Një profil i Akile Tasit, publicistit, vatranit, ish-drejtorit të Bibliotekës Kombëtare që e mbylli jetën në burgjet komuniste më 30 janar 1961.
Akile Tasi lindi në Leusë të Përmetit, rreth tre vjet pas Koços, vëllait më të madh, që do të bëhej një intelektual i shquar dhe pesonalitet i rëndësishëm në vend. Koçoja, i diplomuar për drejtësi në Itali, dha një kontribut të çmuar në modernizimin e legjislacionit shqiptar, ndërsa mbajti në vitet 1921-24 detyrën e deputetit . Ishte gjithashtu ministër Drejtësie në qeverinë e Pandeli Evangjelit.
Për djalin më të vogël, lindur më 1891 ose 1892, familja zgjodhi emrin e heroit të luftës së Trojës, që rrjedh nga gjuhët e lashta, ku ka kuptimin e një njeriu inteligjent, që përdor arsyen. Dhe Akile Tasi u bë si emri i vet.
Në një postim, nipi i të vëllait, Koço Tasit, shkruan për Akilen se ai mbaroi Gazetarinë dhe Shkencat Politike në Romë.
Studiuesi Xhafer Sadiku, në librin “Skenarë të Përgjakur”, botim i ISKK, shton “Akile Tasi… për shumë vjet, jetoi e punoi në SHBA. Aktivist i shquar i diasporës shqiptare, ishte zyrtar i Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe botues i gazetës “Dielli”. La Amerikën dhe punoi si drejtor i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, kryeredaktor dhe botues i gazetave të njohura Kombi dhe Bashkimi i Kombit”. Pak kohë pas kthimit nga SHBA, Tasi emërohet bibliotekar i Oborrit Mbretëror. Më pas, nga viti 1932 deri në vitin 1941, ishte në krye të Bibliotekës Kombëtare.
Roli i tij si drejtor i Bibliotekës dhe dënimi që mori më pas me vendosjen e regjimit komunist, nuk mund të të mos kujtojë sjelljen e komunistëve, ndaj njerëzve që, ndër të tjera, patën një kontribut të papërsëritshëm në pasurimin e bibliotekave shqiptare, si Mid’hat Frashëri, por dhe Lef Nosi. Mid’hat Frashëri zotëronte bibliotekën më të pasur në Shqipëri e cila më pas u bë me pjesë e Bibliotekës Kombëtare. Pas së tijës, sipas bashkëkohësve, vinte biblioteka e Lef Nosit, i cili është themelues i fondit të Albanologjisë dhe Ballkanologjisë në bibliotekën publike të Elbasanit “Qemal Baholli”. Mid’hati i shpëtoi dënimit pasi u largua nga Shqipëria në vitin 1944, por mbeti për pesëdhjetë vjet si një nga armiqtë e tradhtarët më të urryer të propagandës komuniste, ndërsa Lef Nosi u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua në shkurt të vitit 1946, gjithashtu si tradhtar e armik. Dënimet e diktaturës ndaj njerëzve të librave dhe publicistëve, siç ishte një ndër më të shquarit e kohës së vet, Akile Tasi, nuk kufizohen me këta emra. Është një listë e gjatë që tregon diçka të rëndësishme për natyrën e këtij regjimi që kishte dhe gjente armiq mes intelektualëve më të spikatur. Një pjesë e tyre kishin pasur një angazhim politik që binte ndesh me regjimin e ri, ose detyra në qeveritë pushtuese, por ata u dënuan pa prova për aktivitetin antikombëtar, të cilin është e vështirë ta besosh për personalitetet që i kishin dhënë kaq shumë kulturës shqiptare. Megjithatë ata u dënuan. Por nuk ishin të vetmit. Komunizmi dënoi edhe njerëz të librave dhe publicistikës, që nuk ishin përfshirë në lëvizjet antikomuniste apo që nuk kishin pasur asnjë post në regjimet e mëparshme, madje dënoi edhe njerëz nga radhët e veta.
