Nga Lindita Komani
Efektet ndërbreznore të traumave të të persekutuarve politikë të komunizmit në Shqipëri janë objekti i një studimi të realizuar në 2024-ën nën drejtimin e Universitetit Divine Mercy në Virxhinia, SHBA. Mes të tjerash, studimi trajton praninë e ankthit te pasardhësit e moshës 18 vjeç e lart, si të viktimave të komunizmit që qëndruan në Shqipëri, ashtu edhe të atyre që emigruan në SHBA. Gjetjet janë domethënëse. Disa prej tyre jepen në këtë artikull.
Mënyra e matjes
Psikologët e masin ankthin me një sërë instrumentesh. Në studimin aktual, matja u realizua përmes instrumentit GAD-7, një teknikë e thjeshtë dhe efiçiente e përdorur si në praktikën klinike, ashtu edhe në kërkimin shkencor. Për mbledhjen e të dhënave, GAD-7 shfrytëzon një formular, përmes të cilit pjesëmarrësit në studim e kryejnë vetë vlerësimin e gjendjes së tyre duke iu përgjigjur shtatë pyetjeve. Pikët që subjektet e vlerësimit i japin vetes mblidhen nga studiuesi i cili realizon matjen e nivelit të ankthit.
Nivelet e ankthit të matur nëpërmjet GAD-7 vendosen në një shkallë që fillon nga 0 (mungesë ankthi) dhe mbaron në 21 (ankth i rëndë), të grupuar në disa nivele: 0-4 (ankth minimal); 5-9 (ankth i lehtë); 10-14 (ankth mesatar) dhe 15-21 (ankth i rëndë). Prania e vlerave të ankthit nga niveli 10 e lart dëshmon praninë e një çrregullimi domethënës të ankthit për të cilin lind nevoja e një vlerësimi të mëtejshëm që përfshin një intervistë diagnostikuese dhe ekzaminimin e gjendjes mendore nga një profesionist i fushës.
Ankthi në Shqipëri dhe në SHBA - studime të mëparshme
Një studim i vitit 2017 i Organizatës Botërore të Shëndetësisë mati praninë e ankthit në të gjitha vendet e botës. Studimi identifikoi praninë e çrregullimeve të ankthit në 3.8% të popullsisë së Shqipërisë dhe në 6.3% të popullsisë së SHBA. Studimi nuk përfshinte vetëm GAD (çrregullimin e ankthit të përgjithësuar), por edhe çrregullimin e panikut, fobive, çrregullimin e ankthit social, çrregullimin obsesiv-kompulsiv dhe çrregullimin e stresit post-traumatik. Një studim i mëvonshëm i vitit 2019, i cili analizoi të dhënat e National Health Interview Survey në SHBA për atë vit, konstatoi se 6.1% e popullsisë së përgjithshme në SHBA kishte nivele të ankthit të përgjithësuar (GAD) në vlerat 10 e lart.
Në Shqipëri, një studim nga Kamberi e kolegë (2021) i realizuar me mjekë, infermierë dhe personel tjetër në spitale në kohën e pandemisë COVID-19, tregoi se 10.8% e pjesëmarrësve (13.7% e mjekëve) kishin nivele të ankthit të përgjithësuar (GAD) në vlerat 10 e lart.
Këto rezultate krahasimisht të larta të ankthit lidhen me faktin se gjatë pandemisë, njerëzit ishin nën presionin e vazhdueshëm të frikës nga sëmundja dhe, midis tyre, njerëzit me presionin më të lartë ishin ata në vijën e parë të frontit, mjekët, infermierët dhe personeli tjetër spitalor.
Prania e ankthit e matur në studimin aktual në pasardhësit e viktimave të
komunizmit në Shqipëri dhe SHBA
Studimi i vitit 2024 u fokusua te pasardhësit e viktimave të komunizmit shqiptar të cilët jetojnë në Shqipëri dhe SHBA. Thirrjes për plotësimin e formularit online iu përgjigjën 233 persona. Shpërndarja e pyetësorit u bë kryesisht përmes organizatave që merren me mbështetjen e të persekutuarve politikë dhe studimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Një pjesë e pyetësorëve u plotësuan në rrugë personale me vetë kontributin e pjesëmarrësve, të cilët e kalonin atë nga një pjesëmarrës te një tjetër. Në SHBA, pyetësori u shpërnda me ndihmën e aktivistëve dhe organizatave të komunitetit shqiptaro-amerikan në shtete të ndryshme. Mbledhja e të dhënave u realizua brenda një periudhe 10-javore.
