17 vite burg, nga të cilat 2 vite nën tortua intensive që nuk e thyen intelektualin e arsimuar në Itali dhe Vjenë, Eshref Zagorçani
Eshref Zagorçani doli gjallë nga burgu komunist prej një mrekullie të dyfishtë. E para që iu fal jeta dhe e dyta që trupi i tij u rezistoi torturave ndërsa priste ekzekutimin e dënimit me vdekje. Ishin plot 137 ditë.
“Pritja për t’u pushkatuar ishte tortura më e rëndë psiqike dhe fizike që kam kaluar. Të lidhur duar e këmbë me zinxhirë, më varnin orë të tëra në një çengel në murin e qelisë me kokë poshtë, si bagëtia. Pasi më lidhnin duart veç dhe pastaj këmbët, i bashkonin me një zinxhir më të trashë, që kapej në të dy anët, në mes kishte një hallkë të madhe, e varnin në çengelin e ngulur në mur. Minutat e para më dukej sikur brinjët do të më shpërthenin nga krahërori, pastaj më binte të fikët, dhimbje e madhe. Dy vjetët e hetuesisë kishin bërë të vetën, më kishin dobësur shumë”, i ka treguar Eshrefi shkrimtarit Mustafa Xhepa, i cili i ka kushtuar një tregim, të botuar në librin “Në sirtar”.
Eshrefi ishte i biri i një ushtaraku të lartë, Beqir Zagorçani, të vrarë në një atentat të ngritur kundër tij në Pogradec. Beqiri e kishte dërguar djalin e vetëm të shkollohej në Itali e më pas ai kishte shkuar, po për studime në Vjenë. Gjatë këtyre viteve, Beqiri vritet dhe Eshrefi, me të mbaruar studimet, kthehet në Shqipëri. Nuk mundi të realizonte asnjë nga ato ëndrrat që ndoshta e kanë frymëzuar në rrugën e kthimit. Tashmë, jeta vjeneze do i kthehej në ëndërr që, në dy vitet e torturave, do shoqëronte Eshrefin shpirtëror, ndërsa ai fiziku, siç ka treguar vetë intelektuali, vuante pa pushim.
Eshrefi, i papajtuar me realitetin e regjimit komunist, ishte angazhuar në një grup rezistence në qytetin e tij të Pogradecit, por rrjeta e dendur e spiunazhit, që kishte vendosur një të inflitruar në këtë grup, do i ndalte planet e tyre dhe Eshrefin e arrestuan në Tiranë, ku kish vajtur për të marrë udhëzime. “Ishim një grup intelektualësh, të tërë të ardhur nga jashtë. Adresën e vendit të takimit do ta merrja nga sportelisti i hotel Dajtit. Njeri i besuar. Familje e mirë dhe me taban nga zona jonë. Njiheshim familjarisht. E njihja edhe vetë. Ishte i infiltruar në organizatën tonë sportelisti. Nuk kisha arritur te shkalla e fundit në dalje të hotel Dajtit, kur pesë oficerë të Sigurimit më mbërthyen nga krahët dhe më futën me forcë në makinë”, e përshkruan ai ditën e arrestimit.
Dokumentet e Sigurimit, të sjella në botimin e AIDSSH-së, “Zhdukur- Sigurimi në fjalët e veta” e përshkruan historinë e Eshrefit si një tentativë të dështuar arrestimi. “Eshref Zagorçani nga Pogradeci, element i deklasuar dhe në pozita armiqësore shfrytëzoi pakënaqësitë e shokut të punës T.R. dhe së bashku, kryen tentativën për arratisje…barka u futi ujë në liqen nëpërmjet të çarave, midis dërrasave dhe pas disa përpjekjesh për t’i zënë me copa leckash, u kthyen dhe e fshehën barkën…”, shkruhet në këto dokumente, ku Sigurimi sqaron se, pasi njësiti kufitar e gjeti barkën, lloji i drurit, leckat dhe lopata me emrin “P” që një furrxhi ia kishte dhënë T.R, i drejtuan për te Eshref Zagorçani dhe T.R. Në të vërtetë, barka e planeve të Eshrefit dhe shokëve të tij kish futur ujë diku, te i infiltruari i hotel "Dajtit".
Pas ditës së arrestimit, për gati dy vjet, Eshrefin e torturuan vazhdimisht. Hetuesia si rregull duhet të zgjaste 3 muaj, por prej tij kërkoheshin emra, të cilat ai nuk i jepte. Ndaj koha e hetimit u zgjat. Torturat vazhduan. Eshref Zagorçani nuk dha asnjë emër. Si përfundim e dënuan me pushkatim, por edhe pas dënimit, torturat vazhdonin.
“Ishim dy Eshrefë aty, ai fiziku që do ta pushkatonin dhe ai shpirtërori që jetonte në Vjenë, i dashuruar … Ditën e fundit togeri më tha ‘të është kthyer me burgim të përjetshëm’, ndjeva keqardhje për Eshrefin fizik”, ka thënë Eshrefi.
Kishte kaluar një varg të gjatë ditësh mes torturash që i kishin shkaktuar kriza të forta nervore. E megjithatë, ai nuk ishte dorëzuar. Pas faljes së jetës, vuajtjet si shpirtërore dhe fizike nuk ndaluan. Dënimi do të vazhdonte. Eshrefi vuajti 17 vjet në burgje dhe kampe pune.
Vite më vonë, me ndryshimin e sistemeve Eshref Zagorçani, u zgjodh kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, dega Elbasan. Në esenë e tij, Mustafa Xhepa përshkruan sesi në këtë kohë, gjatë një interviste me një gazetare gjermane, me të cilën Eshrefi komunikonte me një gjermanishte të rrjedhshme, i gjithë grupi kishte vizituar banesën e intelektualit të mbijetuar të torturave dhe burgjeve komuniste.
“...Lagjja e fundit e qytetit, në periferi, e kishte caktuar komiteti i partisë për të dënuarit, deklasuarit dhe të padëshiruarit. Kishte filluar të krijohej, kur nisi ndërtimi i metalurgjisë së zezë. Rruga ishte pa ndriçim… Ndërtesa, ishte e pa përfunduar, punohej në katin e tretë, Eshrefi banonte tek hyrjen në anë, kati i parë. E ndante me një ish-të dënuar tjetër politik… Brenda lagështirë, erë myku, kur kaluam korridorin e pashtruar, drita e zbehtë ra mbi derën e hapur të dhomës përballë, ish-i burgosuri politik rrinte shtrirë në shtrat, i mbuluar kokë e këmbë me batanie. U futëm në dhomën e Eshrefit. Ai ndezi llambën e vajgurit, rrinte mbi një komodinë të vjetër. Ndriçimi i saj bëri të shqueshin orenditë. Në krye krevat portativ i mbuluar me batanie të errët. Në mes furnelë vajguri e vjetër, anonte sikur po rrëzohej në dyshemenë e pashtruar prej rëre të ngjeshur. Varur me gozhdë në faqen e murit, pranë derës, ishin një palë pantallona, nuk u kuptohej ngjyra, pranë tyre dy këmisha të errëta, ngjitur me to xhup i zi, si prej burgu. Përreth furnelës katër stola te vegjël si ato për kopsht fëmijësh…”
Mrekullia e tretë përmbysëse për Eshref Zagorçani, si për qindra të dënuar të tjerë politikë, nuk kishte ndodhur!
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.