48 vjet më parë të burgosurit politik në kampin e Spaçit u ngritën në revoltën që tronditi regjimin diktatorial. Kujto.al vazhdon me publikimin e raportit zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme për ngjarjet e 21-22 majit 1973 për masat që mori regjimi pas shtypjes së revoltës së Spaçit. Në raport bie në sy urrejtja ndaj të burgosurve dhe kërkesa për shtrëngimin e masave. Regjimi komunist kërkonte të parandalonte revolta të tjera.
Duke analizuar gjendjen ne vend, të dhënat e marra nga punëtori operativ gjatë gjithë kohës, të dhënat e nxjerra nga hetuesia, arrijmë në këto konkluzione:
1-Ngjarja që ndodhi është një revoltë e plotë kundër partisë e pushtetit nga të burgosurit politikë në kampin e Spaçit, e cila kish për qëllim që në rast se në radhët e forcave tona të cilat merreshin me sigurimin e kampit, do të kishin lëkundje, të tentonin për thyerjen e kampit dhe të arratiseshin, në të kundërtën të bënin presion mbi forcat tona për të rea1izuar disa kërkesa të tyre, që në fakt ishin thellësisht armiqësor. Për rrjedhim të dobësonin diktaturën e proletariatit t'u lihej shteg armiqësive të livadhisnin me lehtësi për realizimin e planeve të tyre.
2-Nga karakteri si u zhvillua revolta, fjalët dhe veprat që përdoren në kamp gjatë kohës ku forcat tona për të mos hapur zjarr mbi ta, siguruan rrethimin e jashtëm, duke u marrë masa për shtypjen me më pak vrasje nga ata, doli qartë ashpërsia klasore e armiqve, urrejtja e tyre deri në brutalitet gjakatar kundër rendit socialist, kundër udhëheqjes së partisë në tërësi dhe të organeve të punëve të brendshme në veçanti.
3-Revolta nuk kish një vendim dhe datë të caktuar se kur do të behej, por ajo është kultivuar prej një kohe të gjatë dhe në mënyrë sistematike, shkaqet e së cilës janë:
Së pari, elementi që përbën këtë kamp në tërësi është armik klase, bile nga me gjakatarët, të dënuar për tradhti ndaj atdheut, prejardhja e tyre në shumicën është nga të deklasuarit, të cilët që gjatë LANÇ-it e deri sot janë në përpjekje të vazhdueshme me rendin tonë shoqëror, një pjesë e madhe kanë njerëz të pushkatuar dhe vetë këta janë dënuar për aktivitet aktual 2-3 herë, për rrjedhim gjatë gjithë kohës qëndrojnë për t'u hakmarrë ndaj pushtetit, midis tyre bëjnë plan mbas plani si do të rrëzohet pushteti e si do të veprojnë ata mbi ne! Kështu që, në një terren të tillë armiqsh u desh vetëm një shkak, siç qe rasti i kacafytjes për të arrestuar të ikurin nga biruca, që të pëlciste ajo që gradualisht është akumuluar tek këta armiq.
Se dyti, akumulimi gradual pa kuptim dhe në kompleks i një qëndrimi liberal i gjithë shërbimeve tona ndaj këtyre armiqve të betuar i cili në forma të ndryshme ka ndikuar si në dhënien e kurajës për të kundërvepruar nga ana e tyre, ashtu edhe në mosprevenimin e një përqendrimi kaq të acaruar të këtyre armiqve për të vepruar bashkërisht edhe ne kushte kur ata janë të rrethuar në tela e që çdo tentative do të shtypej me pasoja fatale për ta.
Ky qëndrim liberal përveç të tjerave duket:
-Me gjithë të dhënat e shumta që ka dega e punëve të brendshme Rrëshen, për disa të burgosur që zhvillojnë veprimtari armiqësore prapë ato nuk janë ndjekur me shpejtësinë që karakterizon Sigurimin e Shtetit, gjë që reflektohet edhe në goditjet e pakta që janë bërë, bile edhe për tre që është propozuar, prokuroria, nuk ka dhënë sanksionimin me pretekstin se provat janë të dobëta.
