Dokumenti "Tepër sekret", ku prokurori i përgjithshëm Aranit Çela bën raportin e një vizite vëzhguese në kampet e internimit në Lushnje. “S’ka evidenca për internuarit në Lushnje, të pajisen me uniforma e të mos lejohen të lëvizin…”
Një dokument i 28 gushtit 1959 firmosur nga Aranit Çela, paraqet rëndësi të veçantë për të dhënat që ofron, mbi kushtet e jetesës në 8 sektorët e internimti në Lushnje, dhe sidomos për gjendjen e sigurisë atje. Prokurori Çela propozonte që të forcohej Siguria e të gjendjeshin mënyra që ata të mbaheshin më të izoluar .
Sipas tij “ata të internuar që paraqisnin rrezikshmëri për pushtetin nuk ishin izoluar si duhej, nuk kishin evidenca dhe qendra mjekësore, në mënyrë që të mos dilnin për asnjë lloj arsyeje nga territori i kampit të internimit”. Çela bën propozime te tij për të rritur masat e sigurisë dhe krijuar kushte që ata të mos lëviznin e të krijonin kontakte jashtë kampit.
Po ashtu Çela raporton edhe për pakënaqësitë e të internuarave mbi kushtet e jetesës në kampe dhe për raste kur ata e kishin përfunduar kohën e internimit dhe mbaheshin ende në internim.
Raporti i Aranit Çelës i dërgohet nën kryetarit të këshillit të Ministrave Abdyl Këllezi dhe vetëm pas 4 muajve në dhjetor 1959 Ministria e Brendshme Harton një përgjigje për vërejtjet e prokurorit të përgjithshëm. Zv.Ministri i Brendshëm Mihallaq Ziçishti shkruan mes të tjerave se “ka persona që janë internuar qysh nga viti 1950 dhe para kësaj kohe, por për këta persona, për rezikshmëri shoqërore është zgjatur afati i qëndrimit të tyre në internim, të tillë janë persona që kanë qënë me pozita gjatë okupacionit të vëndit, ssi p.sh. familja Mirakajvet, Hasan Dostit, Previzit etj”.
Kjo frazë në shkresën e Ziçishtit shpjegon internimet e gjata 45 vjeçare të të gjithë familjeve të atyre që e kundërshtuan regjimin komunist që në orët e para.
Komisioni i internim dëbimeve mbidhej dhe vendoste për shtyrje të internimeve sa herë anëtarët e këtyre familjeve mbërrinin në ditët e fundit të dënimit të dhënë, dënime që ishin kryesisht nga 5 vjet.
Këto dy shkresa të Aranit Çelës dhe Mihallaq Ziçishtit “Kujto.al- Arkiva e Viktimave të Komunizmit” i sjell të plota, zbardhur sipas origjinalit që ruhet në AQSH, si më poshtë:
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
PROKURORIJA E PËRGJITHSHME
-ANA USHTARAKE-
“T. S E K R E T”
-DEGA HETUESIS-
Nr. 0392 Prot.
Tiranë, më 28-VIII.959
L a n d a: Mbi disa konstatime rreth t’internuarve të vendosur në Rrethin e Lushnjes.
N/KRYETARIT TË KËSHILLIT MINISTRAVE TË R.P.SH.
(SHOKUT ABDYL KËLLEZI)
T I R A N Ë
Simbas porosis t’uaj, ekip i përbërë nga: një i deleguar i Prokurorisë së Përgjithëshme, Komitetit Partisë Rrethit Lushnjës dhe Degës së Punëve të Mbrendëshme, pasi vizitoi qendrat e banuara prej t’internuarve dhe dëgjoi ankesat e tyre, përveç mungesave që juve i pat vetë, konstatoi:
1. Mbi administrimin e t’internuarve.
Ndarja e t’internuarve në disa sektorë, dhe mungesa e telefonit dhe e rrugës në sektorin e Gradishtit, e ka vështirësuar kontrollin e përditshëm nga ana e Degës P. Mbrëndëshme. Tani këta punojnë në 8 sektorë, nën mbikqyrjen e 4 policëve.
Pranë Degës është krijuar një evidencë mbi t’internuarit, por ajo nuk është aqë e plotë. Ka t’internuar që pretendojnë se janë duke vuajtur dënimin e tyre para vitit 1950 por nonjë evidencë për ta nuk ka. Edhe pranë seksionit përkatës të Ministrisë Punëve të Mbrendëshme mungojnë evidencat e para të internuarve.
