Ndër të dënuarit politikë të diktaturës së Shqipërisë ka mjaft shqiptarë të Kosovës, për të cilët dënimi ishte ndoshta më i rëndë. Peshonte mbi të edhe zhgënjimi ndaj kësaj toke që e kishin idealizuar e ku regjimi komunist po i trajtonte edhe më keq se jugosllavët. Kujto.al sjell dokumentin ku lexohen akuzat qesharake që e dënuan me 15 vjet burg shqiptarin e Kosovës, Ibish Kelmendi
Shqiptarët e Kosovës, të cilët erdhën në Shqipëri për t’i shpëtuar gjenocidit serb, u trajtuan në mënyrën më të keqe të mundshme nga regjimi i E.Hoxhës. Politika e këtij regjimi ishte në koordinim të plotë me atë jugosllav, madje goditjen dhe dënimet e dhëna, ishin edhe më të rënda sa ato të gjykatave jugosllave. Një rast është ky i të dënuarit Ibish Kelmendi, me profesion arsimtar, me arsim të lartë, i përfshirë në proces me kunatin e tij. Në vendim, për të midis të tjerash thuhej:
“I pandehuri Ibish Kelmendi së bashku me dy persona të tjerë, në muajin gusht 1956 kanë ardhur nga Jugosllavia në Shqipëri, ku është dorëzuar në organet kompetente në qytetin e Tropojës, me të ardhur në vendin tonë ai ka kërkuar strehim politik e që andej është dërguar në Llakatund të Vlorës ku ka qëndruar përkohësisht. Që në ditët e para që ka qëndruar atje, ai ka biseduar me Bardhyl Kelmendin për t’u arratisur në Greqi. Që në ato ditë, në bisedat që ka patur me atë person, ai është shprehur se më mirë të qe në burg se sa në Llakatund.
Pasi ka qëndruar atje pak kohë ai ka ardhur në Rrethin e Fierit ku ka kaluar shumë, është emëruar si arsimtar dhe në vitin 1969 i është dhënë e drejta të vazhdojë studimet në Fakultetin e Histori Filologjisë pranë USH Tiranë. Gjatë viteve të studimeve ai ka zhvilluar bisedë me karakter armiqësor.
Ai citohej të kish thënë:
-“Zogu në Shqipëri qëndroi pak vjet dhe e bëri Tiranën me ndërtesa të bukura e të forta, ndërsa njerëzit e partisë e të pushtetit te ne, thonë se Zogu ia shiti Italisë, Shqipërisë. Ata s’thonë të vërtetën për veten e tyre që ia shitën Shqipërinë, Bashkimit Sovjetik sa e shndërruan në koloni të tij”.
-“Ne kosovarët këtu në Shqipëri na trajtojnë keq...ishalla nuk mbushen as 15 orë këtu, sepse këtu nuk jetohet”.
Gjykata e Rrethit Fier, me vendimin nr.56, datë 16.4.1974, i dënoi:
-Ibish Sadri Kelmendi, lindur në vitin 1931 Rukot, Pejë, arrestuar më 19.11.1973, me 15 vjet burgim dhe me konfiskimin e pasurisë.
-Agim Haxhi Rushkudolli, lindur në vitin 1943 në Shkodër, arrestuar më 7.12.1973 (ishte kunati i Ibishit), me 5 vjet burgim dhe me konfiskimin e pasurisë.
Akuza kryesore ishte neni 73/1, i agjitacionit e propagandës, së cilës i ishte ngjitur edhe një nen për “kontrabandë” (5 orë dore).
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.