Me justifikimin se po merrnin pasuritë e fituara padrejtësisht gjatë luftës, komunistët u morën gjithçka tregtarëve, industrialistëve dhe shqiptarëve të pasur, duke e rrënuar plotësisht këtë shtresë. Masat ishin energjike sepse pushtetit të ri i duheshin bazat ekonomike. Në ditët e para të janarit 1945, u miratua kuadri ligjor dhe u ngritën komisionet përkatëse. Kriteri më i rëndësishëm, veçanërisht për kryetarët e komisioneve, ishte partishmëria. Kujto.al publikon dokumentin ku pasqyrohet formimi i Komisionit për Shqyrtimin e Fitimeve të Luftës në Prefekturën Tiranë, i cili u kryesua nga nënkolonel Beqir Balluku
Kryesia e Këshillit Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin nr.37, datë 13.1.1945 “Mbi tatimin e jashtëzakonshëm për fitimet e luftës”, i cili u botua në “Gazeta Zyrtare”, nr.4, 23 janar 1945. I përbërë nga 19 nene, ky ishte ligji i cili do grabiste pasurinë e shqiptarëve, me kursimet e të cilëve do të ndërtohej regjimi komunist. Kjo ishte gjuetia ndaj floririt kryesisht. Përllogaritja e tatimit ishte abuziv, një shkak për të zhvatur.
Këtij ligji iu bë një shtojcë me ligjin nr.89, datë 12.07.1945.
Kuadri rrjepës u shtua me: Me ligjin nr.65, datë 18.05.1945, “Mbi likuidimin e pasurisë së bashkadhënësve debitor kundrejt Arkës së Shtetit për Tatimin e Jashtëzakonshëm mbi Fitimet e Luftës” dhe ligjin nr.416 datë 13.3.1947 “Mbi tatimin e jashtëzakonshëm të luftës dhe mbi sendet e bllokuara dhe rekuizuara”.
Në zbatim të ligjit të tatimeve, u krijuan komisionet për shqyrtimin e fitimeve të luftës, të cilat mbanin lidhje me Ministrinë e Financave. Këta ishin njerëz që kryesisht nuk merrnin vesh nga fusha e financës (sidomos kryetarët), por ishin vetëm me partishmëri të lartë.
Komisionet ishin pranë çdo qendre prefekture e nënprefekture. Më 10.1.1945 u zgjodh Komisioni për Shqyrtimin e Fitimeve të Luftës në Prefekturën Tiranë, i cili u kryesua nga nënkolonel Beqir Balluku, i caktuar nga Kryesia e Këshillit Nacionalçlirimtar të Tiranës.

Ismail Alla u caktua nënkryetar, ndërsa Vangjel Noti e Koço Lipivani si sekretarë. Komisioni përbëhej nga anëtarë të Kryesisë së Këshillit Nacionalçlirimtar të Qarkut Tiranë, të deleguar nga rinia antifashiste, sindikatat dhe tregtarë të manifakturës, sendesh ushqimore dhe lëndës së ndërtimit.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.