Duhet thënë se për goditjet në reparte riedukimi s'ka seriozitet, ato bëhen kryesisht kur diktohet nga lart e kjo, si për mos kuptim të qartë të ligjit nga organet e Sigurimit dhe të prokurorisë, duke menduar që “ç’t’i dënojmë, ata në burgje janë”. Mirëpo ligji nuk i ve këto kushte, përkundrazi kërkon që sa herë që shkelet të vihet në vend përveç që edhe masa e dënimit s'është njësoj të jesh i dënuar me 10 vjet me atë që dënohet 20 vjet apo me vdekje gjë që do t’i vinte fre çdo hezitimi të të burgosurve aktualisht.
Gati në çdo kamp ka shkelje të përgjithshme të rregullores nga kuadrot, të cilat flasin për naivitet, lëshime e oportunizëm. Kështu shpjegohet fakti që edhe në kampin e Spaçi liheshin hekura, vegla pune, thika, dërrasa deri tek bërja e apartamentit me shkallë apo tarracë të rrethuar me hekura, në vend që të bëheshin me teton.
-Në trajtimin e të dënuarve (pa lejuar aspak arbitraritetin që ndalon ligji), duhet venë theksi tek detyrimi që kanë ata ndaj popullit, se me vendim gjyqi ata janë privuar nga shumë të drejta, kurse nga në fakt disa qëndrime të buta, krijohet mendimi që me gjithë ato kushte të mira që kanë të burgosurit, prapë kërkojnë të mos punojnë në minierë apo sektorë të tjerë, në vend që të ulin kokën dhe pa fjalë të punojnë se ndryshe ligji i dënon më rëndë.
Se treti vazhdimisht kërkesat e tyre rriten, gjë e cila duhet të shihet nga qëndrimet tona si dhe ndërhyrjet e vazhdueshme të prokurori ve, të cilat në çdo material që dërgojnë Ministrisë ngrenë vetëm çështje për zbutje të rregullave që rregullojnë jetën e burgjeve
dhe asnjë për detyrimin e te burgosurve për pune dhe respekt ndaj personelit që i shërben kampit. Një praktike e tille çon në atë që edhe dyert e kapanonëve në kampe e burgje natën rrinë hapur, gjë që u jep mundësi 700-800 të burgosurve për veprime të përbashkëta, në biruca kërkohet sistem ngrohje, etj, etj.
Në praktikën e personelit që shërben në kampe po duken shenja të një metode shumë të dëmshme në ndërtimin e raportit midis tyre dhe të burgosurve, gjë që krijon përshtypje sikur të dy këto forca janë palë, e për rrjedhim të burgosurit bëjnë kolektivisht kërkesa të
ndryshme. Kur ka acarime nga ata, komandat në vend që t'i shtypin me forcën e ligjeve të gjithë ata që shkelin rregullat, pranojnë bisedime e bëjnë kavardisje të çështjeve, të cilat hapin orekse të tjera. Një gjë e tillë u duk edhe gjate shtypjes së kësaj revolte, ku kuadro të ndryshme në vend që të mos ngrinin propozime por bisedim me kryengritësit, disa
herë propozonin të venin brenda e të merreshin vesh ose të pranojmë letrat e tyre me anën e të cilave ata parashtronin kërkesa, etj.
Se katërti, mosmarrja e masave të zhdërvjellëta, të forta dhe të ashpra, që në fillim të ngjarjes, kur një turmë e madhe sulmoi hapet shërbimet e organeve të punëve të brendshme, nga komanda e kampit dhe shoku Sulejman Manoku i cili u ndodh atje, me justifikonin se mos shkaktohej ndonjë turbullirë dha shkak për inkurajim e bashkëveprim të të gjithë armiqve në kamp, të cilët me orë të tëra përgatiten terrenin e një revolte me të gjithë të burgosurit!
Në rastin e dhënë, është gabim që organet tona të presin sanksionimin nga prokuroria, por vetë të zbatojnë gjithë detyrimet që atyre u ngarkon ligja (ne rastet flagrante) dhe për veprimet e tyre ata pastaj përgjigjeshin po të shkelnin kërkesat e ligjës, para partisë e qeverisë.
III
Të nisur nga sa sipër, në të ardhmen, mendoj të merren edhe këto masa:
1-Në tërë sistemin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sigurimi i të burgosurve në kampe e burgje të vlerësohet seriozisht, sidomos në reparte ku sigurohen të dënuar politik.
