Asim Shpuza para togës së pushkatimit: Tregojani familjes varrin tim!
Është amaneti i Asim Shpuzës pak çaste para pushkatimit më 8 qershor 1947. Por amaneti i tij nuk shkoi në vend sepse varri i Asim Shpuzës nuk u gjet kurrë.
Asim Shpuza, ishte konsull nderi i Austrisë në vitin 1934, një ndër farmacistët e parë shqiptar, i diplomuar në Austri për kimi industriale. Ishte Kryetar i Klubit Mbretëror Shqiptar të Turizmit dhe të Makinave Luksoze dhe një prej kontribuesve më të rëndësishëm të promovimit të turizmit në Shqipëri e sidomos në zonën e Shkodrës me bukuritë malore fantastike.
Kur Shqipëria u pushtua nga fashistët italianë, Asim Shpuza mori pjesë në demonstratat antifashiste dhe për këtë arsye ai u internua familjarisht në Breshia. Pas përfundimit të dënimit, u kthye në Tiranë për të vazhduar punën si farmacist. U angazhua me ndihma me ilaçe për lëvizjen çlirimtare, por pavarësisht kësaj ai u shpall armik i popullit nga regjimi diktatorial.
Pas qëndrimit disa kohë i fshehur, Asimi u dorëzua dhe kështu nisi kavari i vuajtjeve në dhomat e torturave deri ditën e pushkatimit. Studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar dokumentin.
Kur doli në gjyq, fillimisht iu fal jeta. Më pas, gjykatësit e diktaturës e kthyen vendimin duke e dënuar me pushkatim. Për ditët e mundimshme të tij në burgjet e diktaturës kanë rrëfyer bashkëvuajtësit e tij Ejëll Çoba dhe Petro Marko.
“Ndërsa kamioni i mbyllur me hekura po merrte Gjush Dedën dhe Asim Abdurrahmanin, pashë Gjushin që po i thoshte prokurorit: “Zoti prokuror, si u bë kjo punë?”, kurse Asimi shikonte nga dritaret e burgut, sigurisht për t’i thënë lamtumirë ndonjë shoku”, shkruante Ejëll Çoba.
“Kur hyri në birucë, Asimi u habit që më pa edhe mua në burg dhe më tha: Më kanë dënuar me vdekje! Nuk e di pse…Unë Babushin (Bedri Pejanin) nuk mund ta mohoja, se e kam vjehërr…Pastaj, pse jam përfaqësues i shoqërisë farmaceutike gjermane “Bajer”, nuk është ndonjë krim”, shkruante Petro Marko.
Bedri Pejani kishte qenë vjehrri i tij, nënshkrues i Pavarësisë, të cilin komunistët shqiptarë ia patën dorëzuan atyre jugosllavë. Pas torturave ai ndërroi jetë në rrethana misterioze në spital në Prizren, sipas shumë dyshimeve, i helmuar.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.