17 janar 1991/ Dita e fundit e Musinesë në Rrëshen!

0
1036
blank

“Hektori dhe i biri mbanin afër eshtrat, përballë ishin punonjësit e Sigurimit dhe shefi i degës së brendshme. Ishte takimi i fundit më xhelatët…eshtrat e saj po largoheshin nga qyteti ku kishte vuajtur 19 vjet e ku ishte varrosur në heshtje. Pak orë më pas, do të prehej e qetë pranë prindërve, në varrezat e Tiranës"

Ishte data 17 janar 1991, vetëm pak ditë pasi kishte rënë diktatura komuniste në Shqipëri. Hektor Kokalari, u nis nga Tirana drejt Rrëshenit, bashkë me të birin Vesimin. Atje do të kërkonte vendin e varrimit të hallës, Musine Kokalari.

Ishte dimër i ftohtë e me trazira të forta politike. Por Hektori mezi e kishte pritur këtë moment. I ishte mohuar e drejta për të jetuar me hallën e tij, Musine Kokalarin dhe gjithashtu i ishte mohuar e drejta për të qenë aty kur ajo ndërroi jetë pas një sëmundjeje sfilitëse, në varfëri e vetmi. Kishte rënë regjimi e diktatori që kishte dënuar shkrimtaren e shquar shqiptare, për së gjalli e për së vdekuri. Kishte ardhur koha që eshtrat e Musinesë të gjenin prehje pranë prindërve të saj.

Me të mbërritur në Rrëshen, Hektori me të birin shkuan në komunale ku kërkuan lejë për zhvarrimin e eshtrave të Musine Kokalarit.

Punonjësit e komunales e kishin shoqëruar deri atje. Mes dhimbjes, Hektori kish nisur të mënjanonte borën për të gjetur saktësisht hapësirën ku prehej Musineja. Pas gërmimeve kishin nisur të shfaqeshin eshtrat. Hektori po i nxirrte eshtrat duke i pastruar nga balta. I duhej të punonte me nxitim sepse atje në Rrëshen pritej atë ditë mitingu i parë i Partisë Demokratike dhe i gjithë Sigurimi i shtetit ishte ngritur në këmbë e shpërndarë nëpër Rrëshen. Punonjësit e komunales e kishin lajmëruar të nxitonte se mund ta kapnin trazirat që priteshin atë ditë atje.

blankKështu u nisën me nxitim drejt Tiranës për t'u ndeshur në dalje të Rrëshenit me popullin që po grumbullohej për mitingun e Partisë Demokratike. Atje ishin edhe punonjës të Sigurimit të shtetit dhe kryetyari i Degës, E. Çifliku. Tek shihnin sigurimsat e tmerruar nga çfarë po ngjiste në Shqipëri me rënien e regjimit të tyre, Hektori dhe i biri ende të frikësuar, mbanin afër eshtrat …. Të gjitha palët ishin të frikësuar, sigurimsat, por edhe ata që po mblidheshin kundër tyre në atë miting të parë të lirisë në Rrëshen.

E vetmja që s'mund të kishte frikë ishte Musineja… eshtrat e saj të mbledhura në atë copë vend, po largoheshin nga Rrësheni ku kishte jetuar 19 vjet e ku ishte varrosur në heshtje.  Ishte takimi i fundit i Musinesë me xhelatët e saj, Sigurimin e shtetit… Pak orë më vonë ajo do prehej e qete në varrezat e Tiranës, pranë prindërve të saj.

Musineja u largua nga Rrësheni atë ditë të ftohtë dimri në vitin 1991, duke lënë pas historinë e dhimbshme të jetës së saj.

Jeta në Rrëshen

Ata që jetuan në Rrëshen në vitet e vështira të Musinesë, e mbajnë mend gruan e vetmuar tek bënte xhiron e përditshme, nga qyteti deri në periferi tek Ura e Fanit.

“Nuk të fliste, se donte mos të bënte keq. Të përshëndeste kur nuk e shihte kush. Pas punës vetëm lexonte dhe shëtiste deri te Ura e Fanit. Nxirrte karrigen në oborrin e shtëpisë përdhese, ku banonte dhe lexonte libra. Në atë banesë banonin katër familje: Musineja e vetme, Sulë Haruni me familjen, Myzejen Kalo, me sa mbaj mend dhe një familjar tjetër me ngjyrë, ku secila familje kishte nga një dhomë. Aty patën banuar dhe dy motrat, Dyshja (Yldyshanja) dhe Myzejeni. Një herë u përmbyt oborri dhe ata dolën vetëm kur u largua uji vetë për në Zmé”. Dy motrat kishin qenë me shkollë, Dyshja kishte mbaruar për Mjekësi, por mezi e kishin caktuar infermiere në Fermë. Myzejeni kishte studiuar në universitet për Gjuhë Ruse, por nuk e kishin lënë ta ushtronte mësuesinë”, kështu rrëfente për GSH, Age Nikollë Gjeçi, gruaja që kishte jetuar ngjitur me Musine Kokalarin në kasollet në Rrëshen.

Dita e fundit

Ishte data 13 gusht. Dera e kasolles së Musinesë ishte e hapur. E kishte lënë vetë ashtu sepse e dinte se ishte në çastet e  fundit të jetës. Komshinjtë e saj bashkëvuajtës e gjetën në mëngjes të pajetë dhe nisën të organizohen për të kryer ceremoninë e varrimit. E ka rrëfyer Age Gjeçi edhe këtë moment: “Musineja e dinte se po vdiste, ndaj kishte lënë derën hapur. Sapo u gjet e vdekur, u njoftua Këshilli Popullor i Qytetit. Di që erdhën dhe morën ato pak libra që ishin. E ka varrosur Komunalja me punëtorët e saj. Njerëzit kishin frikë të shkonin. Nga komshinjtë kanë qenë në varrim vetëm Agim Haruni, Myzejen Kalo, Dyshja dhe pak të tjerë”.

Myzejen Kalo ishte një ndër njerëzit e afërt për Musine Kokalarin e cila ka organizuar edhe varrimin e së ndjerës. Motra e saj, Yldyshe Kalo, gjithashtu pjesëmarrëse në varrimin e Musinesë, ka rrëfyer në një dokumentar me autor Agim Popoci se kishte qenë aty bashkë me pak komshinj ditën e varrimit. Një ndër dëshmitarët e asaj ngjarjeje është edhe Jakup Hysni Isufi, shoferi që e ka mbartur me makinë për në varreza. “E kam çue unë Musinenë për në varreza, me makinën time skodë reportabël e Parkut të Mallrave Rrëshen. Më tha Agim Haruni për këtë gjë, ndoshta ngaqë me atë vetë dhe me Musinenë kisha komshie motrën time, Fahrien!…”

Musine Kokalari është ndër gratë e para që u dënuan nga regjimi komunist. Shkrimatrja e parë shqiptare, intelektualja dhe aktivistja politike, u arrestua më 17 janar 1946 dhe u dënua me 20 vjet burg nga gjykata ushtarake e Tiranës si sabotatore dhe armike e popullit. Vuajti 18 vite burg dhe më pas, kaloi 19 vitet e tjera të jetës së saj e internuar në Rrëshen, deri më 13 gusht 1983, kur ndërroi jetë e sëmurë dhe në vetmi.

Shenim: Deshmite jane marre nga GSH

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here