Kujtimet nga kampi shfarosës i Tepelenës
“Atje ishte një fushë e madhe, sa dy fusha futbolli”, kujton Zylyftar Velmishi për kampin e Tepelenës ku ai qëndroi tre vjet. Një fushë e mbushur me dhimbje, uri dhe sëmundje brenda së cilës kaluan fëmijërinë qindra fëmijë nga viti 1949 deri në fund të vitit 1953.
Velmishi i cili ishte pesë vjeç kur e internuan familjarisht në Tepelenë në vitin 1950, ka treguar për “Zërat e kujtesës IX” urinë dhe kushtet mizerabël të këtij kampi, por edhe sëmundjet dhe aksidentet që sillnin tragjedi në jetët e të internuarve.
“Në Tepelenë, më parë, nuk kishte repart, kishte qenë vetëm një shtëpi ku rrinin oficerët e degës dhe,më pas, kur na çuan ne e rrethuan me tela me gjemba. Ne na internuan në vitin 1950 në Tepelenë. Në kampin e Tepelenës ka qenë kazerma e italianëve dhe më pas, i morën komunistët, duke e shndërruar në kamp internimi. Kazerma ishte e organizuar me dy krevatë dërrase, njëri mbi tjetrin. Ishin gjashtë korsi ku njerëzit flinin përballë njëri-tjetrit, me gjithë rroba. Të internuarit i kishin ndarë me çarçaf vendet e tyre”, tregon Zylyftar Velmishi. Atë e internuan në Tepelenë bashkë me nënën, motrën më të madhe, Dhuratën, 10 vjeçe dhe dy vëllezërit binjakë 6-muajsh. Aryseja ishte arratisja e babait, të cilin më vonë edhe e kapën dhe e dënuan me 13 vjet burg.
“Kur ishte vakti i ngrënies, ne shkonim me gavetë në dorë për të na e hedhur ushqimin nga kazanët. Ata përgatisnin ushqimin në një kazan të madh; hidhnin bollgur dhe me raste, gatuanin fasule, por, nëse gjeje ndonjë kokërr ishte fitore e madhe, ndryshe, do pije vetëm lëngun. Ky ushqim ishte për të gjithë edhe për ne, fëmijët e vegjël. Nënat rrinin në radhë, me gavetat në dorë, për të marrë ushqim dhe të na e sillnin neve fëmijëve në kazermë. Ne, nuk kishim asnjë lloj ndihme atje, kishim vetëm gjellën që merrte nëna”.
Familja e tij përjetoi tragjedinë e humbjes së një fëmije në Tepelenë. Motra, Dhurata, nuk i mbijetoi dot traumës dhe kushteve të internimit. “Ajo u sëmur dhe e dërguan në spitalin e Gjirokastrës, nga ku nuk u kthye më. Atë e nxorën me anemi, ndërsa nëna tha se ajo u frikësua shumë nga internimi. E përjetoi shumë keq momentin kur na internuan. Nëna tregonte se motra kishte shumë frikë të dilte jashtë, në oborrin e kampit. Varrimin ia kishte bërë spitali. Ne e kërkuam, por nuk na dhanë përgjigje se ku ishte varrosur. Kur dolëm nga internimi nëna e kërkoi, por nuk e gjeti”.
Fëmijëria e tij në kampin e Tepelenës është e shenjuar edhe nga kujtime të tjera të rënda, ngjarje të patregueshme makabre.
“Vendi ishte i minuar që në kohën e Italisë. Gratë shkonin të lanin rrobat dhe ndiznin zjarr. Sa vinin kazanin për të ngrohur ujin, plaste bomba. Ishte njëri nga malësia që e merrte bombën me tre këmbë, i priste në mes dhe i bënte gota rakie. Një ditë, duke e prerë, si përherë, bomba i plasi në dorë dhe i preu këmbën.
Një rast tjetër, ishte kur dy fëmijë motër e vëlla duke lozur jashtë derës, se ishin liruar, iu plasi bomba dhe u vranë të dy.