Theksi të vihet tek zbatimi deri në një i gjithë kërkesave të instruksionit, dhe rishikuar ndonjë klauzole e cila lë keqkuptime për detyrimet që ka i burgosuri për punë dhe respektim të personelit që siguron kampin.
2-Në repartet e riedukimit të mos lejohet asnjë liberalizëm ndaj kërkesave të ligjës, me mendimin se “këta të burgosur janë", por t'i bëhet e qartë çdo të burgosuri që ligja dënon aq herë sa e shkel atë dhe me atë masë dënimi sa dëmton shtetin, në vartësi me këtë, Sigurimi, policia dhe çdo komande reparti të përdorin me aktivisht forcën e tyre për të parandaluar ne kohe çdo veprimtari armiqësore e keqbërëse.
3-Komandat e reparteve të riedukimit të varen direkt nga Drejtoria e Policisë, kurse nga degët e punëve të brendshme në rrethe të varen vetëm për efekt të koordinimit operativ dhe të vartësisë për problemet ekonomike.
Në vartësi me këtë të shihet mirë përbërja e komandave, duke caktuar kuadro të afta për të marrë vendime të pjekura në çdo situatë që të paraqitet e konform kompetencave, të cilat të rishikohen në këtë sy, deri me 30.6.1973.
Kuadri nënoficer në burgje e kampe të shpërblehet edhe për vështirësi shërbimi dhe të ndryshohet mbas aprovimit nga ministri i Punëve të Brendshme.
4-Aparati qendror, Drejtoria e Policisë dhe Drejtoria I, sidomos Dega e Zbatim Vendimeve Penale, të ndihmojë me nga afër këto reparte dhe të përmirësojë rrënjësisht metodën e saj në drejtim të rritjes së kërkesave për të mos lejuar asnjë lëshim që zbusë sado pak detyrimet e te burgosurve ndaj shtetit.
5-Në të dy degët respektive të Drejtorisë Policisë dhe të Drejtorisë I, të shtohet nga një zëvendëskryetar dege për të rritur më tej efektivitetin e punës në repartet e riedukimit.
Koordinimi midis këtyre dy drejtorive të gjallërohet me tepër, sidomos për zbulimin dhe parandalimin e të gjithë atyre shkaqeve që çojnë në pasoja të rënda nga të burgosurit.
6-Për arsye se këto përgjegjësi direkte për mosveprim në kohë, si dhe kanë lejuar shkelje të instruksionit për veprimet që rregullojnë jetën në repartet e riedukimit, të shkarkohen nga funksionet që kanë, duke i ulur nga një kategori me poshtë kryetari i degës se zbatim vendimeve penale në Drejtorinë e Policisë si dhe komandanti e komisari i repartit nr.303 Spaç.
7-Drejtorisë së Policisë dhe në mënyrë të veçante zëvendësdrejtorit që ka repartet e riedukimit ne vartësi, t'i tërhiqet vërejtje për arsye se, me gjithë porositë e vazhdueshme të Ministrisë, nuk ka qenë në krye të funksionit që ka për të mos lejuar shkelje flagrante te instruksionit në këto reparte, sidomos në drejtim të liberalizimit dhe lëshimeve për detyrimet që kanë të burgosurit ndaj shtetit.
8-Drejtorisë i dhe në mënyrë të veçantë Degës së VIII t'i tërhiqet vëmendja për arsye se nuk ka realizuar në kohë përpunimet që ka në repartet e riedukimit, megjithëse materiale ka pasur duke nënvleftësuar ato me faktin se "këta në burg janë, etj.
9-Drejtoria e Policisë dhe Drejtoria e I të marrin masa urgjente për të zbërthyer me hollësisht këtë analize dhe në vartësi me gjendjen të korrigjojnë të gjitha defektet e punës se tyre (sipas përkatësisë), njëkohësisht në programet e edukimit ushtarako-profesional të aftësohen kuadrot për veprime me aktive ne raste të tilla, duke filluar që nga kuadrot direkt, hetuesit dhe bashkëveprimi me prokuroritë te cilat nga sa u vu re ne hetimin e kësaj ngjarje, nuk qenë të përgatitura siç duhet për aplikimin e ligjës.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.