1988/Reparti nr.312 Tërnovë për 6 muaj nxori 9244 ton krom

0
217
blank

Efektivi i Repartit nr.312 Tërnovë, kuadër e ushtarë, më 8.7.1988 i bënin një letër ministrit të Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, në të cilën përveç përshëndetjeve merrnin zotime për tejkalimin e planit. Nga kjo letër del sasia e krimit të nxjerrë nga të burgosurit.

Pas dërgimit të letrës, ministri bëri gati një përgjigje revolucionare, por për fat të keq të efektivitit të Repartit nr.321 i cili lavdërohej për vigjilencë revolucionare, më 14.7.1988 u arratisën 8 të dënuar. Ministri anuloi përshëndetjen që e kishte gati dhe shkroi mbi të: “Anulohet urimi. Pasi të analizohet arratisja do t’i ndëshkojmë shumë rëndë. Kishte mundësi të ikte gjithë kampi. Katastrofë fatale”.

Pjesë nga letra e urimit të datës 8.7.1988:

Efektivin e repartit tonë e përbëjnë 90% pa eksperiencë pune në këto organe e reparte, edukimi ideologjik dhe profesional kanë qenë e janë problemi kryesor për të ngritur më lart punën e vazhdueshme klasore, për të ruajtur të pastër figurën moralo-politike të gjithë efektivit dhe mbajtur qëndrim klasor me elementin armik e keqbërës.

Për këtë periudhë për punë, të mirë janë stimuluar 45% e efektivit. Me efektivin që kemi gjendjen e shëndoshë moralo-politike të lartë, masat e marra tekniko-xheniere garantojnë plotësisht sigurimin e elementit të dënuar nën ruajtje.

Edhe te të dënuarit ngjarjet janë ulur në një masë të konsiderueshme. Është shtuar mobilizimi në radhët e tyre për të zbatuar rregullat në rajonin e banimit e për të realizuar detyrat e planit të prodhimit të kromit.

Shoku ministër; angazhimin e marrë për të dhënë 500 ton krom mbi detyrën e bëmë realitet, bile e tejkaluam duke dhënë 1044 krom plus, nga 8200 ton që kishim planin si 6 mujor, u realizuan 9244 ton.

Si repart detyrat e vitit 1988 do t’i mbyllim në festat e përvjetorit të çlirimit, 28-29 nëntor, do të luftojmë dhe do të japim fjalën se do të jemi vigjilent të gatshëm e të disiplinuar dhe nuk do të sjellim asnjë shqetësim për të shkuar në 80-vjetorin e ditëlindjes së udhëheqësit dhe mësuesit të madh shokut Enver Hoxha me objektiva të realizuara për të fituar titullin “Flamurtar të mësimeve të shokut Enver Hoxha, luftëtar të vendimeve të kongresit të 9-të të PPSH-së”.

Shëndet e lumturi për të mirën e partisë e të popullit shqiptar.

Rroftë partia jonë e lavdishme, Komiteti Qendror me në krye shokun Ramiz Alia.

Përshëndetje revolucionare nga efektivi i Repartit nr.312, Tërnovë, Dibër.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here