1948/ Kujtimet e Xhemal Kaloshit nga kampi shfarosës i Vloçishtit

0
147
blank

Uria, puna e stërmundimshme, egërsia e policëve, torturat, vjedhjet brenda kampit, epidemia e morrit... Xhemal Kaloshi ka përshkruar me detaje 7 muajt e tmerrshëm në kampin e Vloçishtit ku ai përfundoi (më pak se) gjysmë njeriu (35 kg, nga 80 që ishte para se të arrestohej) dhe ku disa të dënuar humbën jetën të vrarë, të vetëvrarë ose të shkatërruar nga puna e rëndë, sëmundjet dhe mungesa e trajtimit. 

Pjesë nga autobiografia e Xhemal Kaloshit

Të nesërmen në mëngjes u mblodhën të gjithë të burgosurit në fushën e kampit të Vllocishtit e ishin mbi dymijë vetë se ishin grumbullue edhe të burgosurit e burgjeve të Tiranës, të Korcës e të Elbasanit. Ditën e parë u punue në mocalishtet e Maliqit tue hapë kanale si pas piketimit që ishte caktue nga teknikët, po gjithcka ishte e pa organizuar e rrëmujë. Në ditët pas u krijuan brigadat me përgjegjsit, komandantët etj. Nëpër kapanonet e fjetjes u përzien të burgosurit e burgut të Durrsit me të Tiranës e kështu me rradhë. Fusha e Maliqit është mbi 800 m mbi nivelin e detit e kjo kondiciononte me të ftohtit që shtohesh edhe ma shumë për të burgosunit nga të veshunit keq e zhele zhele e të zbathun që ishin të detyruem të futeshin mes përmes mocalit të Maliqit e shkyeshin nga ferrat, gaxharrenjt e gjembat, që duheshin pastru e qërue me drapinj, kosa e vegla jo të mira e të përshtatshme për atë punë se nuk kish të tjera e pothuajse i hapnin me duer e thonj për me pastrue mocalishtet. Më vonë u bë organizimi i të burgosurve në grupe 2 a 3 vetë së bashku e iu caktue norma 5 m3 për njeri e puna fillonte në orën 4 të mëngjesit e mbaronte në 7 të mbramjes, te mjerët të burgosun mundoheshin e stërmundoheshin sa nuk u mbante lëkura. Ushqimi nuk ish i mjaftueshëm e me cilësi, të burgosunit erdhën e u shpërfyturuan e u banë si kafshë dhe humbën arsyen e logjikën nga e keqja e madhe, dobesi të tilla ma shumë i shfaqnin ata që nuk ishin të pregatitun fizikisht e psikologjikisht e që kishin qenë në kushte të mira ekonomike, ose pushtetarë në qeveritë e ma parshme. Arritën vjedhjet deri atje sa me i vjedhë bukën në cantë shokut, e me e lanë me vdek urije, u ba nji treg i zi në kamp që nuk mbahej mend, e shitej nji bukë 400 lekë. Vjedhjet arriten në atë masë sa me ua vjedhë opingat shokut e me e lanë zbath, me vjedhë cka mundeshin, pantallona, këmisha etj. e me i shitë brenda kampit ose jashtë tij sipas leverdisë.

