Proceset politike në komunizëm kishin në jo pak raste dënimet me plan, në linjë farefisnie. Kjo planifikohej për të mbajtur në popull ndjenjën se armiku ishte po ai. Nipi i Alush Krusës së dënuar me vdekje në vitin 1951, u ekzekutua më vitin 1987.
Enver Faslli Osmani i vitlindjes 1958, lindur e banues në Gjoricë të Dibrës, me 6 klasë fillore, me profesion çoban në kooperativë bujqësore, ishte 27 vjeç kur u arrestua më 23.10.1985 me akuza të rënda të tradhtisë ndaj atdheut, vënie në shërbim të agjenturës së huaj dhe sabotazh e diversion. U akuzua në bazë të neneve 47/gj, 52, 53, 101/1 të Kodit Penal. U përfshi në një proces së bashku me shtetasit Rifat Mirku dhe Besnik Dema, të cilët paraqiteshin si bashkëpunëtorë të tij.
Një rast tipik qesharak, por që përfundoi me marrjen e jetës së një të riu, pa asnjë arsye. Procesi pretendonte se kur ishte 17 vjeç, në vitin 1975, “kur kulloste dhitë e fshatit”, brenda klonit” ishte “takuar me një agjent të zbulimit jugosllav”, i cili ishte futur brenda territorit të shtetit tonë “si diversant”. Enveri kishte pranuar propozimin për “t’u vënë në shërbim të zbulimit jugosllav”, me synim dhënien e të dhënave me karakter ushtarak, politik dhe ekonomik “në dëm të vendit tonë”. Se për çfarë mund t’i shërbente “zbulimit jugosllav” për të dhëna ushtarake, politike dhe ekonomike, një çoban dhish, vetëm përpiluesit e këtyre proceseve mund ta dinin. Në veprimtarinë e supozuar, pretendohej djegia me “porosi” e stallave të bagëtive, të cilat edhe në foto duken gati në rënie nga vjetërsia.
Gjykata e Rrethit Dibër, me vendimin nr.20, datë 14.2.1987, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje, pushkatim dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.57, datë 28.2.1987 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Enveri u ekzekutua.
Fotografia i takon eksperimentit hetimor. Dallohet stalla e rrënuar e bagëtive që gjoja do hidhej në erë me porosi të zbulimit jugosllav.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.