1981/Arrestimi i kulakut, dënohej babai dhe i biri

0
866
blank

Me shkresën nr.672, datë 6.12.1980, Dega e Punëve Gramsh, i dërgonte Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dosjen formulare nr.37, certifikatën e gjendjes familjare, një vërtetim të kryesisë së Frontit, biografinë, raportpropozimin për arrestim në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal të Hazis Musa Kullolit, lindur në vitin 1928 dhe 3 procesverbale kallëzimi. Shkresa mbyllej me fjalët “presim”.

Në raportpropozimin në fjalë, thuhej se Hazizi ishte kulak, lindur në vitin 1928 në Gjerë, anëtar i kooperativës bujqësore Poroçan, i pazgjedhur në organet e pushtetit. Familja dhe farefisi konsiderohej si pro regjimit të Mbretit Zog, xhaxhai Demiri kish qenë kryeplak. Kishin pasuri në Poroçan dhe Çërragë. Musai dhe Demiri ishin radhitur me Ballin Kombëtar. Pas lufte, familjes iu mor pasuria.

Në vitin 1951, Musai dënohet se ishte takuar me Hamit Matjanin. Vuajti 15 vjet burgim.

Në vitin 1951, familja e Musait shpallet kulak, titull që e mbante edhe kur u arrestua Hazizi, i cili ishte pa triskë Fronti. Hazizi ishte nip i Sali Jupës nga Kishta, djali i të cilit, Zeneli, ishte oficer i Zogut.

Hazizi ishte regjistruar në kontroll operativ 2B kur ishte vetëm 20 vjeç, në vitin 1948. Në vitin 1968 regjistrohet në përpunim aktiv 2A dhe më 27.3.1969 është ulur në 2B më 27.3.1969. Më 7.6.1980 ishte ngritur sërish në kontroll operativ 2A. Për vitin 1981, ishin sjellë 63 raporte nga bashkëpunëtorët “Lisi”, “Shqiponja”, “Rrushi i Kodovjatit”, “Patrioti”, “Shkëmbi”, “Devolli”.

Vlerësohej se veprimtaria e tij ishte në drejtim të vijës së partisë, lavdërimin e Ahmet Zogut, Riza Kishtës, De Golit, etj.. Citohej të kishte thënë: “Ti mos fol siç flasin këta të qeverisë sonë. Italia është në gjendje të mirë ekonomike, atje nuk ka fukarallëk për bukën e gojës, ndërsa Greqia mundet, por jo si thonë këta. Ahmet Zogu dhe Riza Kishta kanë qenë burra të mirë dhe përparimtarë, por nuk i linin bejlerët. Italia dhe Greqia janë shtete të përparuara, prodhojnë grurë dhe misër sa të dojë populli. Atje jetohet mirë dhe me bollëk. Thekra që ne mbjellim këtu, në vendin tonë nuk bëhet. Ndërsa në Austri e Gjermani bëhet, pasi ata kanë bujqësi të përparuar. Kanë makineri. Ndërsa te ne bujqësia është e prapambetur. Bukën nuk e sigurojmë dot në vend. Lëre se ç’thonë këta të qeverisë. Në Itali, ka demokraci, populli jeton i lirë. Po nuk punuan “agallarët” (brigadierët) nuk punojnë hyzmeqarët. Me 5 lekë që ndajmë ne, nuk mbahet shtëpia. Më parë kemi jetuar mirë. Kishim 600 kokë bagëti, ndërsa sot jemi duke vuajtur. Më kanë mbetur 3-4 kokë bagëti, të cilat duan t’i heqin tani. Kjo dynja është prish fare që kur u prish feja”.

Drejtoria e Hetuesisë, me shkresën nr.758/1, datë 30.12.1980, i kthente dosjen DPB Gramsh, bashkë me miratimin e arrestimit nga prokurori i përgjithshëm. Porositej: “Mbi bazën e materialeve të dosjes së përpunimit, së bashku me sektorin operativ, të bëni planin e përbashkët hetimor-operativ ku të parashikoni detyra dhe analiza të përbashkëta, të cilat do t’i shërbejnë hetimit, për të vënë në pozita pohimi dhe të japë shpjegime rreth veprimtarisë armiqësore që ka zhvilluar”.

U arrestua më 4.1.1981. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal. Gjykata e Rrethit Gramsh, e drejtuar nga Sotira Nako, me pjesëmarrjen e prokurorit Bajazit Beci, me vendimin nr.7, datë 23.4.1981, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe me pagimin e shpenzimeve gjyqësore prej 8 lekësh.

U lirua më 26.1.1988.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here