blank
Nga dorëshkrimet e Xhemal Kaloshit

Kampi i Vlocishtit ish kriju si nji lloj kampi si ai Dakaus i krijuar nga naziztat në Gjermani gjatë luftës. Në Vlocisht të burgosurit u raskapitën e munduan aq shumë sa arritën nga urija të hanin lëvore patatesh e bishta qepësh që gjenin nëpër kanale ku kalonin ujnat e zeza e filluan të sëmureshin e të vdisnin pa pritë e pa kujtu. Në nji nga ditët e zakonëshme mbas mbarimit të punës po zhvillohesh kursi i infermjerve nga mjeku gjinekollog kirurg Dr. Treska ku bante pjesë edhe Mirushi shumë pranë ambulancës, të burgosunit ishin edhe vetë në gjendje të mjerume e të uritun, po pamje që u doli para syve kalonte cdo kufi dhimbje e mjerimi. Si thashë ma nalt ishim pranë ambulancës dhe nji i sëmurë randë del prej aty tue u zvarritë, e po tërhiqej kamba dorës e mundohej me kapë disa lëkura shalqini te hedhuna në baltë sa andej këndej dhe po mundohej me i hangër ashtu gjithë lluc se nuk kish fuqi as me fshi, e kish uri të madhe. Të sëmurëve nuk u jepej shalqi pasi ata nuk mund të punonin, ndërsa të burgosurve që punonin u jepeshin ato që ishin jashtë standartit e ishin për tu hedh. Mirushi e pa e njohu ,ishte mësuesi Abaz Shehu ashtu në atë gjendje të mjerume e që nuk qëndronte dot në kambë, mori nji toc bostani që ia patën dhanë kur u ndane racionet, e preu e ia bani gati dhe ja mësuesit ta hante. I shkreti mësues i zgurrdulloi sytë si në agoni dhe donte me falenderu, po nuk mundesh, nuk kish fuqi me folë, i ishin shue të gjitha energjitë dhe ishte si nji kufomë e vërtetë që jetonte momentet e fundit e kafshonte me nji uri të pa përshkrume copën e shalqinit e me shenja mundohej me falenderu Mirushin në heshtje. Si hangri u largu kambadorës kah ambulanca nga doli e sikur mori fuqi e kurajë, se pa se dikush u interesu për te me e ndihmue e pasë mëshirë. Të bugosurit, studentët e improvizuem u rikthyen mbas pushimit në studim me doktor Treskën i cili u tërhiqte vazhdimisht vëmendjen për mos përqëndrim në mësim. Ata ishin të lodhun e të raskapitun, kishin punue 14 orë e përvec lodhjes nga ngrohtësija kishin fillu të lëviznin në trup morrat që i kishin me bollëk e shtoheshin me progresion gjoemetrik nga papastërtija se të gjorët njerëz nuk kishin kohë nga puna e gjatë, mundësi e kushte me u la e me pastru teshat. Jeta në burg sa vinte e bahesh ma e randë, përgjegjsat që ishin zgjedhë njerzit ma të ligj si thuhet në popull, të “hunit e të litarit”, cfarë torturash nuk përdornin për me përhapë terror e frikë e i mundonin të burgosunit e për gjanë ma të vogël ose dhe kot fare i a futnin kokën në llucin e kanalit dhe e zhytnin ashtu deri në fund të kanalit e përdornin edhe hunj (dru) dhe sillnin mbi trup të njerzve sa merrte gjamë e uturinte gjithë kanali nga rrenkimet e të bërtitunat e të burgosurve e të rrënqethej mishi nga kjo situatë.

Ndër kohë kanali kish shkue mbi 2 km i gjatë dhe brigadat e të burgosurve përcilleshin cdo mëngjes nga policët më xhelatë si Aliu nga Vlora, Skënderi nga Korca e Hito nga Gjirokastra e të tjerë, këta ishin të pajisun me dru të fortë si ato drutë që përdoreshin nëpër pazare me mbajtë cengelat e kandarit, e u rrinin vargut të burgosve mbrapa dhe sillnin mbi ta me sa fuqi kishin sikur këta të ishin lopë a kafshë të egra, tamam ashtu sic ndodh në Amerikën Jugut kur vejnë përpara tufa kuajsh a lopësh të egëra për ti rrëmbye e për ti dërgu atje ku dëshirojnë. Të mjerët ata të burgosur që mbeteshin mbrapa nga shokët se i pinte e zeza nga druri që i kërciste mbi kurriz e të gjithë ngitshin me vrap e nuk dojshin me ditë se ku shkelnin mbi ferra e gaxharrenj dhe ecnin si të ishin rrugë të shtrume me pambuk. Ndodhte që pleqtë që nuk mund të vrapojshin, ndonji i ri i fuqishëm e i dhimbsun e vente mbi kurriz për mos me e lanë në dorën e xhelatëve që nuk pyetshin fare kush qe mbrapa i ri a plak që nuk mund të ecte. Po ndodhte ma shumë edhe kështu që të burgosunit tue nga si të marrë për tu ruejtë nga druni shtyheshin e ngatërroheshin me njeni tjetrin sa edhe rrëzohesh dikush e shkelnin e nuk pyeste kush për te, deri sa me njimijë mundime ngrihesh vetë dhe vihesh me ecë me vrap si shokët. Tani nga lodhja, uria e torturat të burgosurit e kishin humbë fare llogjikën e ishin ba si njerës të egjër, të buavitur në fiziniomi, të ajtun e të plagosun nga kambët se ishin infektu nga ferrat, ushujzat e të tjera fëlliqsina të mocalit të gjithë dukeshin si kufoma dhe shpesh zinin dyert e mjekut për me marr raport për mos me shku në punë, e mjeku mundohesh tu jepte lejë atyne që ishin ma randë e nuk mund të ecnin e jo ma të punonin, por grumbulloheshin aq shumë të burgosun edhe të tjerë që ishin ma pak të sëmurë e atëherë ndërhynin policët me dru ndër duar e i merrnin të gjithë përpara pa pyetë kush ish vërtet randë e nuk i bahesh vonë edhe sikur të vdisnin rrugës apo në kanal. Po, filluan te vdisnin jo vetëm të pa fuqishmit e të vjetërit por edhe puntorë të fortë e te rinjë. Si përmenda edhe ma naltë vec të tjerash nga pisllëku i madh ra epidemia e morrit, u përhap aq shumë sa nuk ish e mundun me e shfarosë këtë insekt parazit që u damtonte shëndetin e mezi banin nja dy orë gjume natën megjithëse ishin të drobitun nga puna e randë. Prunë nga Korca puntorë me pompa spërkatëse me D.T.T e i spërkatën nji e nga nji të gjithë të burgosurit e teshat, shtresa e mbulesa, po morri ish përhapë në të gjithë kampin e kudo që të rrinje edhe në barë të njomë të mësynin e të mbulonin trupin si mizat e dheut. Po edhe mbas spërkatjes me D.T.T morri nuk u zhduk po shtohesh gjithnji, sa njeni nga të burgosurit plak tue mos mund me qëndru presë së morrit, mori jorganin e dogji me zjarr në mes të fushës, kur mori flakë jorgani e zjarri percellonte morrat këta kërcisnin aq shumë ishin. Kur e panë këtë skenë të burgosurit “qeshën” se nuk mund të qanin e u vinte keq për plakun që mbeti pa jorgan e do të kishte ftohtë natën se nuk kish me se të mbulohesh. I shkreti plak nuk mundi të duronte hapi gjoksin e tha: Shikoni si jam gërvishtë me thonj tu u krujtë nga morrat prandaj e dogja jorganin e ma mirë të vdes nga i ftohti, se kam kaq kohë pa asnji orë gjumë. E kjo ndodhte me të gjithë.

