Nëse në Berlin duhej të rrëzohej muri për të prekur ëndrrën, nëse në Rumani duhej djegur pallati i Çausheskut për të prekur ëndrrën, në Shqipëri duhet të ndodhte e njëjta gjë me bustet e diktatorit Enver Hoxha. Shqiptarët e kuptuan këtë dhe me litarët që kishin në duar akoma nga robëria 45-vjeçare, vendosën t’i rrëzonin bustet… .
Si sot 32 vite më parë, u rrëzua shtatorja e diktatorit Enver Hoxha, i cili kishte mbajtur nën sundim për 50 vjet popullin shqiptar, për të mbetur në histori si një ndër sundimtarët më gjakatar ndaj popullit të tij, në historinë e Evropës. Më 20 shkurt 1991, populli i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë u mblodhën në sheshin Skënderbej për të rrëzuar shtatorja e diktatorit Enver Hoxha.
Kjo ngjarje erdhi pas zhvillimeve të rëndësishme politike që kishin ndodhur në dhjetor 1990 kur përmes protestave studentore të pasuara nga protesta e shumicës së shqiptarëve, u rrëzua sistemi komunist. Shpallja e pluralizmit politik, në dhjetor të vitit 1990, u pasua me themelimin e partive politike, të cilat përgatiteshin për të hyrë në garën e të parave zgjedhje pluraliste në Shqipëri, pas sundimit 45-vjeçar të diktaturës komuniste. PD dhe PPSH nisën mobilizimin për të fituar garën elektorale të zgjedhjeve të 31 marsit të vitit 1991. Situata politike ishte kaotike. Mitingjet e PD-së shoqëroheshin me antimitingje të PPSH-së, gjithashtu rrëzimi në të gjitha qytetet e vendit i përmendoreve të Enver Hoxhës nga ana e aktivistëve të PD-së, pasohej me ringritjen në fshatra të këtyre përmendoreve nga aktivistë të PPSH-së.
Ditët e dhjetorit ‘90 dhe ato të muajve të parë të vitit 1991, ishin të ngjeshura me ngjarje mjaft të rëndësishme. Partia Demokratike nisi aktivizimin masiv me një miting në sheshin e Qytetit Studenti me 23 dhjetor 1990. Më 28 dhjetor, doli për herë të parë në treg gazeta e PD-së “Rilindja Demokratike”, duke shënuar njëkohësisht edhe tirazhin më të madh të një gazete në Shqipëri prej 120.000 kopjesh. Brenda pak ditësh u liruan nga burgu një grup prej 393 të dënuarish për arsye politike.
Udhëheqja komuniste e partisë-shtet PPSH që po përpiqej të përshtatej në kushtet e pluralizmit politik, e kuptoi menjëherë situatën dhe nxitoi të parandalonte zhvillimet, të cilat dukej qartë se ku po drejtoheshin. Filluan antimitingjet e PPSH-së kundër rrëzimit të busteve. Fillimisht ato u organizuan në zonat rurale, nëpër fshatra, aty, ku në të vërtetë nuk kishte buste. Në disa raste bustet e rrëzuara nga qendrat e qyteteve u vendosën në disa fshatra të vogla, që vazhdonin të derdhnin lot për vdekjen e Enverit, madje edhe atë të Stalinit.
Një dekret i Kuvendit Popullor i datës 23 janar 1991, parashikonte respektimin dhe mbrotjen e monumenteve që lidhen me historinë kombëtare dhe simboleve shtetërore, ku përfshihej busti i Enver Hoxhës. Sipas dekretit, dënohej me 6 muaj deri në tre vjet burg ai shtetas që dhunonte monumente kulture, siç ata i quanin bustet e figurave të shquara, nga Skënderbeu e deri tek Enver Hoxha.
Dekret
Për respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve që lidhen me historinë kombëtare dhe simboleve shtetërore…
… Dënohen ne 6 muaj deri në tre vjet burg ata shtetas që dhunojnë monumente kulture siç janë bustet e figurave të shquara qysh te Skënderbeu e deri tek Enver Hoxha.
Por ndërkohë, 723 studentë e pedagogë të Universitetit të Tiranë, kishin hyrë në grevë urie. Ata kërkonin ndër të tjera, heqjen e emrit “Enver Hoxha” të universitetit të tyre. Kërkesa ishte refuzuar nga pushtetarët në fuqi. Ndërkohë që vazhdonte greva e urisë, mijëra shqiptarë pushtuan sheshin dhe rrëzuan shtatoren e diktatorit më 20 shkurt 1991.
Rrëzimi i statujës së Enver Hoxhës drodhi në themele forcën e PPSH-së. Ishte një miting masiv, sikur e gjithë Shqipëria ishte në atë shesh dhe me një urrejte të pashembullt u rrëzua monumenti i diktatorit.
Reagimi i udhëheqjes së plakur komuniste do të ishin antimitingjet. Ato drejtoheshin nga shoqata “Vullnetarët për Mbrojtjen e Bustit të Enverit”, të kryesura nga Hysni Milloshi.
Retorika që përdorej në mitingjet e “Vullnetarëve të Enverit” ishte për vëllavrasje. Mundësia për një përplasje civile mes palëve ishte shumë afër. Në mbarë vendin u aktivizuan me shpejtësi celula të “Vullnetarëve të Enverit”, të cilët organizoheshin në mitingje e antimitingje, ku përdorej një retorikë ekstremiste, e cila acaronte në skaj palën tjetër, por në këtë situatë kaotike kishte edhe ngjarje qesharake si ajo e Fierit. Busti i diktatori që ndodheh në qendër të qytetit të Fierit, u hoq me protesta dhe thirrje të forta antikomuniste nga i gjithë populli i Fierit, ata e hodhën në lumin Gjanica. Pak orë pas protestës, “Vullnetarët e Enverit e kërkuan bustin në lumë, e gjetën dhe e rivendosën në vendin ku ishte. Më pas protestuesit bënë të njëtin veprim, me protesta e hoqën dhe e hodhën sërish në Gjanicë. Është ngjarje e treguar nga Arben Demeti, sekretari Organizativ i PD-së në vitet e para të themelimit. Sidoqoftë, rrëzimi i monumentit të diktatorit në sheshin e kryeqytetit konsiderohet një ndër ngjarjet më të mëdha të periudhës së ndërrimit të sistemit politik në Shqipëri në vitet ’90.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.