1987/Pandeli Mërtiri u vra në kufi, vrasësit u dekoruan me “medaljen e trimërisë”

0
154
blank

Kujdes: Pamje të rënda!

Më 31.10.1987, në orën 6.15, në postën e kufirit Peshkëpi në Gjirokastër, në përpjekje për të kaluar kufirin, u vra në kokë me armë zjarri shtetasi Pandeli Sotir Mërtiri nga Qeparoi dhe u ndalua i plagosur shtetasi Thoma Zoi Skarço i vitlindjes 1963, nga Vlora. Thomai e kish njohur Pandeliun kur kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Qeparo.

Thomai dhe Pandeliu u nisën më 29.10.1987 me tren nga Vlora në Ballsh. Prej këtu udhëtojnë me një makinë tip “Skoda” për në Gjirokastër. Atje flenë në dhomën e një studenti. Më 30.10.1987 u nisën me autobus në Jorgucat, por zbresin në Grapsh dhe i drejtohen kufirit. Nën klon hapën me thikë një gropë për të kaluar nën tela, por këtu japin sinjalin pa dashje. Në orën 4.05 në postë ishte dhënë sinjali i prekjes së aparaturës elektrosinjalizuese (klon). Komisari i postës fikson sinjalin dhe merr masa bllokimi, duke ngritur postën në kushtrim. Njëkohësisht njoftohet komandanti i Repartit nr.185 Jergucat, i cili ngre në kushtrim postat fqinjë kufitare të Buretos e Radatit, si dhe forcat vullnetare të fshatrave Peshkëpi, Glinë, Vllahogoranxi, duke u vënë detyra konkrete. Ushtarë e kuadro ishin në rrethim. I kanë pikasur dhe i kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi. Në fillim u vra Pandeliu (për të cilin ushtarët thanë “e vramë njërin”), ndërsa Thomai ndryshoi drejtim 200 metra, por nuk mundi të vazhdojë dot sepse u plagos në krah dhe u rrëzua. Të dyve iu gjetën gjatë kontrollit adresa në Greqi dhe SHBA. Ushtarët që bënë vrasjen u propozuan për dekorim (“medalja e trimërisë”).

blank

Gjykata Popullore e Rrethit Vlorë, me vendimin nr.3, datë 14.1.1988, e deklaroi fajtor Thoma Skarçon për fajin e tradhtisë ndaj atdheut në formën e arratisjes në bazë të neneve 47/gj e 11/2 të Kodit Penal dhe e dënoi me 16 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet. Thomai u lirua më 10.1.1991 nga Reparti nr.321 Burrel sipas dekretit nr.7444, datë 5.1.1991 të Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here