Burgosja e nënës së dy djemve të mitur

0
228
blank

Historia e Luçie Saraçit, që krahas dhimbjes për humbjen e bashkëshortit duhet të përballonte arrestimin, torturat, internimin dhe punën e rëndë për të rritur dy djemtë, të cilët gjithashtu jetuan përndjekjen e regjimit komunist, jo vetëm duke provuar kampet e internimit, por edhe duke mos u lejuar më pas të arsimoheshin si bashkëmoshatarët e tyre

 

Bashkëshorti i Luçies, Ludovik Saraçi, pasi u lirua nga burgu për mungesë provash, zgjodhi të dilte ilegal në Bjeshkët e Kaçinarit në Mirditë pasi nuk mund të pajtohej me regjimin e sapovendosur komunist.

Në këtë çast, përndjekja që Luçia e kish ndjerë me arrestimin e bashkëshortit dhe dy të afërmve dhe pushkatimin e dy kunetërve, do të binte mbi atë vetë. Gruan e re e arrestuan dhe e çuan në birucë. Nga përshkrimet që shumë të dënuar politikë u kanë bërë birucave të Shkodrës të tejmbushura me të arrestuar në vitet e para të diktaturës, mund të mendohet sa e vështirë ka qenë ajo periudhë për Luçien, por në rastin e saj mundim më i madh sesa ai i shkaktuar nga uria dhe mungesa e plotë e kushteve, ishte shqetësimi për fëmijët e mbetur të vetëm. Kur e arrestuan Luçie Saraçin, ajo la në shtëpi dy djemtë e saj, të madhin 9 vjeç dhe të voglin vetëm 1 vjeç. Në këto kushte, nuk ishte prej mungesës së shtratit apo shtrojeve, që nuk mund të vinte gjumë në sy.

Duke qenë se nuk arritën gjë me mbajtjen e saj në burg, e liruan pas një viti. Kishin bërë gati një plan më afatgjatë hakmarrjeje. Brenda javës nga lirimi nga burgu, më 27 dhjetor 1946, e urdhërojnë të hipë në një kamion që mblidhte, në dyert e shtëpive, gratë, fëmijët dhe prindërit e moshuar të burrave të konsideruar armiq të rrezikshëm për regjimin dhe i çonte në internim. Destinacioni për familjet e Veriut ishte Berati, siç ishte Kruja për ato të Jugut. Regjimi e bënte këtë për t’i larguar njerëzit nga të afërmit e tyre në mënyrë që ata të përjetonin jetën e vështirë të internimit, pa asnjë ndihmë dhe të mos kishin asnjë mundësi komunikimi apo organizimi me burrat e arratisur apo të afërm të tjerë.

Kështu edhe Luçia me të dy djemtë mbërriti në Berat, por nuk ishte kjo gjëja më e keqe dhe as gjëja e fundit e keqe që do t’i ndodhte. Luçien e arrestojnë përsëri dhe i kërkojnë nëpërmjet torturave të mohonte bashkëshortin i cili vazhdonte qëndresën antikomuniste në malet e Mirditës. Por gruaja e re nuk thyhet. Sërish prova më e rëndë për të duhet të kenë qenë dy djemtë, ende të mitur, të mbetur vetëm, pa nënë e pa babë, aq më tepër që tani ndodheshin larg shtëpisë e të afërmve. E lirojnë dhe e kthejnë në punët e vështira të internimit. Nga Berati e çuan në Kuçovë, më pas nga Kuçova në Shijak. Atje, bashkë me të internuarat e tjera iu nënshtrua punës së rëndë të shtrimit të rrugës Shijak-Durrës me çakull. Kur mbaroi puna aty, i nisën për në kampin e Valiasit në Tiranë, ku gratë punonin në bujqësi, ndërsa fëmijët vinin gjithë ditën vërdallë nëpër kamp, të pangopur e të paveshur.

Në vitin 1948, bashkëshorti i Luçies, Ludovik Saraçi u vra në përpjekje me forcat e Sigurimit. Kjo do të sillte edhe lirimin e gruas dhe fëmijëve të tij nga internimi. Kur regjimi eliminonte armikun, atëherë ndodhte ta lironte familjen e tij që e mbante të internuar si një formë presioni, por nëse familjarët nuk bëheshin vegël e regjimit, ata mbeteshin  armiq dhe bij armiqsh gjithë jetën. Këtyre që iu ishte marrë gjithçka, iu jepej vetëm punë e rëndë për të mbajtur frymën gjallë, ndërsa fëmijëve nuk u jepej e drejta për të ndjekur studimet e larta, madje shpeshherë as ato të mesme. Rregullat e shkruara e të pashkruara të diktaturës u zbatuan një për një në jetën e Luçies dhe familjes së saj.

Ata u kthyen në Shkodër, por nga shtëpia e mobiluar që kishin lënë pas nuk gjetën asgjë, sepse gjithçka ishte sekuestruar. Luçia duhet të mendonte si të ushqente fëmijët dhe për këtë iu desh të punonte ku të ishte e mundur: në rrobaqepësi, në spital, në ndërmarrjen e farnave dhe së fundmi në ndërmarrjen e fidanishtes pyjore, ku edhe doli në pension. Ishte vazhdimisht nën presionin e pushimit nga puna, por edhe nën presionin për të gjetur një punë tjetër, sado e vështirë të ishte ajo, sepse mundësi tjetër jetese nuk kishin. Ndërkohë fëmijët u rritën, por ndryshe nga ç’dëshironte nëna e tyre, atyre nuk iu dha e drejta e arsimimit. Megjithatë Luçia, që ishte mësuar të mos dorëzohej, i nxiti  fëmijët të studionin në mënyrë autodidakte, për t’u bërë njerëz të ditur dhe të zotë në punët e tyre, si një formë respekti për veten që do u jepte dinjitetin që, pavarësisht gjithçkaje, një regjim diktatorial, nuk ta merr dot.

Luçie Saraçi jetoi aq sa pa edhe ndryshimin e regjimeve dhe u nda nga jeta në vitin 1995, në një ditë dhjetori, në një ditë aspak të zakontë dhjetori. Ishte po 27 dhjetor, si atëherë, kur 49 vite më parë i kishin internuar.

 

Shënim: Ky shkrim është mbështetur në librin “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit” i Fatbardha Saraçi (Mulleti), botim i ISKK, Tiranë 2017

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here