Në Tepelenë, mbaj mend, që ishin dy vëllezër nga Kruja; Bam Brahimi dhe i vëllai. Këtyre iu vdiq i ati dhe e varrosën jashtë kampit. Më vonë, erdhi urdhri që ta hiqnin nga aty dhe ta çonin në një vend tjetër. Të gjithë njerëzit që vdisnin në kamp i varrosnin në arë, ose buzë lumit që, kur vinte lumi t'i merrte me vete kufomat”.
Askush nuk mendonte se bëhej fjalë për fëmijë. Policët nuk shfaqnin asnjë ndjenjë dhembshurie njerëzore dhe as arsye përballë atyre krijesave të mitura.
“Fëmijët zgjoheshin njësoj si të rriturit dhe nxirreshin jashtë. Nuk lejohej të rrinin brenda, përveç ndonjë dite në dimër… Atje ishte një fushë e madhe, sa dy fusha futbolli. Atje rrinim gjithë ditën sepse në kapanon nuk të lejonin të rrije brenda…Tek dera e kampit ishte një shtëpi tip elbasançe që rrinte policia. Për një njeri që do ndëshkohej, dilnin dhe e thërrisnin te dera. Sidomos ne fëmijëve të vegjël, na torturonin duke na mbajtur me një këmbë. Kur më kërkonte nëna, më gjente gjithmonë atje. Banjot ishin gati 600 m larg nga kazermat. Ne ishim fëmijë dhe nuk duronim dot dhe iknim. Ai të kapte dhe të ndëshkonte me një këmbë”, ka treguar Zylyftar Velmishi.
Ai kujton se kapanonet pastroheshin dhe mirëmbaheshin nga vetë gratë. Kampi banohej prej tyre, fëmijëve, të moshuarve dhe disa djemve e vajzave të reja, pasi burrat, “shkaku” i dënimit të gjithë të tjerëve, ishin ose të arratisur, ose në burg…
“Ata që punonin, dilnin nga rrethimi në orën 7.00 dhe niseshin për në vendin ku do punonin. Zakonisht shkonin të bënin dru dhe të shoqëruar me polic. Nuk kishte shanse të largoheshe nga vendi i punës…Nëna nuk punonte sepse kishte vëllezërit e vegjël, nga 6 muaj. Të gjitha gratë me fëmijë të vegjël nuk shkonin në punë. Dilnin dhe bënin ndonjë punë aty, në kopshtin e kampit. Ishte një tokë ku mbillnin ndonjë qepë ose ndonjë hudhër. Ata e quanin ekonomi ndihmëse këtë mundësi. Pjesa tjetër e të internuarve punonin, sidomos burrat dhe gratë e reja. Burrat bënin shtyllat e drurit të minierave. Puna ishte shumë e rëndë. Kam pasur një djalë halle, quhej Brahim Xhindole, i cili ishte i internuar aty dhe mbas disa kohësh i iku shikimi nga mosushqyerja dhe uji që kalonte në lumin e Bënçës. Shyqyr që nuk zgjati shumë kjo vuajtje. Kemi qëndruar në kamp 3 vjet dhe unë jam liruar më 25 mars. Ditën që ka vdekur Stalini, na është komunikuar lirimi im dhe i njërit nga vëllezërit binjakë, Arjanit. Binjakun tjetër, Gurin, dhe nënën e lanë edhe një muaj më shumë në internim”.
Më pas, do të niste jeta e tyre e lirë, por asnjëherë nuk iu nda vula e të qenit armiq. Edhe ushtrinë, Zylyftar Velmishi do e kryente në brigada pune, pa armë. Ndërsa për të atin e dalë nga burgu, madje dhe nënën e tij, gjithmonë do të rezervohej puna më e rëndë.
Shënim: Mbështetur në intervistën e Zylyftar Velmishit dhënë Juliana Uznova Kurtit për botimin e ISKK, “Zërat e kujtesës”, Vëllimi IX.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.