Historia e trishtë e mjekut hebre që kaloi një jetë me përndjekje, pa mundur të duronte torturat e komunistëve
Natan Leiv Shakter u lind më 4.4.1913 në Sadagura, në kohën kur ajo ishte tokë e Austrisë. Kaloi një jetë të mbushur me tallaze, dallgët e së cilës e hodhën më së fundi në Shqipëri. Rridhte nga një familje me origjinë tregtare të mesme. Familja e tij, në Luftën e Parë Botërore, u shpërngul në Vjenë. Pas mbarimit të luftës, kreu në Rumani studimet në liceun klasik. Në vitet 1939-1940, ndjek studimet e larta për mjekësi në Bolonja, por duke u përndjekur si hebre. Në vitet 1940-1941, u internua në Lazareviç të Jugosllavisë. Pasi gjermanët pushtuan Jugosllavinë, largohet dhe punon në vitet 1941-1942 kamerier në Prishtinë. Në vitet 1942-1943, punon hamall në një depo barnash në Tiranë. Në vitet 1943-1944, punon si mjek pa rrogë në Zall-Herr pranë Xhemal Herrit. Pas vrasjes së këtij të fundit, përfshihet në Tujan në Brigadën e 1-rë partizane. Deri në vitin 1951, qëndroi si mjek në ushtri. Në vitet 1951-1954 punon si mjek në Burrel, e më pas, në vitet 1954-1960, mjek në Fushë-Krujë. Nga viti 1960, punonte mjek në spitalin e Durrësit. Pasi, në vitin 1955, u martua me Mila Çoratin, mori edhe shtetësinë shqiptare. Në vitin 1958, kreu kursin dermovenerian në Tiranë. Prej vitit 1948, ishte nën syrin e Sigurimit të Shtetit si “agjent i mundshëm i zbulimit gjerman”.
Pas shumë viteve persekutim të pashembullt, më 10.1.1973 u arrestua në Durrës, i akuzuar për agjitacion e propagandë në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal. Siç i dinte Sigurimi i Shtetit këto punë, gjatë hetimit “u zbulua” se ishte vënë në shërbim edhe të shërbimit sekret italian nga viti 1942. Për ta plotësuar si “poliagjent” i shtuan edhe rekrutimin nga zbulimi sovjetik në vitin 1956. Nga torturat e rënda dhe gjendja e paduruar psikologjike, më 17.5.1973 u dërgua për ekspertim në pavijonin nr.7 të Repartit nr.313 Tiranë (spitali i burgut). Më 28.6.1973, doli i përgjegjshëm nga spitali dhe u dërgua në paraburgim në Durrës. Nga këto rrethana të jashtëzakonshme, doktor Natani u vetëvar në qelinë e paraburgimit në Durrës më 30.6.1973 në moshën 60 vjeçare, duke përshtatur rrobat e trupit si litar.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.