Me urdhër të Drejtorisë së kampit të burgosurit ishin të detyruar me pague nji sasi të hollash me ble fidane perimesh si domate, qepë, speca, bostan, pjepër etj. dhe do të punonin vetë të burgosurit për me i mbjellë. Punonin në perimore te burgosur të vecante dhe me u fut në atë lloj pune ish privilegj i madh dhe nji mundësi që nuk e kishin të gjithë. Kur perimet baheshin për tu mbledhë puntorët e burgosun që i kishin ble vetë fidanët dhe i kishin shërbye për rritjen duhet ti blenin me lekë prodhimet e jo vetëm kaqë po duhet të viheshin në rradhë e kush merrte nji tufë qepë të njoma apo gjysëm kilogrami domate me 14 lekë kilen me nji mijë halle tue u shtypë e kacafytë me njani tjetrin se nuk kishte për të gjithë. Bostanët ose pjepnat ma të mëdhej i merrnin përgjegjsat që ishin vue në krye për të shtypë e mundue të burgosunit me mënyrat ma cnjerzore, e të tjerve ju jepnin nga nji “toc” të vogël e të papjekun që ishte për tu a dhanë kafshëve. Ky ishte trajtimi që u bahej të burgosurve në kamp e kush guxonte ose i shpëtonte ndonji fjalë ankese kundra padrejtësive e pinte e zeza se fjala shkonte në vesh të përgjegjsave e këta e trasmetonin tek policët e mjerë atë që merte nama e kapnin, e torturonin sa i nxirrnin shpirtin, tue iu veshë lloj lloj shpifjesh e intrigash se gjoja po banin propogande kundra pushtetit popullor, e kishin dashë me organizu greva etj. Nga situate e randë fizike e psikologjike njerzit filluan të vetvriteshin e mbyteshin me lloj lloj mënyrash, nji dite në mengjes shpejt u gjet i vetvrarë në kapanon nji djalosh 16 – 17 vjec nga Elbasani. Si u muer vesht ma vonë djali e kish krye atë vepër, se nji i burgosur, njeri i keq e vegël e drejtuesve i kish vjedhe pakon me ushqime që i kishin ardhë djaloshit nga shpia, këtë vjedhje e bante në bashkëpunim me policet, e pastaj shpifte se djali e akuzonte për vjedhje. Djaloshi e kish marrë vesh intrigën e prej frigës se policët do ta kapnin e do ta torturonin nën presion psikologjik, vari veten e i dha fund jetës në mënyrë të tmerrshme.

