1954/ Përpjekja për t’u arratisur nga Kampi nr.2 Shtyllas

0
19
blank

Më 7.9.1954, organet e Sigurimit të Shtetit arrestuan një grup të burgosurish, midis të cilëve disa grekë, të cilët vuanin dënimin në Kampin nr.2 Shtyllas, Fier. Punohej për hapjen e tij nga ora 23.00 deri në orën 3.00 të mëngjesit. Zbulimi u bë në orën 23.00 të datës 7.9.1954 kur u zu në flagrancë i burgosuri grek Dhimitër Zanjotis duke gërmuar.
Kampi ishte vendosur këtu për hapjen e kanaleve për kullimin e ujërave. Vendosja në terrene tokash bujqësore, veçoritë e ndërtimit të kampeve, lëndët që përdoreshin, ishin avantazhe që nxisnin mendimin për hapjen e kanaleve të nëndheshme për të kryer arratisje. Vetëm pak javë më parë, më 23.6.1954, ishte arrestuar e dënuar në Tiranë grupi që u orvat me anë të një tuneli të arratisej nga Kampi nr.4. Raste të tjera të ngjashme ishin hasur në kampin e Rinasit, ku ishin arratisur me sukses nëpërmjet një tuneli. Në të gjitha rastet, vërehej se hapja e tuneleve ishte në objektivat e 10-25 metrave. Si rasti i Tiranës dhe ky i Fierit u zbuluan nga spiunimet e jo nga ndonjë punë e specializuar. Tunelet nisnin nga krevati i ndonjë të dënuari dhe vijonin në drejtimin më të shkurtër. Tuneli kish filluar të hapej më 20.7.1954 me plan 25 metra, nisur nga krevati i Syrjait dhe Dules.
Midis të tjerash, Syrja Bajaj deklaroi: “Po, unë e pranoj dhe kudo se kam qenë anëtar i këtij grupi që kemi hapur kanalin prej orës 23.00 e deri në orën 3.00. Qëllimi im dhe i shokëve të mi për hapjen e këtij tuneli ka qenë për arratisjeje nga kampi. Tunelin ne e kemi filluar më 20 korrik duke punuar një javë...Brenda në tunel në fillim kemi punuar me kazmë dhe një bel me të cilin kemi hequr dheun. Për transportimin e dheut kemi pasur 11 trasta”.
Shtetasit shqiptarë të burgosur u akuzuan në bazë të nenit 64 në kombinim me nenin 10 të Kodit Penal, ndërsa grekët në bazë të nenit 259 të Kodit Penal. Grekët ishin dënuar në procese të ndryshme në vitet 1950 e 1953 për largim nga kampi ku jetonin.
Gjykata Ushtarake Territoriale Gjirokastër me veprim në Vlorë, e drejtuar nga kapiten II Bektash Ismaili, me pjesëmarrjen e prokurorit kapiten II Rako Caci, me vendimin nr.62, datë 23.11.1954, i deklaroi fajtorë dhe i dënoi si vijon:
-Syrja Toto Bajaj (Zenelaj), me 25 vjet burgim.
-Muharrem Bektash Llanaj, me 25 vjet burgim.
-Maksut Mustafa Kalemaj, me 22 vjet burgim.
-Haxhi Ago Hoxha, me 21 vjet burgim.
-Dule Ramadan Gremi, me 12 vjet burgim.
-Dhimitër Andreas Zanjotis (grek), me 10 vjet burgim.
-Kristo Jorgo Aleksi (grek), 8 vjet burgim
-Serafin Kosta Sakos (grek, doktori i kampit), i pafajshëm.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here