Në vitin 1970, diktatori E.Hoxha zhvilloi takime në veri të vendit. Në planin e dytë, Partia e Punës nuk mund të linte pa goditur “armikun e klasës”. Bexhet Yzeir Tarelli, lindur më 17.3.1925 në Braçaj të Korçës, banues në Prrenjas, i martuar me tre fëmijë, me origjinë fshatar i mesmë, u arrestua më 10.8.1973. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal. Sipas gjykatës, ai kishte komentuar deklarimet e Enver Hoxhës në takimet e vitit 1970. Kjo “provohej” nga deklarimet e disa dëshmitarëve. Vizitën e kishte cilësuar se bëhej për bujë e për asgjë tjetër. Midis të tjerash në vendim thuhej:
“I pandehuri Bexhet duke u nisur nga pozita armiqësore dhe me qëllim minimi dhe dobësimi të pushtetit popullor, në biseda të ndryshme armiqësore është drejtuar kundër organeve të pushtetit popullor, kundër fitoreve kryesore ekonomike, politike dhe ideologjike të revolucionit popullor”.
Ideja ishte që të tregohej “armiku” se ishte aktiv dhe i kundërvihej fjalimeve patriotike të diktatorit, i cili sipas gjykatës gjoja “do ngrinte në këmbë popullin e Kosovës kundër Jugosllavisë titiste”.
Gjykata Popullore e Rrethit Librazhd, e drejtuar nga Kosta Vllaho, me pjesëmarrjen e prokurorit Pavël Shuteriqi, me vendimin nr.81, datë 9.11.1973, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 8 vjet heqje lirie dhe pagimin e 9.6 lekëve të shpenzimeve gjyqësore.
U lirua më 20.7.1981 nga Reparti nr.303 Spaç.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.