Analiza e të dhënave konkludoi se prania e ankthit të moderuar dhe të rëndë mes pasardhësve të viktimave të komunizmit ishte shumë më e lartë sesa mesataret kombëtare të të dyja vendeve (Shqipëri dhe SHBA). Kjo tregon që nevoja e ndërhyrjeve për të mbështetur shëndetin e tyre mendor është e konsiderueshme. Një dallim statistikor domethënës u konstatua midis pranisë së ankthit te ky grup popullsie në SHBA dhe Shqipëri. Më konkretisht, të dhënat statistikore treguan se në këtë grup, ankthi i moderuar dhe i lartë ishte i pranishëm në 39.28% të pjesëmarrësve në pyetësor në SHBA (N=84) dhe në 21.62% të pjesëmarrësve në Shqipëri (N=148).
Lidhja mes traumës së prindërve dhe ankthit të pasardhësve të viktimave të
komunizmit
Vlerësimet statistikore që përfshinin praninë dhe llojin e traumës te prindërit si dhe marrëdhënien e pasardhësve të viktimave të komunizmit me prindërit treguan se trauma ishte e lidhur me nivelin e ankthit. Niveli i traumës te babai ishte i lidhur me praninë e ankthit në kampionin total (Shqipëri dhe SHBA) dhe kishte ndikim në lidhjen ankthioze me babanë te pjesëmarrësit në Shqipëri. Të anketuarit në Shqipëri, nënat e të cilëve kishin përjetuar traumën e persekutimit në komunizëm, kishin nivel më të lartë ankthi se pjesa tjetër e pjesëmarrësve në Shqipëri, nënat e të cilëve nuk kishin përjetuar traumë.
Lidhja mes ankthit dhe shpresës te pasardhësit e viktimave të komunizmit
Me interes janë gjetjet për lidhjen e ankthit me shpresën. Në SHBA, lidhja inverse mes dy variablave ishte statistikisht domethënëse, që tregonte se sa më e madhe të ishte shpresa, aq më i ulët ishte ankthi te pjesëmarrësit. Kjo lidhje inverse është dëshmuar në shumë studime të mëparshme të realizuara në vendndodhje të ndryshme gjeografike. Në rastin e Shqipërisë, ndonëse niveli i shpresës te pjesëmarrësit ishte i afërt me atë të pjesëmarrësve në SHBA, lidhja mes ankthit dhe shpresës nuk ishte statistikisht domethënëse.
Kjo dëshmon se mjedisi socio-politik në Shqipëri ka shkaktuar dëmtim të mekanizmit psikologjik që lidh shpresën me ankthin, pra, të mundësisë që pasardhësit e viktimave të komunizmit të pakësojnë gjendjen e tyre të ankthit përmes shpresës.
Studimi përmban gjetje të mëtejshme që lidhen me variablat e matura (ankthi i përgjithësuar, lidhja me prindërit, shpresa, besimi fetar, trauma e përjetuar nga prindërit për shkak të persekutimit në komunizëm), për të cilat lexuesi i specializuar mund t'i referohet punimit të plotë të publikuar aktualisht në databazën ProQuest (URL:https://www.proquest.com/docview/3129255967/BE80430FCD4246F0PQ/1?acco
untid=27532).
Disa përfundime
Lidhja e ankthit te pasardhësit me traumën e përjetuar nga prindërit e tyre të persekutuar në komunizëm dëshmon se trauma e persekutimit nuk është diçka që i përket së shkuarës. Trauma ka shkaktuar pasoja domethënëse te pasardhësit e viktimave. Gjetjet për shpresën dhe lidhjen e saj me ankthin tregojnë se mjedisi social politik në Shqipëri dëmton pasardhësit e viktimave të komunizmit. Në vitet e tranzicionit, pak është bërë për të dhënë mbështetje psikologjike për viktimat e drejtpërdrejta të komunizmit, ndërkohë që nuk është bërë ndoshta asgjë për të adresuar pasojat që kjo traumë ka shkaktuar e shkakton te pasardhësit e viktimave.
Gjatë këtyre viteve, pasardhësit e viktimave të komunizmit në Shqipëri kanë qenë vazhdimisht të ekspozuar psikologjikisht ndaj pasojave të traumës dhe kjo gjë është marrë fare pak, në mos aspak, parasysh në diskursin politik e shoqëror. Ka ardhur koha që këto pasoja të adresohen dhe pasardhësit e viktimave të komunizmit të marrin mbështetjen e nevojshme. Në këtë këndvështrim, ka vend sidomos për masa edukuese, te të cilat studimi ndalet më në detaj në pjesën përmbyllëse të tij.
Imazhi kryesor: Foto ilustruese, Mike Chai, pexels.com
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.