Në ditët në vazhdim tre të burgosur duke punuar në kanal i vranë se i nxitën të kalonin vijën e caktueme deri ku mund të shkonin të burgosurit dhe intriguen se gjoja deshën me u arratisë e i vranë me breshëri automatiku. Në të vërtetë gjendja ish ba shumë e randë dhe e ndërlikueme e njeriu shkonte si qeni në vreshtë, se ekzistonte nji frymë që të vriteshin e të terrorizoheshin të gjithë të burgosurit e Maliqit që të krijohej nji pakënaqsi e pështjellim e të ndërhynte ushtria jugosllave që të vinte “rregullin e qetsinë” e Shqipëria të kthehej në Republiken e shtatë të Jugosllavisë e për të kriju këto situata torturat shtoheshin e teproheshin dita ditës. Vendi i punës ish largue edhe ma shumë, prandaj kazanët e gjellës dhe enët e kuzhinës mbaheshin nga të burgosurit e dërgoheshin në vendin e punës që ish 4-5 km larg . Ky ish mundim i madh për ata që i mbanin se puna i kish lodhë shumë e mezi lëviznin kambët e jo ma me pasë në krah edhe barrë, bahej nji shamatë e madhe në mëngjes nga përgjegjsit për të ngarkue kazanët, enët e guzhinës e koshat me bukë për dymijë vetë e gjithmonë “hante nama” ata ma të mirët e ma të sjellshmit që nuk ishin servilë e intrigantë. Përvec barrës luente edhe druja mbrapa që të ecnin me vrap e të mos mbeteshin mbrapa shokëve. Mundim i madh se ashtu të ngarkuar duhet të kapërcejshin edhe kanale të mëdhej që edhe pa barrë ishte gati e pamundun me i kapërcye. Të gjithë ishin t’ urishëm e kur kalonin në ara të mbjella me misër shifnin kallinjtë e njomë që ishin ba për tu hangër, e nuk guxonte kush me këputë nji se kërciste druja, po edhe atë misër që e pritshin për të celë rrugën që hapej, se aty do kalonte kanali, e hidhnin në nji anë e nuk guxonte kush me vu dorë. Nji ditë u dha urdhën që cdo puntor i burgosun mund të merrte vetëm nji kalli nga ata që do të hidheshin, e u lëshuen të ngratët e nuk mori vesht i pari të dytin, e shum kuj i takoi me marrë nga nji kacarrum të vogël me dy tre kokrra të pa formume e si qumësht. Kur mbaruen punë u ulën e ndezën nji zjarr i poqën e i hangrën me uri e mall të madh sikur hanin noj gja të jashtëzakonshme e nuk munguen me i përtypë edhe kacarrumat e njomë e të përzhitun. Kur kalonin për në punë të burgosunit kalonin edhe nga arat mbjella me panxhar dhe nga urija dëshirojshin të shkulnin e të hanin, po kush guxonte. Nji ditë njeni pati guximin me shkulë tinës me lopatë nji panxhar, e panë e kërciti druja mbi te si të ish derr i egër nga përgjegjsit e pa shpirtë e xhelatë e nuk po ia shkitnin dot e erdhën e u mblodhën policët po ai ish i fortë nuk e lëshonte deri sa i drejtuen automatikun për ta vra. Megjithëatë shtrëngim të madh, kish nga ata që kur kalonin nëpër panxharë me shpejtësi rrufeje shkulnin panxharin e kur ktheheshin në kamp banin zjarr tinës dhe e hanin me uri të madhe, kish edhe nga ata që e shitnin me nji dollar copen. E kështu duke hangër panxhar prej urisë, herë të zier e herë të pa zier e të palarë u ra barku e u smunë.

