Dy të rinj, djem xhaxhallarësh, pasi u arrestuan për kalimin e kufirit, u gjykuan para popullit. Njëri u dënua me 10 vite heqje lirie dhe tjetri, vetëm 18 vjeç, me 8 vite
Zakonisht, gjyqet para popullit janë bërë në vitet e para të regjimit komunist apo në fushata si ajo kundër fesë në vitet 1967-1968, por në thelb, kjo formë e luftës së klasave është zhvilluar edhe në vite të tjera. Gjykata zhvendosej në një qendër pune apo zonë të banuar dhe aty, të pandehurit poshtëroheshin sa më shumë para popullit në mënyrë që dënimi të kryente dy efekte: ndaj atyre që dënoheshin dhe psiqikisht, edhe ndaj atyre që dëgjonin.
Jashari dhe Lavdimi ishin djem xhaxhallarësh. Të dy vendosën të arratisen. Iu drejtuan kufirit, arritën të presin telat e klonit, të hapin një gropë nën të, por me të dalë nga telat u ndaluan nga njësiti kufitar. Kësisoj u arrestuan më 7.6.1985. U akuzuan në bazë të neneve 47/gj në kombinim me nenet 11/2 e 31/b të Kodit Penal. Gjykata e Rrethit Korçë u zhvendos në fshatin Miras.
Jashari kish mbaruar shkollën e mesme bujqësore në vitin 1982, por për arsye shëndetësore nuk i kish pranuar pozicionet e punës së ofruar. Cilësohej se bënte “jetë parazitare”, por kish mbetur jashtë formave të edukimit, i ndikuar nga ideologjia e huaj, sidomos nga bisedat me emigrantë ekonomikë, të cilët kishin ardhur si vizitorë në atë zonë.
Midis të tjerash në vendim thuhej: “Të pandehurit si rrjedhojë e ndikimit të ideologjisë së huaj borgjezo-revizioniste kanë kaluar në veprimtari armiqësore, duke kryer një nga krimet me rrezikshmëri të madhe shoqërore, atë të tradhtisë ndaj atdheut, në formën e arratisjes”. Ndërsa Lavdimi, kish qenë i lidhur me punën, por sipas gjykatës, kish pranuar këtë “mendim kriminal” për t’u arratisur. Bisedat për arratisje ishin bërë në vitet 1982-1985.
Gjykata e Rrethit Korçë, e drejtuar nga Lluka Zani, me pjesëmarrjen e prokurorit Kastriot Lavdari, me vendimin nr.107, datë 8.7.1985, i deklaroi fajtorë dhe i dënoi si vijon:
-Jashar Xhevdet Duro, lindur më 20.8.1963 në fshatin Çetë, banues po atje, me 10 vjet heqje lirie.
-Lavdim Abdyl Duro, lindur më 3.4.1967 në fshatin Çetë, banues po atje, kooperativist, me 8 vjet heqje lirie.
Jashari u lirua më 30.4.1990 nga Reparti nr.305 Përparim, në bazë të dekretit nr.7386, datë 28.3.1990 të Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Lavdimi u lirua më 18.6.1990 nga Reparti nr.311 Qafë-Bari, në bazë të dekretit nr.7391, datë 12.6.1990 të Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.