1981/11 herë refuzoi pranimin e akuzës dhe aktet e hetuesisë

0
182
blank

Nikollë Prenga refuzoi  të pranonte akuzën për agjitacion dhe propagandë dhe i quajti "rrena" deklaratat e dëshmitarëve në gjyq, megjithatë u ridënua me 10 vite burg. 

Nikollë Prenga (Tuci), vuante dënimin nga viti 1967 në burgjet komuniste. Në mes të vitit 1981, autoritetet komuniste morën vendimin e arrestimit dhe dënimit tjetër të tij. Kallëzimi i parë iu bë më 8.6.1981 se nuk punonte në minierë e kërcënoi rojën. U shfrytëzuan materialet operative, në të cilat dilte se kish përmendur Enver Hoxhën dhe nxiste të mos përdorej puna e detyruar ndaj të burgosurve. Më 22.7.1981, u mor “menjëherë” në përpunim aktiv 2A për agjitacion e propagandë nga DPB Mirditë. Në ngarkim të tij kanë dhënë informacione 6 bashkëpunëtorë të kategorisë agjent: “Uraka”, “Pashtriku”, “Ventilatori”, “Kasketa”, “Amperi”, “Liqeni” dhe të dhënat e tyre konfirmojnë plotësisht njëra-tjetrën se Nikolla është në pozita armiqësore. Ishte shprehur se lirimin e shpresonte nga situata e jashtme e jo te regjimi; ishte bërë nxitës për të mos punuar të dënuarit e tjerë, kishte deklaruar se mohimi i Zotit nuk ishte bërë në asnjë vend tjetër, etj.. Raportimet e “Urakës” janë marrë shumë seriozisht saqë në takim përveç operativit Shyqyri Toska kanë asistuar edhe kryetari i Degës së Punëve të Brendshme Mirditë, Bajram Pelo dhe oficeri i drejtimit Mehdi Hasani.

U arrestua më 17.9.1981 teksa vuante dënimin në Repartin nr.303 në Spaç. U akuzua në bazë të nenit 55/1/ të Kodit Penal.

Në një raport të DPB Mirditë të datës 2.9.1981, ndër të tjera thuhej: “Duke parë rrezikshmërinë shoqërore të objektit të dënuar...që zhvillon në radhët e të dënuarve dhe sidomos në atë të të rinjve dhe për të evituar ndonjë akt të mprehtë nga radhët e të dënuarve të Repartit nr.303 Spaç, propozojmë që ta riarrestojmë e hetojmë për krimin e agjitacionit e të propagandës. Edhe sektori i hetuesisë është dakord për rigoditjen e tij. Të tre dëshmitarët nuk kanë dalë ndonjëherë dëshmitarë”. U pyet nga hetuesi Dino Leli. Nuk pranoi 11 herë të nënshkruajë njoftimin e aktakuzës apo aktet e tjera të hetuesisë. Gjatë diktaturës komuniste refuzimet e plota gjatë një procesi janë dukuri shumë të rralla. Refuzime të pjesshme gjenden, por në masën 100% janë vetëm ky rast dhe i Mark Zef Palit në vitin 1954 (grupi i “tunelit të lirisë” në Kampin nr.4 në Tiranë). Nikolla as në gjyq nuk e pranoi akuzën. Iu drejtuar tre dëshmitarëve (të burgosur edhe ata, por me personalitete të ulëta, madje njëri hajdut) me fjalët se i kishin “të gjitha rrena” dhe se njohjet me ta kishin qenë të kufizuara ose nuk i njihte fare, madje duke i kapur edhe gafa të përdorura prej tyre. Megjithatë, gjykata u bazua besnikërisht te thëniet e dëshmitarëve.

blank

Gjykata e Rrethit Mirditë, e vendosur në Repartin nr.303 Spaç, e kryesuar nga Mihal Kazanxhi, me pjesëmarrjen e prokurorit Vaskë Dimoshi, me vendimin nr.68, datë 11.11.1981 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet. Në bashkim të dënimeve, iu dhanë 13 vjet e 8 muaj heqje lirie. U la në fuqi me vendimin nr.298, datë 5.12.1981 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here