Dita e djelë, gjoja ditë pushimi ishte dita më e vështirë për të burgosurit në kamp, se nuk kishin për me hangër e i grinte urija. Ditën e djelë të shkretët të burgosur donin me ba ndonji pastrim personal e me la ndonji plackë se i kishte mbulu pisllëku, po kush i linte e gjithë dita e pushimit i shkonte tue u sorollatë me apele e mbledhje e punë boshe.Erdhi nji kohë që njerzit qëndronin ashtu kot si të mpimë dhe e kishin humbë fare logjikën. Nji ditë drejtori i gjimnazit të Tiranës që mezi e mbanin kambët i kërkoi nji korcari të ndizte cingaren, po ky as iu përgjigj në fillim e dikur i tha: - Cingaren e kam për vete e nuk mund të qëndroj pa e thithë dhe ta lë ty ta ndezësh nga cingarja ime. Mirë e ke dhe ti - iu përgjigj drejtori plak që kish mbetë kockë e lëkurë. Mirushi që e njifte nga larg ish drejtorin e nuk kish bisedue ndonjiherë me te i dha cingaren ta ndizte dhe i tha në se dishronte nji cingare nga kaushi i tij e t’ja dridhte. -Hej, shyqyr që më foli nji person si njeri se këtu të gjithë njerzit janë kthye në egërsina. Të falemderit shumë or mik i dashtun, bjere kaushin se dij me dredh cingaren për bukuri e mori kaushin e tue ju dridhë duert nga pleqëria e dobësia filloi të dridhte cingaren dhe si e hoqi me afsh cingaren që ndezi nga cingarja e Mirushit, hodhi lopatën në krahë e ashtu tue ju marrë kambët u largue tu falenderu. Mirushi po mendonte sa shpejt u ktheka njeriu në kafshë, si jemi shëndru ne këtu, mirë ata që na prunë këtu dhe na trajtojnë kështu, por as me njeni tjetrin nuk sillemi si njerëz, dhe mirë e kan thanë se njeriu për njeriun eshtë ma ujk se ujku.

Ishte kohë e vranët dhe filloi nji shi si me grykë të shtamës e uji u shkonte rëkajë nga koka ke kambët në të gjithë trupin të veshun me petka lecka lecka, e ma në fund puntorët e burgosun mbritën në portën para kampit e aty u ndalën e filloi apeli për të kontrollu nga përgjegjsat e policisë në se mungonte njeri. Fillonte numrimi, nji, dy, tre e… dikur ai që numronte gabonte në numrim e fillonte rishtas numrimin e nuk i bahesh vonë kuj se shiu binte me rrebesh e njerzit po lageshin gjerë në palcë e dridheshin si purteka nga të ftohtët, se policët për vete ishin të veshun me mushama e nuk u depërtonte shiu. Plot dy orë rrijshin kështu te dera e kampit të burgosunit tue u numrue deri sa t’ju mbushesh mendja se numri i tyne ishte ekzakt e nuk do të kishin përgjegjsi se u mungonte kush. Kështu me njimijë mundime si mbaronte numrimi hapesh dera e kampit e të burgosunit futeshin në kamp tue shty njani tjetrin se do të zenin rradhë sa ma parë nëpër cezma me u la e u pastru nga balta. Cezmat nuk ishin të mjaftueshme e bahesh luftë kush të zente vend i pari e shpesh tue u shty shkapateshin e rrëxoheshin tue vra kokën në hekurin e trumës a tue rrëshqitë në cimento e tu u përgjakë nga kambët e duert. Prandaj ma të shumtën të burgosunit rrijshin pa u la dhe tu u dridhë nga të ftohtit shkonin nëpër kapanone e clodheshin pak mbi jatakët e tyne se shpejt jepesh sinjali për tu rradhitë jashtë në kamp për të marrë ushqimin e darkës. Ushqimi i darkës ishte nji garuzhdë groshë vetëm lang se kokrrat që i numronin të burgosunit e banin “humor të zi” me njani tjetrin tu ju lavdu, mu më ranë 20 kokra e dy thela mish , e në të vërtete nuk ishin aq kokrra e në vend të mishit dy kocka. Kështu si merrnin gjellën largoheshin dhe zinin ndonji cep dhe sa ngjynin bukën me langun e groshës dhe lëpinin me shije të madhe kockat e të uritun shkonin e strukeshin ndër shtresa se ishin lodhë e ora katër e mëngjesit vinte shumë shpejt. Kish shumë nga ata që mbasi hanin “darkë”  e qe ishin akoma shumë të uritun, nuk përmbaheshin dot kapnin në tokë kockat që të tjerët kishin hedhë si i kishin lëpi e krujtë mirë, dhe banin sikur i pastronin nga balta e i kafshonin e kërkonin me i përtypë. Kështu shikoje cdo natë mbas darkës të silleshin në errësirë si hije njerës në kërkim të kockave a mbeturinave të tjera, prej urisë së madhe.