Përsa i përket të drejtave dhe detyrave të të internuarve sidhe kompetencave të organeve që merren me administrimin e tyre, deri tani kanë qenë rregulluar posaçërisht nga udhëzimi i Ministrisë Punëve të Mbrendëshme “Mbi ruajtjen e t’internuarve” Nr. 2681, datë 26.XII.1953. Por me rritjen e numurit të të internuarve, dhe shpërndarjen e tyre në shumë sektorë me profil pune të ndryshëm, del e nevojshme që këto të drejta dhe detyra të të dy palëve të jenë të përcaktuara gjerësisht.
Po ashtu duhet të ketë një kriter të përcaktuar për ndarjen e t’internuarve në sektorët e ndryshëm duke marë parasysh rezikshmërin dhe mundësinë e tyre për punë.
Në këtë drejtim, ekipi vendosi që personat me rezikshmëri të madhe shoqërore, siç janë personat që kanë patur pozita të larta në pushtet nën regjimet e okupacionit fashist etj., të grumbullohen në sektorin e Gradishtit. Gjithashtu u hartua një listë e personave që mund të lejohen për t’u instaluar në nonjë kooperativë bujqësore të rrethit, si në atë të Karbunarës, dhe u la si detyrë që të bisedohej me ta, që seicili, në mënyrë vullnetare, do të dëshëronte të instalohej atje familjarisht.
Po ashtu, nga ana e shokëve të Degës P. Mbrendëshme, u caktuan personat që mund të ndjekin arsimin shtetror dhe për këtë u bisedua me shokët e pushtetit lokal.
Përsa i përket shërbimit sanitar, ky nuk ishte i organizuar në një shkallë të mjaftueshme. Kur personat vuajnë nga sëmundje të ndryshme, si nga sytë etj. detyrohen të shkojnë në Tiranë ose Vlorë për mjekim, gjë që vështirëson kontrollin e tyre.
Gjithashtu puna politike dhe edukative nuk është në nivelin e duhur.
2. Mbi gjendjen e ligjëshmërisë. Deri tani, nga ana e Prokurorisë, nuk janë bërë kontrolle të përgjithshme mbi ta, por janë verifikuar dhe zgjidhur ankesat e tyre, sipas denoncimeve dhe letrave që ata i kanë parashtruar prokurorive përkatëse.
Në mbledhjen e komisionit të internim-dëbim, pranë Ministrisë Punëve të Mbrendëshme ka marrë pjesë Prokurori i Përgjithshëm ose zëvendësat e tij. Por në egzekutimin e këtyre vendimeve konstatohen të meta. Kështu p.sh. dy të internuar në rrethin e Lushnjës, Fatime Biçaku, mbahen t’internuar pa vendim megjithëse afati i lirimit i mbaron të parit më 14.IV.1958 dhe të dytit më 14.V.1959.
Ankesat e ndryshme që paraqitën t’internuarit u zgjidhën në vend dhe nuk e shikojmë të nevojshme për t’iau parashtruar.
Në lidhje me konstatimet e mësipërme propozojmë të merren këto masa:
a) Ministrija e Punëve të Mbrendëshme të krijojë evidenca të rregullta për gjithë t’internuarit uniformë për gjithë republikën, dhe të nxjerrë një udhëzim të ri, në lidhje me detyrat, të drejtat e të internuarve sidhe kompetencat e organeve administrative.
b) Ministrija e Punëve të Mbrendëshme të caktojë një platformë të sajën për ndarjen e t’internuarve në grupe duke marë parasysh rezikshmërinë shoqërore dhe gjendjen e tyre për punë.
c) Ministrija e Punëve të Mbrendëshme në bashkëpunim me organet e Partisë dhe Komitetin Ekzekutiv të caktojnë numurin e familjeve të të internuarve, të cilët vullnetarisht do të dëshërojnë të instalohen pranë nonjë kooperative bujqësore në atë rreth, duke i siguruar kreditin agrar, dhe ndihmat e tjera ekonomike.
