Aristoteli i çmendur nga torturat në Spaç

0
2580
blank

Ishte një ngagjimnazistët e zgjuar të Gjirokastrës. Ishte një nga të rinjtë që nuk e kurseu veten për t’iu afruar zjarrit të vërtetës, duke përgatitur trakte bashkë me dy shokë e duke demaskuar komunizmin. Përfundoi sigurisht në burg, i dënuar me 10 vjet për agjitacion dhe propagandë. Si i ri që ishte, vetëm 21 vjeç, e dërguan në tmerrshmin Spaç. Atje, nga torturat, uria, të ftohtit, Aristoteli humbi arsyen… Po, kjo mund të ndodhte në Spaç. E më pas, humbi edhe jetën…I la të pikëlluar e të hutuar shokët e tij, më të pasigurt se kurrë, në, edhe ata vetë, ishin këndej asaj vije që ndante arsyen nga çmenduria. Një rrëfim mjeshtëror dhe mbi të gjitha drithërues për ditët e fundit të Aristotelit që humbi arsyen në Spaç

 

“Është dimër, 15 gradë nën zero. Spaç, ’78, kampi në apel…Një djalë i hollë, i kockëzuar, sikur të ishte një Krisht i bërë me parafinë, a një vepër arti e punuar me qelq, me dorën e djathtë të vendosur në pjesën e fytyrës ku pëllëmba e ngrirë me gishtat e shtrirë formojnë një mur ndarës për sytë e fikur në zgavrat e errëta: Aristoteli, djalosh i zgjuar i gjimnazit të Gjirokastrës, njëri nga tre djemtë e arrestuar në vitin ’74 si fajtor për traktet që shpërndanë kundër diktaturës; ky Aristotel pra, i çmendur nga torturat, uria, të ftohtit, humbet arsyen.

Ai nuk fle më, ai lëviz pa qëllim, brenda telave, herë-herë i zhveshur lakuriq mbi dëborë bënte lëvizje, të cilat janë konveksione që mund të deshifrohen vetëm prej të burgosurve që e shikojnë me dhimbje… Me pëllëmbën e ngrirë të dorës ai sikur ndan universin në dy pjesë. E mira dhe e keqja, Airstoteli i çmendur këtë ndarje sikur ia bënte hapësirës së ftohtë, dritës që vinte nga qielli i pakët në atë gropë burgu”…është përshkrimi mjeshtëror që ish-i dënuari Nuredin Boriçi, më pas autor i disa librave, i bën shokut të tij të burgut, Aristotelit, këtij djali me atë shkëndijën e të pazakonshmëve që do të shuhej  në burgun e Spaçit…

“Pas pak ditësh forcat e lënë,-vazhdon rrëfimin e tij Nuredini.-I shtrirë në shtratin pranë xhamit në infermierinë e Spaçit ai jeton çastet e fundit. Unë doja ta shihja Aristotelin në agoninë e tij. Unë shpresoja më kot që ai të ngrihej…Fytyra e tij e ngrirë, pa jetë; më la në shpirt një porosi: Mos harroni!”

Ishte një dhimbje e madhe më shumë. Një shpresë, të vogla e të zbehta siç ishin në Spaç, më pak! Për dikë dhimbja ishte edhe më e madhe. Dhe zbrazëtia më e frikshme…

“Aristoteli vdiq. Shoku i tij, Kosta Qiriakos, me sytë e trembur, me buzët e shtrënguara, thua se pret edhe ai radhën për të hyrë përtej portës së çmendurisë, I afrohen shumë të burgosur, e ngushëllojnë. I afrohem edhe unë; duke u dridhur…nga sytë e tij që thërrasin: Më ndihmoni…po çmendem!”

Shkëputur nga libri "Antologjia e plagëve", botimet QSHRT, nga shkrimet e Nuredin Boriçit, në tregimin e titulluar "Kosta".

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here