Maliq në kamp, drejtori i kampit e disa oficerë të tjerë ishin zhdukë e flitej se ishin arrestu e burgosun e ishin zavendësu me të tjerë. Prandaj në kamp kish crregullime të mëdha e ndodhnin vjedhje e ngjarje nga më të paimagjinushmet. Nji ditë nxorën e demaskuan përpara brigadës nji plak nga krahina e Elbasanit se i kish vjedhë shokëve nja 20 bukë, e i shiste me 400 lekë copën dhe 12 palë opinga dhe i kish lanë shokët pa bukë e zbath. Gjithashtu u demaskuan edhe të tjerë që kishin vjedhë edhe ma parë e nuk ishin pendu fare, e si dënim i zhytën me fytyrë në kanalin ku kalonin ujnat e zeza e ish ndyrësinë e madhe, po atyne nuk i bahesh vonë fare e vazhdonin vjedhjen. Në këto kushte të burgosunit ishin të detyruem me e mbajtë bukën ndën jastikët ku flenin e gjithashtu edhe opingat se përndryshe vdisnin urije e mbeteshin zbathë. Ma vonë filluen me vjedhë edhe veshmbathje e shtresa e mbulesa nëpër kapanone kur të burgosunit ishin në punë, e të ngratët të burgosun u detyruen me i marë me vehte veshmbathjet e mbulesa e carcafë, se ndryshe të lenin lakuriq e le nane, e si bahej kuj vonë e nuk guxoje me ba ankesa për humbjen e plackave se të hante dreqi e të merrnin të torturonin gjithë natën e të lidhnin në shtyllë e ngrije së ftoftit.

Në kufi tutje nga ana e Ohrit ndihej cdo ditë gjëmimet e topavë e krismat e mitralozave se bahej luftë e rreptë midis partisë komuniste Greke dhe monarko - fashistave dhe zhurmat e krismat e armëve ndiheshin afër, ma shumë në mëngjes herët e policët e Kampit kur vinin e hapnin dyert e kapanonevet bërtitnin e provokonin: - Ngrihuni o të burgosur se erdhën monarko –fashistët tu lirojnë e tju marrin më vete se si ata jeni ju. Po të burgosunit nuk banin fjalë, pregatiteshin si cdo ditë, merrnin cajin e mëngjesit e niseshin për ne mocal në vendin e punës. Kështu kalonte koha në skëterrën e kësaj bote në Maliq, e kërkush nuk e kish të sigurtë në se do të ishte i gjallë në ditën e nesërme. Përditë ndodhnin të paprituna nga torturat të pa mendume e të pa ndigjume se kishin ndodhë ndonjiherë mbi njerzit, vetëm historija njifte të tilla në kohën e mesjetës e në kampet gjermane në Dakaus, ku thuhesh se njerzit ishin pre e mizorive barbare të nazizmit sepse ishin kundra doktrinës false nazizte. Vlera e jetës së njeriut konsiderohej asgja, dhe nuk i bante përshtypje aspak atyne që kishin jetën e tyne në dorë dhe silleshin ma kafshë se kafshët. Kështu përditë ndodhnin vdekje e vetvrasje të paprituna e zdukeshin njerzit si të ishin miza dheu që cfarosen menjiherë përpara noj rrebeshi të natyrës. Politika që përdorej ishte për ti kundërvënë e përca njerzit tue përdorë dobsinë njerzore e injorancën që nxirrte herë pas here kryet si nëpërkë për të helmue vlerat e vërteta. Intelektualët e vërtetë e të formuem nuk jepeshin e nuk pranonin me u vu në shërbim edhe pse viheshin në frontet ma të vështira të punës e zhyteshin nëpër pirgje balte në kanal e ofendoheshin e fyheshin dhe gjuhesh mbi ta me bishta të lopatës, sa qëllonte edhe me u thye kambët, po kurrë nuk mundshin me i ba vegla, edhe pse i banin të gjymtë e i linin pa hangër e me vdekë urije. Po kish edhe kështu.