Kështu veproi dhe ndaj ministrave të Kulturës që kishin qenë në detyrë fill para Akiles dhe fill pas tij: Mark Gjon Markajt dhe Sejfulla Malëshovës. Asgjë nuk mund t’i përbashkojë këto dy figura, veç faktit që diktatura do i konsideronte armiq, në kohë të ndryshme të jetës së saj, mjaftueshëm të gjatë për të shkatërruar kundërshtarët e betuar, elitat dhe të vetët. I pari, në nëntor 1944, organizoi lëvizjen antikomuniste në Shkodër dhe luftoi me armë kundër komunistëve, derisa i plagosur, më 1946, vrau veten për mos të rënë i gjallë në duart e tyre. I dyti, pas 10 vitesh në detyra të rëndësishme, u përjashtua nga të gjitha dhe përfundoi në Fier duke kryer punë të rëndomta.
Për t’u kthyer te Akili, kur ende komunistët nuk kishin marrë pushtetin, pasi nuk ishte më drejtor i Bibliotekës Kombëtare, ai u kthye për ca kohë në Përmet. Më vonë, më 1943, u zgjodh deputet i Kuvendit Kombëtar dhe u emërua drejtor i gazetës “Bashkimi i Kombit”. Në gusht-shtator 1944, emërohet dhe nis detyrën si ministër i Kulturës në qeverinë e Ibrahim Biçakut të cilën e kryen për një kohë shumë të shkurtër. Komunistët marrin Tiranën në 17 nëntor. Kishin nisur t’i vrisnin kundërshtarët që para kësaj date dhe vazhdojnë me vrasje dhe arrestime edhe pas saj. Mes të arrestuarve, ishte edhe Akile Tasi.
Ai u gjykua, bashkë me të vëllanë, Koço Tasi, nga Gjyqi Special i ngritur për të dënuar “kriminelët e luftës” dhe “armiqtë e popullit”, që nisi më 1 mars 1945 dhe doli me vendimet përfundimtare më 13 prill. Në këto vendime, 17 veta u dënuan me pushkatim dhe mbi 40 me burgime.
Akile Tasi u dënua me 20 vjet burg, ndërsa i vëllai me burgim të përjetshëm, por, si rodhën ngjarjet, këto dënime u zbatuan në mënyrë të kundërt. Koçoja u lirua pas gati 20 vitesh burg, më 1964. Akile Tasi nuk mundi të dalë gjallë nga burgu.
Studiuesi Kastriot Dervishi ka shkruar se Akile Tasi e vuajti dënimin në kampet e punës së Maliqit, Bedenit, Vloçishtit dhe më pas, në burgun e Burrelit. Në kampet e përmendura, të dënuarit të trajtuar më keq dhe të ushqyer më pak se kafshët e punës, kryesisht hapnin kanale për tharjen e kënetave. Akile arriti t’u mbijetojë atyre kampeve dhe mbërriti në burgun e Burrelit, ku mbaheshin të dënuarit politikë, të cilët, sipas mënyrës që ishte i organizuar burgu, nuk punonin, por nuk vuanin pak.
“Tasi vuante nga mëlçia e zezë, në burg kaloi edhe botkinin. Pasi doli nga infermieria ku kishte marrë kurat e botkinit, e futën në birucë ku pa kapotë dhe batanije, iu theksuan gjendjet e mëparshme të mëlçisë së zezë e botkinit dhe komplikacioni iu kthye në cirrozë. Nuk iu pranua asnjë lutje me shkrim; i sëmurë, ndërroi jetë pas tre muajve, më 30 janar 1961 në burgun e Tiranës”, ka shkruar studiuesi Kastriot Dervishi në librin “Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet” dhe në një artikull të mëvonshëm të publikuar në gazetën Rilindja Demokratike.
Trupi nuk iu dha familjes. Nuk ndodhte me të dënuarit politikë. Ndërkohë, familja, ajo e të vëllait, Koços, ishte internuar në Grabjan të Lushnjës. Edhe kur Koçoja doli nga burgu nuk e lanë gjatë pranë të tijëve, por e çuan në Shkodër. Bashkëshortja, djemtë, Ylli, Napoleoni dhe Leka dhe vajza, Tefta, nipërit dhe mbesa e Akile Tasit, u mbajtën në internim deri në fund të regjimit komunist, duke provuar edhe burgjet.
Eshtrat e Akile Tasit nuk u gjetën kurrë.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.