“Me triska e nisi e me triska e mbylli”
Një prej detyrave funksionale të Sigurimit të Shtetit ishte edhe raportimi para udhëheqjes së Partisë së Punës për atë që flitej në popull. Zakonisht, degët e punëve të brendshme në rrethe raportonin para sekretarit të parë vendor të komitetit të partisë ose për çështje ekonomike para kryetarit të komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit. Mendimi i specializuar dërgohej në Drejtorinë e Parë të Sigurimit të Shtetit dhe ky organ ia përcillte sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës ose sekretarit që mbulonte Ministrinë e Punëve të Brendshme. Nëpërmjet këtij informimi, gjithnjë Partia e Punës ishte në dijeni të mendimit popullor kundër regjimit, të grupeve sociale që mendonin kundër, të problematikave të ndryshme për nga buronte pakënaqësia, etj.. Informacionet në vite të ndryshme e në kohë të ndryshme tregojnë se shqiptarët gjithnjë nuk janë pajtuar me diktaturën dhe se mendimi kundër ka qenë gjithë i paprekur, ndonëse në vend vepronte diktatura e egër staliniste e Enver Hoxhës.
Një prej momenteve që kemi përzgjedhur sot, është ai i vdekjes së diktatorit më 11 prill 1985. Nuk janë pamjet filmike të të qarave në rrugë ato që përcaktojnë qëndrimin zyrtar të popullit shqiptar për atë që ndienin për diktatorin më të madh të vendit. Sigurisht pjesa nostalgjike e lidhur fort me regjimin, do qante për idhullin e vet, po ashtu edhe pjesa që përfaqësohej nga injoranca skalitur në kuadër të “njeriut të ri” të gatuar nga regjimi i Enverit. Nuk janë pamjet e njerëzve që shkulin flokët, e plakave që iu bie të fiktë, ato që përcaktojnë emocionin e shqiptarëve për këtë ngjarje. Pjesa e padukshme tregon të kundërtën.
Pjesa e qëndresës, ajo që kishte vite që shtypej, por edhe pjesa e zhgënjyer e elitës që prodhoi vetë regjimi, kishin mendim tjetër për vdekjen e diktatorit. Ky mendim shihet me lehtësi në vëzhgimet e Sigurimit të datës 11, por edhe më pas në ditët në vijim.
Kemi përzgjedhur disa nga raportet e shumta të një rrethi të caktuar si Vlora. Disa mendime se çfarë është folur për ngjarjen e rëndësishme të vdekjes së Enver Hoxhës vijnë në pjesët e mëposhtme. Mbizotëron mendimi se Shqipëria ka shpëtuar nga një e keqe që e kishte zënë prej kohësh e nuk e lëshonte. Shihej se regjimi komunist ishte lidhur fort me emrin e Enver Hoxhës dhe se tani kishte filluar një fije shprese për vendin. Shqiptarët e lodhur nga regjimi komunist shpresojnë për ndryshim. Te pjesa më e madhe mendimi është që iku një njeri që na mori shpirtin. Në dokumente emri i E.H nuk përmendet, por vihet në formën “udhëheqësi kryesor” ose “themeluesi i partisë” sepse në botëkuptimin e regjimit, përmendja e emrit të tij nuk ishte e denjë për njerëzit që nuk e donin atë.
***
Informacion i datës 14.4.1985 në Lushnjë
-Abdyl Nezha, kulak: Partia dhe Enver Hoxha të ka bërë çke me të, tokën ta mori, lopën dhe bagëtinë t’i ka marrë, të ka lënë si mos më keq..., pa një farë kapitali, na ka mbetur buka thatë. Unë kam qenë ballist në atë kohë dhe dëgjonim nga partizanët se do të kemi tokën tonë, do të kemi bagëtitë tona, tashti në fund gënjejnë popullin, ua mori të gjitha dhe i ka lënë si mos më keq.
-Djali i Lekë Previzit, nxënës në 8-vjeçare: “Më plasi mua se ka vdekur Enver Hoxha” (kjo është shoqëruar me të qeshura).
-Fatushe Çela: Sot po heqim e po vuajmë. Nuk di se ku ta kërkosh të drejtën. Këta të qeverisë shikojnë qejfet e veta. Unë as nuk kam vajtur në mbledhje dhe as kam për të vajtur. Këta të qeverisë që kanë ngelur nuk e mbajnë dot vendin tij. Nuk dihet si do vejë halli jonë.
-Zija Hoxha: “Erdhi fitoja për ne, na nxiu jetën. Situata do të ndryshojë, do hapen rrugën e do jemi të lirë. Këtë prisnim që të vdiste”.
-Sefer Çaushi: Ai kish bërë shumë të këqija.
-Shaban Mahmuti: Iku i madhi. Sot takova një oficer dhe më tha se ai sa ishte gjallë bëri ç'deshi vetë. Besoj se kjo gjendje nuk mund të vazhdojë më për arsye se papunësia ka arritur kulmin dhe nuk ka asgjë për të ngrënë. Njerëzit nuk i lejojnë të dalin jashtë shtetit. Këta tani duhet dhe detyrohen të ndryshojnë politikën.
Informacion i datës 14.4.1985 në Tiranë
-Naim Kukaleshi: Ky që vdiq me triska e nisi dhe me triska e mbylli jetën...nuk kam luajtur mendsh me ardhë me bo homazhe se bon vaki ndonjë gjo. Do rri në shtëpi duke pirë raki dhe duke bo qejf. Enver Hoxha pat luajt mendsh. Gjithë zarzavatet i nxori jashtë dhe tregu jonë mbeti bosh. Shiti energjinë elektrike dhe tash kemi 2 vjet pa drita.
-Tomor Guçe: (Bashkëbiseduesit të trishtuar) Unë të kam njohur për njeri të zgjuar. Po ti ç’humbe nga kjo vdekje? Përveçse mundet të fitosh, qoftë edhe sikur të mos ndryshojë politika, më keq s’do të bëhet. Megjithatë unë shpresoj që ky i dyti do të bëjë diçka më shumë, do t’i hapë portat, do lidhet me botën. Prandaj kjo vdekje duhet të të bëjë optimist, jo vetëm ty, por edhe mua që bëj kaq vjet pune si aktor (luan p.sh. te filmi ''Kur ndahesh nga shokët''-shënim) dhe prapë mbeta duke lypur borxh.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.