Njiherë e më pas e banë rregull të perhshëm nxorrën nji përbindësh, qe ish nga Mati nji far I.Vata që e banë përgjegjës i brigadave dhe dilte si kulcedër gjatë kanalit e u binte puntorve që ishin katandisë si hije e skelete të vdekurish e u kërkonte të punonin me nxitim tue i ra me bishtin e lopatës sa i thyente brinjët, i zhyste në pirgjet e baltës si të ishin kafshë e këtë e bante se eprorët i jepnin me hangër dhjetëfishin e racionit ushqimor për të torturu të tjerët . Ky e të tjerë bandillë koktrashë e të pa shpirt e ngritën normën nga 5m3 që ishte e banë 8 m3, pastaj 10 e deri në 12 m3. E këtu veprohesh me hile e djallëzi prap në kurriz të njerzve te drejte e të ndershëm tue ua vjedhë punën, këtyre të fundit ne bashkëpunim me normistët dallkaukë e ju a jepnin kujt donin për përfitime për veten dhe bahesh nji pështjellim e ngatërresë e nuk e merrte vesht i pari të dytin e ma të mirët e të drejtët vuenin ndën kërbacin e përbindëshave se gjoja nuk ishin në rregull me normën dhe emnat e tyne viheshin në tabelën e zezë e liheshin pa ushqim fare, u merreshin opingat e u baheshin lloj lloj torturash që nuk e mendonte njeriu se mund tu baheshin qenieve njerzore. Në Maliq koha ishte e keqe me lagështirë, shi e të ftohtë që i kish hy në palcë e kish lodhë shumë të burgosunit, shto edhe urinë e vazhdueshme që ju a bante jetën skëterrë. Mezi pritshin të ngratët pakot me ushqime që ju dërgonin familjet, po shpesh edhe ato dhjetoheshin (vidheshin) e kur u binin në dorë kish mbetë shumë pak nga ajo që i kishin dërgu familjaret. I kishin dërgu motrat Mirushit pako me kuti qumështi dhe duhan me kaushë, po kutitë e qumshtit ishin hapë me thikë gjoja për kontroll dhe gjysma ish marrë, Mirushi nuk priti me shkue në kapanon po e gëlltiti sa ja dorzuen se i ish tha fyti e i shijoi pa masë.

...Mirushi sa vinte e po dobsohej e ligshtohej e kish mbrritë te 35 kg nga 80 kg që kish qenë para se të arrestohej. I kish humbë të gjitha energjitë e kur e kontrollonin mjekët e kampit shpesh e ndalonin të shkonte në punë, se në të vërtetë ai kuptohesh se kish mbarue dhe sa do pak të ecte ish aq i pafuqishëm sa po të rrëzohej nuk do mund të ngrihej ma. Po përbindëshat përgjegjës kurrë nuk patën mëshirë ta ndalonin të punonte për me pushu ndonji ditë sa të merrte veten. Vdiqën në kamp prej mundimit të madh në punë 150 vetë. Vec kur merrje vesht se akcili vdiq “pa prit e kujtu” e i kishin groposë në nji cep të mocalit në mes të baltës si plackë pa vlerë dhe përgjegjsit përbindësha zgërdhinin dhambët si pa të keq se në damarët e tyne rridhte gjak kanibalësh.

Nji ditë Mirushi ishte në gjendje shumë të keqe me nji dhimbje të pa durushme koke dhe u shtri bri kanalit ku punonte e dy shokët me të cilët punonte M. Xh. e I. Vathi e ndanë nga grupi se nuk mund ta kryenin normën tue pasë edhe Mirushin në grup që nuk punonte dot. U mbulue me dicka se nuk duronte me pa diellin e kurrkush nuk pyeti për te se edhe shokët e lanë atje si deng pa markë. Kaloi për bri Mirushit dikur nji brigadier Korcar dhe e cyti me cycin e opingës si të ishte ndonji coftinë e i thirri: Hej ti, pse rri ashtu shtrirë cohu e puno! Nuk mundem- iu përgjigj Mirushi- jam i sëmundë. Atëherë ai ngau e thërriti kapterrin e policëve që ish përgjegjës për gjithë brigadën. Cudi, ai pat mëshirë megjithëse ish ma i egri e zemër guri. Lene të pushojë se ështe i sëmundë–tha kapterri.

blank
Xhemal Kaloshi gjatë kohës kur jepte mësim në Shijak dhe njëkohësisht ishte edhe trajner volejbolli

Puna cdo ditë randohej e bahej ma vështirë, komandanti i brigadës që ish nji fshatar i mirë, u ndrrue e në vend të tij u vendos nji tjetër O. Vora.  Këtë e provoi në kurrizin e vet shoku i Mirushit, Hysen Reka. Hyseni i ngratë mendonte se e kishte shok (kishin qenë edhe jashtë shtetit) e hante e pinte me te në mbramje. Nji ditë gjatë punës ai e detyroi Hysenin e Mirushin me forcë ne kohën e pushimit (që kishin vetëm sa me hangër bukë) me mbajtë dërrasat e trup rojes dhe me i dërgu 100 m përpara dhe si e kryen këtë punë ra bilbili dhe u dha sinjali për fillimin e punës e Mirushit e Hysenit nuk u takoi me pushue asnji minutë. Kur në të pasnesërmen Hyseni nuk paraqitet në punë dhe mungoi edhe për tre katër ditë të tjera, Mirushi mendoi se mund ti kish ndodhë ndoj rrezik nga ‘shoku’ i tij. Kur e takoi pas disa ditësh Hysenin në kapanon mori vesht cfarë i kish pasë ndodhë. Atë e kishin pasë marrë natën dhe e kishin torturu mirë e rraf e ba lakër, e pas kishin lidhë me tel në nji shtyllë jashtë dhe e kishin lanë ashtu gjithë natën. Ushqimet, duhanin e lekët ia kishin marrë të gjitha. Ishte i dishpëruem i shkreti Hysen e kish humbë fare, e ish ba si i cmendur.