ç) Ministrija e Punëve të Mbrendëshme të caktojë një referent për mbajtjen e evidencave, dhe kontrollin e punës të rojeve të policisë në sektorët e ndryshëm të qëndrimit të të internuarve. Ky do të ndihmojë si në dhënien e karakteristikave të qëndrimit dhe të punës të të internuarve, ashtu edhe në administrimin më të mirë të tyre.
d) Ministrija e Shëndetësisë të udhëzojë seksionin përkatës në Rreth, për të marë masa që në qendrat e mëdha të banimit të ngrenë pika sanitare, dhe kohë pas kohe të shkojnë në këto vende ekipe shëndetsore për të evituar lëvizjet e tyre të shpeshta në qytete të tjera, dhe nga ana tjetër, ndihma mjeksore të jetë sa më efikase.
e) Ministrija e Arsimit dhe e Kulturës të udhëzojë seksionet e tija përkatëse në rreth, që t’i kushtohet një kujdes më i math gjendjes arsimore dhe kulturale në N.B.SH. “29 Nëndori Lushnje”, në lidhje me t’internuarit, dhe në bashkëpunim me organet e partisë të bëhet një punë politike dhe edukative më e mirë me ta.
ë) Organet e Prokurorisë, të ushtrojmë kontrolle të vazhdueshme në sektorët e vend-qëndrimit të të internuarve dhe t’u garantojnë të drejtat dhe detyrat që cakton ligja.
Po ashtu duhet të kontrollohet dhe regjimi i administrimit të tyre nga organet e Ministrisë Punëve të Mbrendëshme, në mbështetje të rregulloreve në fuqi.
Mbi konstatimet dhe propozimet e mësipërme janë të një mendimi Komiteti i Partisë dhe Dega P. Mbrendëshme e Rrethit Lushnjë.
PROKUROR’I PËRGJITHSHËM
/ARANIT ÇELA /
(firma, vula)
***
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
MINISTRIJA E PUNËVE TË BRENDËSHME DREJTORIJA E SIG. SHTETIT
Tepër Sekret
Nr. OY 1117
Tiranë më 12/12/1959
Spiro Rushës
Jam d’akord me
Ministrinë e P. Mbrendëshme
(firma)
KOMITETIT QËNDROR P.P.SHQIPËRISË
(Gjeneral Kolonel Beqir Ballukut)
T I R A N Ë
Në lidhje me konstatimet e Prokuroris së Përgjithëshme dhe propozimet e saj për t’internuarit e vendosur në rethin e Lushnjës ju njoftojmë si më poshtë:
1)- Evidencat janë në regull, si në qendër, ashtu edhe pranë Degës P. Brëndëshme të Lushnjës.
Nuk ka t’internuar që të mbahen pa vendim të komisionit përkatës pranë kësaj Ministrije. Ka persona që janë internuar qysh nga viti 1950 dhe para kësaj kohe, por për këta persona, për rezikshmëri shoqërore është zgjatur afati i qëndrimit të tyre në internim, të tillë janë persona që kanë qënë me pozita gjatë okupacionit të vëndit, ssi p.sh. familja Mirakajvet, Hasan Dostit, Previzit etj.
Kështu qëndrojnë t’internuar me zgjatje afati edhe Fatime Biçaku (vajza e kriminelit t’aratisur Aziz Biçakut) dhe Hamdi Bushati (vëllai i Maliq Bushatit), të cilët përmënden nga ana e Prokurorisë Përgjithëshme, se mbahen në mënyrë të kondraligjëshme.
Për një kontroll më të mirë të evidencavet nga ana e jonë do të punohet për mbajtjen e kartotekës, e njëjta me kartotekën e të burgosurvet, që mbahet pranë degës burgjeve dhe kampevet.
2)- Ndarja e t’internuarvet në grupe simbas rezikëshmërisë së tyre është bërë prej kohësh nga ana e jonë, p.sh. ata që paraqesin më tepër rezikëshmëri janë vendosur në Gradishtë dhe nuk e shofim të nevojshme që të caktohet një platformë për një ndarje të tillë.
3)- Janë dhënë udhëzime që të vendosen në kooperativë bujqësore, ato familje t’internuarish që nuk paraqesin rezikëshmëri të theksuar shoqërore. Në lidhje me këtë çështje do të bashkëpunohet me organet e partisë.
4)- Nuk e shofim të nevojshme që për mbajtjen e evidencavet dhe kontrollin e punës të rojeve të policisë në sektorët e ndryshme për dhënien e karakteristikave të t’internuarvet dhe për administrimin e tyre të caktohet një referent i posaçmë, sikurse propozohet nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme.
T’internuarit janë si objekt kryesor i Degës P. Brendëshme të Lushnjës dhe për këtë ka një sektor dhe një punëtor operativ që meret me gjëndjen e tyre.
Bashkangjitur ju kthehet shkresa Nr. 0392 datë 28/8/1959 e Prokurorisë së Përgjithshme.
ZV.MINISTRI I P. TË BRENDËSHME
GJENERAL MAJOR
(Mihallaq Ziçishti)
(firma, vula)
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.