Një koment për pamjen e Enver Hoxhës, e dënon Bahri Alibegun me 5 vite burg. Kujto.al sjell pjesë nga vendimi i Gjykatës, që argumenton burgosjen e të pandehurit për këtë “veprimtari armiqësore”
Përbënte element penal në formën e agjitacionit e propagandës çdo përmendje jo e përshtatshme e emrit të diktatorit. Një rast i tillë u shënua në Shkodër, teksa një revizor hodhi fjalë jo të përshtatshme për pamjen fizike të E.Hoxhës. Më 20.2.1961 teksa vijnë gazetat për punonjësit e Arkës së Kursimit, kur kolegu i tij në punë po reklamonte një fotografi të E.Hoxhës me delegatët e kongresit të 4-t të PPSH-së, Bahri Alibegu reagoi. Në vendimin e gjykatës ky çast shprehet kështu:
“....rreth orës 10.30, i pandehuri Bahri Alibegu, në Arkën e Kursimit të qytetit të Shkodrës ka agjituar dhe propaganduar kundër pushtetit popullor duke folur fjalë fyese kundër udhëheqësit të partisë dhe popullit tonë, shokut Enver Hoxha”.
“I pandehuri Fahri, pasi shikon fotografinë që i kishin treguar u thotë shokëve që ishin pranë, fjalë fyese në drejtim të anës fizike të shokut Enver, duke ulur dinjitetin e tij dhe mbas kësaj, ndërsa shokët që ishin pranë tij, po shikonin njëri-tjetrin dhe të pandehurin me habi, ky i fundit ulet dhe vazhdon punën në tavolinën e tij”.
Ata që e dëgjuan e çuan fillimisht në zyrën e drejtorit dhe pastaj e kallëzuan penalisht.
Midis të tjerash në këtë pjesë thuhet:
“I pandehuri...në këtë veprimtari ka treguar fytyrën e tij prej armiku të betuar të pushtetit popullor. Për atë, pushteti megjithëse i kishte siguruar kondita të mira jetese duke i besuar një punë të tillë të rëndësishme siç është ajo e revizorit, ishte i huaj sepse i kishte pushkatuar po për veprimtari armiqësore edhe vëllain e tij. I pandehuri zgjodhi dhe momentin për këtë veprimtari armiqësore kur i gjithë populli jonë i kishte drejtuar sytë, mendjen dhe zemrën atje në Tiranë, ku përfaqësuesit e partisë ishin mbledhur në kongresin e 4-t historik për të bërë bilancin e fitoreve të arritura dhe për të caktuar rrugën e drejtë të jetës më të lumtur.
Ai guxoi në këto momente të prekë dinjitetin e birit më të dashur dhe udhëheqësit të sprovuar të partisë dhe të popullit tonë, sh.Enver”.
Gjykata e Qarkut Shkodër, me vendimin nr.18, datë 17.4.1961, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 5 vjet heqje lirie. U la në fuqi me vendimin nr.106, datë 24.5.1961 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.