Nji natë vonë rreth orës 10 u dëgjuen ulurima të tmerrshme e dallohesh nji ushtimë zani si e ndonji të vdekuni që po jepte shpirt, aty përjashta afër kapanonit ku flente Mirushi. Të nesërmen u muer vesht se kishin pasë marrë profesor Arshi Pipën e kish cveshë e lanë lakuriq si le nanet e e kishin lidhë me litar e torturu me kamxhik gjithë natën dhe lanë jashtë në të ftohtë e në shinë që binte me rrebesh, cudi si kish shpëtue i gjallë e nuk kish vdekë, se ai ish edhe i dobët nga shëndeti e vuante nga turbekulozi. Sa i fortë eshtë njeriu nganjiherë i qëndron mundimeve të mëdha, ndoshta shpirti, dinjiteti! Bante ftohtë e binte shi, ish vjeshtë e kur kish mjegull të burgosunit nuk i dërgonin larg se dyshonin mos u ikte ndonjeri, prandaj të burgosunit dishronin që përditë të kish mjegull e ti shpëtonin punës e cila i kish lodhë e dërmu. Uria e vazhdueshme, puna, të ftohtit ishin ba të padurueshme e mezi pritshin të vinte dita e largimit nga kampi e të shpëtonin nga balta e Maliqit.

U muer vesht se brenda dy a tre ditësh me datë 20 Nëntor 1948 do të vinin makinat me i marrë të gjithë të burgosunit e me i dërgu nëpër burgjet ku i kishin marrë. U porositën të burgosunit me ba gati teshat e ti lidhnin deng për ti pasë gati për ngarkesë. E vërtet, të hanën në mengjes i nxorrën në fushën e kampit të gjithë në rrjesht e tue i nxjerrë nga porta e kampit të ngarkuem secili me teshat e veta ju dhanë edhe racionin ditor të bukës. Binte nji shi rrebesh dhe ishte ba nji baltë e madhe e lluc që të rrëshqitnin kambët e mund të theje qafën, e për fat të keq duhej të kaloje edhe shumë kanale për të dalë në anë të xhades ku pritesh të vinin makinat. Mirushi kish veshë nji palë këpucë të vjetra si sharka që e vritshin e ja kishin ba kambët plagë. Duke dalë në derë të kampit si mori dhe bukën që i dhanë si racion, ju ngatrrue kamba e i ngeci në shinën e dekovilit që shtriheshin në të dalë rë kampit, Mirushi u rrëzu e u shkapet në baltë tue ra në nji anë buka e në anën tjetër dengu i shtresave që kish në kurriz e vetë u zhyt në baltë e u mbulue nga koka te kambët, shokët ikën përpara e nuk ish kurkush që mund ta ndihmonte me ngarkue plackat në kurriz. Mbet me Mirushin vetëm nji polic e cili e detyronte të ngarkohej shpejt e të zinte shoket që ishin largue përpara. Mundohej Mirushi me e ngrejtë dengun por nuk mundej se nuk kish fuqi dhe i merreshin mentë dhe i shkonin kambët sa para mbrapa anash si me pasë pi nji binde me raki e me qenë i dehun. Ma në fund duket polici pat mëshirë e si kontrolloi në cdo anë se nuk po e shifte kush e ndihmoi Mirushin me e ngrejtë dengun. Mirushi para i ngarkuar e polici mbrapa që edhe e ndihmonte ndonjiherë tue ja mbajtë peshën e dengut mbrapa që të mos prishej ekulibri e të rrëzohej prap, e me njimijë mundime tue kapërcy hendeqe e kanale munjti me arritë në vendin ku ishin grumbullue shokët e po prisnin makinat që do ti dërgonin në burgun e Durrsit. Vazhdon

 

Shënim: Pjesa është shkëputur me shkurtime nga kapitulli "Mirushi në Maliq" i autobiografisë së Xhemal Kaloshit, “Valët e jetës”, përgatitur në format libri nga familja e tij. Vazhdimin e historisë do e publikojmë në vijim.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here