Selanik të Greqisë. Pak ditë para se të ikte për në Greqi ishin larguar nga Shqipëria dhe ishin vendosur në Vjenë të Austrisë dhe dy vëllezërit e tij, Qazimi me Hysniun. Por emigracioni i tij politik në Greqi nuk zgjati shumë, sepse aty nga fillimi i vitit 1945, kur ai ishte vendosur me banim të përkohshëm në një hotel të Selanikut, u arrestua nga komunistët grekë të EAM-it. Arrestimi i tij u bë gabimisht, duke ngatërruar atë me Xhelal Staraveckën, për të cilin ishte porosi e veçantë nga Enver Hoxha, që të kapej dhe të ekstradohej në Tiranë. Kur e dorëzuan Hakiun në pikën kufitare të Kapshticës, edhe pse u pa që ai nuk ishte Staravecka, përsëri nuk e liruan. Pas kësaj Hakiun e mbajtën për disa kohë në hetuesi e më pas e dënuan me tre vjet burg. Bashkë me Hakiun dolën para gjyqit edhe 18 persona të tjerë, të cilët u dënuan të gjithë me pushkatim dhe vetëm ai shpëtoi pasi e ndihmoi Myslym Peza, i cili vajti vetë si dëshmitar i mbrojtjes në gjyq. Pasi doli nga burgu në vitin 1948, Haki Mulletin e internuan familjarisht në qytetin e Kavajës. Familja e tij qëndron e internuar deri në vitin 1958 dhe gjatë asaj kohe Hakiu punonte si punëtor lopate në punët më të rënda në bujqësi dhe në një ndërrmarje ndërtimesh. Gjatë atyre viteve Hakiun e thërrisnin natën në Degë të Brendshme, ku pasi e torturonin barbarisht, në mëngjes e sillnin në shtëpi. Aty nga viti 1958, Hakiu mori leje në Degën e Brendshme dhe shkon në Tiranë për një rast vdekje. Shtrohet disa kohë në spital për të pasur disa ditë raport mjeksor, në mënyrë që ai të kishte mundësi për të qëndruar e për t'u shmallur me të afërmit e tij. Por ndërsa ishte i shtruar në spitalin civil të Tiranës pa qenë i sëmurë, ai vdiq pa papritur në mënyrë misterioze. Ai u helmua nga Sigurimi i Shtetit për faktin e vetëm, se në atë kohë, dy vëllezërit e tij, Qazimi dhe Hysniu ndodheshin si emigrantë politikë në Itali.
Burimi: libri “Persekutimi i klerit mysliman nën regjimin komunist (1945-1967)”, botim i ISKK, i autorit Roald Hysa, që ka shfrytëzuar si burim të birin e Haki Mulletit, Tanush Mulleti.
Fotoja: Tirona Intellectum Facebook
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.