Viti 2025 është shpallur “Viti Maks Velo”, në nder të piktorit, arkitektit, studiuesit, shkrimtarit të mirënjohur dhe ish-të dënuarit politik të regjimit komunist në Shqipëri. Gjatë vitit do të mbahen aktivitete për të nderuar artistin dhe intelektualin e njohur.
Ndërsa, Drejtoresha e Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, kujtoi peripecitë e Maks Velos për lirinë dhe dashurinë e tij për artin.
“Maks Velo e pagoi rëndë lirinë e shpirtit të tij bohem dhe artistik, gjyqi dhe dënimi prej 10 vitesh do të përbënin një dramë familjare për Velon. Shumë prej pikturave që u gjetën në shtëpinë e tij u shkatërruan me urdhër të Gjykatës. Maks Velo ishte një nga njerëzit më të njohur të Tiranës. Maks Velo iu rikthye pasionit për pikturën duke mbajtur shumë ekspozita brenda dhe jashtë vendit”, u shpreh Etleva Demollari, drejtoresha e Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”.
Në vitet ’78-’79 ai u arrestua dhe u dënua me 10 vite burg, maksimumin e dënimit për akuzën që iu bë "agjitacion e propagandë". Vuajti dënimin në burgun e Spaçit dhe një pjesë e krijimtarisë së tij i është dedikuar asaj periudhe.
Ceremonia zyrtare për shpalljen e “Vitit Maks Velo” u organizua më 4 shkurt 2025 nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, Autoritetin për Informim për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe. Në aktivitetin e zhvilluar, të pranishëm ishin njohës dhe dashamirës të veprimtarisë së Maks Velos, të cilët vlerësuan figurën e tij. “Një artist shumë dimensional, i cili i ka dhënë jashtëzakonisht shumë historisë së arteve pamore, pikturës, arkitekturës dhe shoqërisë shqiptare", tha Alda Bardhyli.
Velo lindi në Paris në 1935-ën. Studioi në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit, pranë Institutit Politeknik. Më pas u specializua për arkitekturë. Është autor i një sërë botimesh si “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Betonizimi i demokracisë”, “Hetimi”, “Spaçi”, “Jeta ime në figura”, “Klubi Karavasta” “Përkthyesi”, “Jetë paralele” etj..
